LAJMI I FUNDIT:

Komisioni Evropian: Kosova urgjentisht ta ulë nivelin e ndotjes së ajrit

Komisioni Evropian: Kosova urgjentisht ta ulë nivelin e ndotjes së ajrit

Zyrtarë nga Kosova dhe Komisioni Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet e viteve të fundit në fushën e transportit, mjedisit, energjisë, klimës dhe zhvillimit regjional. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) e cila hyri në fuqi në Prill 2016.

Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike.


Në lidhje me mjedisin, Komisioni shprehu shqetësimin ndaj progresit të kufizuar në këtë fushë e cila është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre.

Në veçanti, Komisioni Evropian shprehu shqetësimin në lidhje me progresin e kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

“Sa i përket klimës, Kosova ende duhet të zbatojë rregullat e BE-së për luftimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike. Është rënë dakord që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë strategjinë dhe planin e veprimit mbi ndryshimin klimatik”, thuhet në komunikatën e Zyra e BE-së./Telegrafi/