Komisioni Evropian ka vendosur të gjobisë platformën X në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk me 120 milionë euro për shkelje të Aktit të Shërbimeve Dixhitale.

Në të njëjtën kohë, Komisioni pranoi ofertën e TikTok për të përmbushur kërkesat e transparencës së reklamave.


Komisioni zbuloi se X kishte shkelur tre dispozita të Aktit të Shërbimeve Dixhitale.

E para ka të bëjë me shenjën blu, të cilën Komisioni e konsideroi si mashtruese për përdoruesit duke i bërë të besojnë se një llogari me shenjë blu është në fakt një përdorues i verifikuar.

E dyta është një shkelje e kërkesës për të siguruar disponueshmërinë e një “depoje reklamash”, në të cilën mund të kërkohen të gjitha reklamat e shfaqura në platformë, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për shqyrtimin e reklamave politike mashtruese në fushatat zgjedhore.

E treta është një shkelje e një dispozite që u lejon studiuesve të analizojnë të dhënat e disponueshme publikisht mbi X.

“Mashtrimi i përdoruesve me shenja blu, fshehja e informacionit në reklama dhe përjashtimi i studiuesve nuk kanë vend në internetin e BE-së”, tha zëvendëspresidentja ekzekutive për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Henna Virkkunen.

Komisioni thekson se shuma e gjobës, e cila duket jashtëzakonisht e vogël duke pasur parasysh të ardhurat e gjeneruara nga X, u përcaktua sipas parimit të proporcionalitetit, i cili vlerëson natyrën, rëndësinë, kohëzgjatjen dhe përsëritjen e shkeljes së dispozitave të ligjit evropian.

Platforma X tani ka 60 ditë pune për të njoftuar Komisionin për masat konkrete që synon të ndërmarrë për t'i dhënë fund shkeljes së dispozitës që lidhet me shenjat blu.

Për shkeljen e dy dispozitave të tjera, X ka 90 ditë për t'i paraqitur Komisionit një plan veprimi me masat e nevojshme për të adresuar shkeljet e identifikuara. /Telegrafi/