LAJMI I FUNDIT:

Kolegji Riinvest do ta përkrah me analiza Klubin e Prodhuesve

Kolegji Riinvest do ta përkrah me analiza Klubin e Prodhuesve

Në ambientet e Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK), sot në Prishtinë, është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe Kolegjit “RIINVEST”.

Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe do të bëhen partner real bashkëpunues në të ardhmen.

KPK-ja e cila nga fillimi i themelimit ka synuar rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve dhe të bashkëpunimit efektiv dhe të frytshëm me shumë subjekte dhe asociacione shkencore, akademike dhe prodhuese në vend.

KPK, gjithsesi, do të vazhdojë ta ketë synim me prioritet krijimin e partneriteteve dhe të rrjeteve të bashkëpunimit në mbarë vendin. Nënshkrimi i këtij Memorandumi bëhet në vazhdën e këtyre synimeve të KPK-së.

Me këtë rast aktin e zyrtarizimit të bashkëpunimit , KPK-RIINVEST e ka përshëndetur Astrit Panxha, Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, dhe Alban Zogaj udhëheqës i Departamentit të Ekonomisë në Kolegjin RIINVEST.

Astrit Panxha tha se nënshkrimi i këtij memorandumi ka për qëllim që t’i adresojë në mënyrë akademike dhe shkencore kërkesat dhe preokupimet e prodhuesve vendor. “Ne mendojmë se Riinvest si një nga institutet dhe kolegjet tashme me emër, qoftë përmes hulumtimeve, qoftë përmes studimeve, do të jetë një zëdhënës i mirë për të lansuar dhe promovuar interesat dhe synimet e sektorit privat dhe të prodhuesve vendor”, vlerësoi Panxha.

Kurse Alban Zogaj nga Kolegji RIINVEST ka theksuar se e kanë mirëpritur dhe përkrahur që nga fillimi nismën dhe krijimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Ai ka shtuar se është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërmjet kolegjeve, përkatësisht studentëve e hulumtuesve dhe sektorit prodhues dhe industrial të vendit. “Nga ky bashkëpunim fitojnë të dyja palët. Industria ka nevojë për akademinë, ndërsa ne kemi nevojë për përvojat e prodhuesve gjatë hartimit të analizave dhe hulumtimeve shkencore”, tha Zogaj. /Telegrafi/