LAJMI I FUNDIT:

Kompania e naftës Aramco dy herë më fitimprurëse se Apple

Kompania e naftës Aramco dy herë më fitimprurëse se Apple

Pasi bëri publike gjendjen financiare për herë të parë, u mësua se kompania arabe e naftës Aramco, është më fitimprurësja në botë. Dhe jo thjesht, por dy herë më fitimprurëse se Apple, e cila shihej deri më sot si e para në botë.

Sipas Moody’s, Saudi Aramco ka fituar 111 miliardë dollarë në vitin 2018. Kompania është duke u përgatitur që të blejë Korporatën Saudite të Industrive Bazë, një kompani shtetërore që merret me industrinë e përpunimit të naftës në Arabi Saudite. Blerja do t’i kushtojë 69.1 miliardë dollarë dhe ky ka qenë deklarimi i parë publik nga Aramco.

Si krahasim, Apple, e cila u shpall kompania më fitimprurëse në botë vitin e shkuar, kishte fituar 59.4 miliardë dollarë, gati sa gjysma. ExxonMobil, kompania më e madhe e naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte fituar 20.8 miliardë dollarë dhe Shell-i holandez, kompania më e madhe e naftës në bursë, fitoi 23.4 miliardë.

Në fund të vitit të shkuar, Saudi Aramco ka deklaruar të ardhura prej 355.9 miliardë dollarësh dhe 48.8 miliardë dollarë para të gatshme. Kjo shifër është shumë më e madhe se borxhi prej 27 miliardësh. Këto shifra u ndihmuam edhe nga rritja e çmimit të naftës në vitin 2018, në krahasim me 2017-në.

Vitin e kaluar, Saudi Aramco kishte planifikuar të nxirrte 5 për qind të aksioneve në shitje me ofertën më të madhe fillestare në histori. Sauditët prisnin të merrnin 100 miliardë dollarë nga oferta fillestare, e cila do ta kishte vlerësuar kompaninë me dy trilionë dollarë ose dy herë më shumë se Microsoft, që njihet si kompania më e vlefshme në treg me 904 miliardë dollarë. /Telegrafi/