LAJMI I FUNDIT:

Kohë kur morali shndërrohet në mall

Është kohe e shitje-blerjeve. Kohë kur çdo gjë e dobishme domosdo kalon nëpër filtrin e tregut dhe sipas rregullave ekonomike merr epitetin e mallit. Dhe në ekonominë e tregut çdo gjë shndërrohet në mall. Këtu morali i vetëm është përfitimi. Dhe përfitimi vjen e bëhet forca lëvizëse e tërë shoqërisë. Këtij kriteri nuk i shpëtojnë dot jo vetëm mallrat e zakonshme, por edhe historia, kultura, arti, sporti, madje edhe vetë njerëzit. Pas zgjedhjeve në Kosovë (ndoshta është gjithkund kështu?!) malli më i kërkuar na vjen e na bëhet njeriu i veshur me mandatin e deputetit! Ai i cili e ka marrë votën e qytetarëve për t’ua mbrojtur interesat e tyre.

Ditë më parë u përhap lajmi se dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim u ndanë nga Lëvizja Vetëvendosje! dhe hynë në bisedime me PDK-në për ta formuar qeverinë e re. Ky lajm u përhap shumë shpejt dhe u besua lehtë! Dhe, natyrisht, s’kishte si të ishte ndryshe! Në moralin e përgjithshëm, të krijuar nga kastat e deritashme politike në Kosovë, nuk ka se si të besohet që deputetet e Lëvizjes për Bashkim të jenë ndryshe! Sipas këtij morali, edhe ata duhet t’i nënshtrohen kriterit të shitje-blerjes, kriterit të mallit dhe nuk do t’u rezistojnë tundimeve për para e pushtet dhe natyrisht se do të shndërrohen në mall! Por krejt kjo nuk ishte e vërtetë! Lajmi ishte vetëm gjysma e së vërtetës. Dhe të gjithë e dinë se gjyma e së vërtetës është më e rrezikshme sesa gënjeshtra e plotë.


Së pari, deputetët e Lëvizjes për Bashkim s’kishin si të ndaheshin nga Lëvizja Vetëvendosje! kur nuk kishin qenë as të bashkuar! LVV dhe LB kanë pasur një koalicion në zgjedhjet e fundit dhe ai koalicion ka qenë vetëm zgjedhor, pra deri në përfundim të zgjedhjeve. Kështu shkruan edhe në marrëveshjen e nënshkruar nga LVV dhe LB. Marrëveshja normalisht që do të respektohet nga të dy palët.

Së dyti, për sa i përket marrëveshjes së mundshme me PDK-në për formimin e qeverisë, çështja ndryshon rrënjësisht. Ne dikur kemi pasur një “koalicion” me krerët e PDK-së, ish-udhëheqësit e UÇK-së, pa asnjë përfitim, përveç interesit të përbashkët për luftën çlirimtare. Në fillim të luftës – në maj 1998, LKÇK-ja e ka bërë një marrëveshje për bashkëpunim luftarak me udhëheqjen e UÇK-së, megjithëse në vijën politike nuk jemi pajtuar plotësisht me krerët e saj. Por situata atëherë ishte e jashtëzakonshme dhe kërkonte nga ne hapa të jashtëzakonshëm. Pushtuesi serb kishte hyrë në çdo vatër shqiptare dhe UÇK-ja me të drejtë e kishte ftuar popullin për luftë të armatosur kundër pushtuesit, prandaj edhe ne si LKÇK iu bashkuam kësaj thirrjeje dhe i bashkuam armët për ta luftuar armikun e përbashkët.

Sot situata është krejt ndryshe. Ajo është e zakonshme dhe nuk ka asnjë urgjencë që do të duhej të na detyronte të shpejtonim e të heqim dorë nga bindjet tona politike dhe të bëjmë koalicion të jashtëzakonshëm me ata që nuk pajtohemi politikisht – kushdo qofshin ata. Rrjedhimisht, ne sërish jemi të gatshëm të bëjmë koalicion, bashkëpunim apo edhe shkrirje të plotë organizative me të gjithë ata që do të pajtoheshim në vijë politike, në drejtimin që duhet të marrë Kosova dhe çështja kombëtare shqiptare, në interesin e drejtpërdrejtë të qytetarit etj. Për fat të keq, me askënd në skenën politike shqiptare nuk ka ardhur puna deri këtu.

Në këtë botë ka njerëz me moral dhe ka forca politike konsekuente që nuk ia nënshtrojnë ndërgjegjen e tyre ligjit të tregut. Përfundimisht, deputetët e Lëvizjes për Bashkim e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mandatin për ta mbrojtur interesin e qytetarit dhe për ta çuar përpara çështjen kombëtare shqiptare dhe vetëm këtë do ta bëjnë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, pavarësisht nga situata e shitje-blerjeve, pavarësisht nga përpjekjet për t’i joshur me pushtet e privilegjet që vinë nga ai.

(Autori është kryetar i Lëvizjes për Bashkim)