Komandanti i lartë i Ukrainës merr vëmendjen me një distinktiv të personazhit të Star Wars në uniformën e tij

Ukraina ka publikuar një video të komandantit të saj të lartë, me sa duket për të hedhur poshtë sugjerimet ruse se ishte vrarë, plagosur ose arratisur, por ajo që ra në sy ishte distinktivi i tij me personazhin e serisë së “Star Wars”, Baby Yoda.
Videoja, e publikuar nga Shtabi i Përgjithshëm vonë të hënën, tregoi komandantin e përgjithshëm Valeriy Zaluzhnyi, duke shqyrtuar hartat me gjeneralët e tjerë, transmeton Telegrafi.
Rusia ka sugjeruar vazhdimisht se diçka mund të ketë ndodhur me Zaluzhnyi-n, që tani drejton kundërofensivën e Ukrainës kundër forcave ruse. Ai shpesh ka kaluar periudha të gjata pa u shfaqur në publik, gjë që Kievi thotë se është e nevojshme për të ruajtur sigurinë.
Videoja tregonte Zaluzhnyi-n me uniformë ushtarake që kishte një distinktiv të personazhit Grogu, heroit jeshil, me veshë me majë, i njohur ndryshe si “Baby Yoda” nga seria origjinale e Disney-t të Star Wars, “The Mandalorian”. /Telegrafi/




















































