Kryeministri Kosovës, Albin Kurti pretendohet se ka rënë pre e dy rusëve, komedianëve Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

Ata kanë publikuar një video në llogarinë e tyre, ku Kurti dëgjohet duke folur për luftën hibride ruse, pastaj i përgjigjet pyetjes për sulmin në Ibër Lepenc, flet për situatën e sigurisë, e çështje tjera.


Kurti përmend ish-emisarin për Dialogun, Richard Grenell, ndikimin rus, furnizimin me armatim e fabrikën e municioneve dhe për situatën e tanishme në Kosovë pas zgjedhjeve, duke e kritikuar opozitën.

“[Grenell] Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrument në rrëzimin e qeverisë time të parë, më 2020, e vetmja qeveri që u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën”, tha ai për Grenellin.

Kurti flet edhe për dezinformatat duke treguar për ndikimin e luftës hibride ruse, por thekson se edhe opozita në Kosovë ka flirtuar me këtë lloj lufte, përfshirë edhe “mediat e oligarkëve” e në veçanti e njërit që ka një televizion.

Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur edhe si Vovan dhe Lexus, për shumë kohë kanë mashtruar liderë të njohur botërorë e figura të tjera publike.

Zakonisht, ata në këto biseda shfaqen si liderë apo zyrtarë të tjerë, derisa në rastin e Kurtit, janë paraqitur si presidenti i Letonisë.

Pre e tyre kanë rënë ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, pastaj Hillary Clinton, Camala Harris, etj.

Telegrafi po ashtu i ka shkruar zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës për të mësuar më shumë rreth kësaj interviste të dhënë nga kryeministri Albin Kurti dhe për të parë nëse videoja nuk është manipuluar, ndonëse pre e tyre kanë rënë shumë liderë.

Për më shumë dëgjoni videon e publikuar:

https://rumble.com/v6r7vic-video-prank-with-prime-minister-of-kosovo-albin-kurti.html?fbclid=IwY2xjawJQ6FJleHRuA2FlbQIxMAABHdEqt72WoaLEMBnJhMaLED8MsHnvMD-k0dYDI0Iq6BBrvcwlExL37gIoKA_aem_L1dHGvCYv_FpReUh1mLySQ