LAJMI I FUNDIT:

Kolegji ILIRIA vlerësohet nga agjencia e famshme amerikane

Kolegji ILIRIA vlerësohet nga agjencia e famshme amerikane

Agjencia e famshme amerikane USAID ka vlerësuar një nga kolegjet e Kosovës, posaçërisht Kolegjin ILIRIA me certifikatë vlerësimi të veçantë.

Dokumenti i siguruar nga Telegrafi i është dorëzuar Kolegjit ILIRIA nga Misioni i Kosovës së kësaj agjencie, firmosur nga drejtori z. James Hope. Në një deklaratë publike, Kolegji ILIRIA në Prishtinë, shpreh mirënjohje për vlerësimin e agjencisë amerikane dhe ia dedikon këtë sukses stafit akademik dhe studentëve.

“Ne besojmë se të parët mësohen të qëndrojnë në krye”, thuhet në deklaratë. “Prandaj, e gjithë puna jonë si kolegj është e organizuar që studentëve tanë t’u ofrojmë mbështetje për të qenë të parët.”

Dokumenti zyrtar i USAID shprehet se certifikata i jepet Kolegjit ILIRIA për suksesin e arritur në organizim, pritje dhe financim të plotë të aktivitetit vjetor për Ballkanin Perëndimor të garës Vis Pre-Moot.

Konkretisht, sipas tekstit të certifikatës, puna e Kolegjit ILIRIA është bazuar me sukses mbi themelet e mbështetjes dhe lidershipit të vazhdueshëm të këtij Kolegji dhe zyrës së Kosovës së USAID, për të ndërtuar dhe fuqizuar arsimimin praktik në fushën e drejtësisë për gjeneratat e ardhshme në Republikën e Kosovës.

Lidhur me certifikatën që vlerëson punën e bërë për avokatët e ardhshëm, Kolegji ILIRIA thekson se do të vazhdojë të udhëheqë e të mbështesë të gjitha programet dhe iniciativat, “sa herë ato sigurojnë që studentët e Kosovës të jenë të parët në fushat që preferojnë!”