LAJMI I FUNDIT:

Kombëtarja e futbollit – midis Vrana Kontit dhe Selam Musait!

Kombëtarja e futbollit – midis Vrana Kontit dhe Selam Musait!

Për ndeshjen me Rumaninë, t’i lëmë hartimet me 10 milionë shqiptarë, me heronj e me datëlindje që si dhuratë dëshiron fitoren me Rumaninë. Nuk del fitorja me hartime. Mos bëhemi naivë tani…

Problemi i vërtetë i Kombëtares të të gjithë shqiptarëve nuk ka qenë as Franca, as Zvicra. As matemi dot me to! Nuk kemi këllqe. Këtë e vërtetoi loja në mbrojtje që bëmë, si Vrana Konti në kështjellën e Krujës, e duke bërë ndonjë sulm të çartur si Selam Musai mbi tela me gunë, Yxhym! Në rrëmujë e sipër çuna mos rrasni ndonjë gol!


Problemi i vërtetë është Rumania. Tani fillon e vetmja gjë serioze e kampionatit. Deri tani ishte folklor. Fryrje e kotë karakteristike për t’u mat me të mëdhenjtë.

Kështu e kemi ne shqiptarët, matemi me Romën, me Perandorinë Osmane, me Kostandinopojën, me Bashkimin Sovjetik, me Kinën, me Amerikën, të tjerët nuk i llogarisim. Sindroma e të voglit.

Çfarë të bëjmë! Na ka zënë. Vogëlsinë reale e kompensojmë pak me delire madhështie! Për të qeshur e qarë! Me të mesmit dhe të vegjlit nuk kemi motiv për t’u ndeshur, sepse nuk i quajmë. Nuk na jep kënaqësi po të mundim Malin e Zi, Bosnjën, e ndonjë tjetër të dorës sonë.

Madje, edhe kundër Serbisë dhe Greqisë motivi na vjen nga patriotizmi, jo nga futbolli, por jashtë futbollit.

Me Rumaninë do të shihet: E para, sepse deri aty është hapi ynë; e dyta, se aty është shpresa për kualifikim; e treta, sepse aty nuk ia dalim duke u ndryrë në portë e duke u bërë stivë atje për të mos marrë gol.

Se do të sulmojmë me Rumaninë, ishalla ia dalim, por mos harrojmë se rumunët nuk flenë, dhe pikërisht nga hapja jonë do të përfitojnë duke krijuar hapësira të lira me sulmues të shpejtë që kanë. Mos harrojmë se ata i bënë gola edhe Francës, edhe Zvicrës, kurse ne akoma nuk e kemi provuar se çfarë shijeje ka goli. Kujdes mos hamë gola, se torta për ditëlindje hamë sa të duash!