“Koha për Prishtinën” – Uran Ismaili nis zyrtarisht garën për kryeqytetin

Me sloganin “Koha për Prishtinën”, Uran Ismaili ka nisur zyrtarisht rrugëtimin e tij si kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ai ka prezantuar vizionin e tij për një kryeqytet më funksional, më të pastër dhe më të jetueshëm, duke dhënë një mesazh të qartë për veprim dhe ndryshim.
Ismaili thekson se “Koha për Prishtinën” nuk është thjesht një slogan elektoral, por një bindje dhe angazhim i thellë për ta kthyer vëmendjen kah problemet reale të qytetarëve.
Ai shpreh gatishmërinë për të sjellë zgjidhje të guximshme për sfidat me të cilat përballet kryeqyteti, si trafiku i rënduar, ndotja, mungesa e pastërtisë, siguria në lagje dhe hapësirat e paktë për jetesë cilësore.
Fushata e tij do të mbështetet në disa shtylla kryesore, që përfshijnë:
Zgjidhje të drejtpërdrejta për secilën lagje,
Udhëheqje me përvojë të dëshmuar si ish-ministër i Shëndetësisë,
Një ekip profesionistësh të përkushtuar për transformimin e Prishtinës.
Me një kombinim të përvojës politike dhe energjisë për ndryshim, Ismaili synon të rikthejë fokusin tek qytetari, duke e vënë të gjithë potencialin dhe përkushtimin e tij në funksion të zgjidhjes së problemeve që janë neglizhuar për vite me radhë.
“Është koha për Prishtinën dhe për qytetarët e saj. Është koha të bëhen punët që presin,” përfundon ai mesazhin e tij.










































