Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, në Camp Film City në Prishtinë.

Sipas njoftimit, në qendër të diskutimeve ishin situata e sigurisë në vend, stabiliteti rajonal dhe bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e Kosovës.


Gjeneral Barduani ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes sa më të shpejtë të ngërçit parlamentar, duke nënvizuar se koordinimi i rregullt dhe komunikimi i qëndrueshëm me organet e sigurisë në Kosovë janë elementë kyç për stabilitetin.

“Takimi, pjesë e bashkëpunimeve të rregullta të Gjeneral Barduanit me homologët institucionalë, u përqendrua në situatën e sigurisë, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë. Gjeneral Barduani shprehu dëshirën për një zgjidhje të shpejtë të ngërçit parlamentar dhe ritheksoi rëndësinë e koordinimit të rregullt dhe komunikimit të qëndrueshëm ndërmjet KFOR-it dhe organizatave të sigurisë së Kosovës si faktor kryesor për stabilitetin”, thuhet në njoftim.