LAJMI I FUNDIT:

Koha e çmuar dhe politika e Serbisë

Koha e çmuar dhe politika e Serbisë

Nexhmedin Spahiu

Në qendër të Tiranës, 50 metra nga sheshi “Skënderbej” ndodhet një shtëpi e vjetër me oborr të madh. Aty është paraparë një pallat njëzetkatësh. Gjatë 25 viteve të fundit pronari i shtëpisë i ka refuzuar të gjitha ofertat e investitorëve duke kërkuar më shumë ngase ata ishin në gjendje të ofrojnë. Edhe kur një investitor atij i ofroi 40 për qind të objektit njëzetkatësh, ai kërkoi 50 qind të objektit.


Qytetarët e Tiranës që kishin pasuri të tilla qoftë edhe disa kilometra larg qendrës së Tiranës, duke pranuar oferta respektive arritën të bëhen milionerë duke shumëfishuar kësisoj pasurinë e trashëguar. Por, pronari i shtëpisë për të cilin po flas qe mëse 25 vjet jeton në varfëri dhe nuk shijon gjithë atë pasuri të trashëguar.

Sa herë që shkoj në Tiranë dhe shoh këtë njeri më kujtohet politika e Serbisë gjatë këtij çerekshekulli. Derisa diplomatët serbë shkëlqejnë duke treguar superioritetin e vet diplomatik ndaj kolegëve të tyre kosovarë, Beogradi zyrtar, duke bërë pazar me Prishtinën e Brukselin, po e humb kohën e tij të çmuar. Kësisoj po e ngadalëson integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Mos lëshimi pe rreth statusit të Kosovës gjatë këtyre 17 viteve ka pasur deri diku efektin që Beogradi e ka synuar. Pavarësia e Kosovës është shpallur tek tetë vite pas ndryshimeve demokratike në Serbi, ndërsa falë përkushtimit diplomatik enorm të Beogradit, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur akoma edhe 80 kombe të botës.

Përvoja e deritanishme ka treguar se një politikë e tillë e Beogradit ka pasur sukses në ngadalësimin e këtij procesi, por jo edhe në ndalimin e tij. Mbi të gjitha, numri i kombeve që po e njohin pavarësinë e Kosovës po shtohet me kalimin e kohës, ndërsa institucionet e Kosovës, përkundër shumë dobësive, me kalimin e kohës po forcohen.

Arsyetimi se me këtë politikë Serbia ka mundësuar mbetjen e serbëve në Kosovë nuk qëndron aspak. Numri më i madh i serbëve është kthyer në Kosovë, pikërisht atëherë kur përfaqësuesit e tyre janë inkuadruar në institucionet e Kosovës. I vetmi argument i qëndrueshëm është fakti se për çdo shtet është e dhimbshme ta pranojë humbjen e një territori. Por, Serbia duhet ta kuptojë se zgjerimi i saj, në fillim të shekullit XX prej Gjerdapit deri në Adriatik dhe prej Vardarit deri në Trigllav, nuk ka qenë vetëm rezultat i mençurisë dhe sakrificës së serbëve, por edhe rezultat i të ashtuquajturit fat historik.

Rrjedhimisht, humbja e shumë territoreve në fund të shekullit XX (Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi) nuk është vetëm rezultat i budallallëkut të politikanëve serbë, por edhe i të ashtuquajturës fatkeqësi historike. Çdo fatkeqësi dhemb, por më lehtë kalojnë ata që kanë aftësi ta pranojnë fatkeqësinë se ata që nuk e kanë këtë aftësi.

Që nga lufta e vitit 1999 Kosova është territor i humbur për Serbinë, por shtetet moderne në shekullin XXI nuk varen vetëm nga territoret, por edhe nga tregjet që kontrollojnë. Pjesën më të madhe të tregut kosovar akoma e dominojnë produktet e Serbisë. Rezultat i asaj që Beogradi po e mposht Prishtinën në dialog është që partia e Albin Kurtit po forcohet. Nëse Albin Kurti vjen në pushtet, Kosova do të jetë treg i humbur për Serbinë, derisa Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës. Dhe nëse e humbë një treg është shumë e vështirë ta rifitosh atë.

Në interes të Serbisë është që sa ma parë ta “kthejë pllakën”. Kjo do të thotë që ajo t’i kthehet Perëndimit pa bërë pazare me të. Nëse Washingtoni e Brukseli kërkojnë që Beogradi ta bëjë një hap në një drejtim, Beogradi të bëjë dy hapa dhe jo gjysmë hapi para e gjysmë hapi prapa. Kjo do të mundësonte përparim të shpejtë jo vetëm të Serbisë, por të mbarë Ballkanit Perëndimor.

Nëse Serbia edhe më tutje vazhdon me qasjen e saj të vjetër të bërjes pazar me Perëndimin duke kërkuar më shumë se Plani i Ahtisaarit për veriun e Kosovës, ajo ndoshta, edhe mund ta arrijë këtë. Për më tepër, Serbia mundet që madje deri në çastin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian të mos e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo nënkupton t’ua nxijë jetën qytetarëve të Kosovës, dhe ta shëmtojë shtetin e Kosovës ashtu siç tashmë e ka bërë Bosnjën e Hercegovinën, por shtohet pyetja, përse? Ku shpien kjo? A nuk është më e rrugës për Serbinë të jetë promotor jo vetëm i zhvillimit të vet, por edhe i mbarë regjionit? Serbia do të mund të ishte e tillë për shkak të resurseve të saja natyrore e njerëzore, pozicionit të saj gjeopolitik dhe traditës shtetërore.

Pos kësaj, nëse Beogradi arrin të nxjerr për veriun e Kosovës një status përtej planit të Ahtisaarit, atëherë herëdo-kurdo do ta paguajë edhe vet çmimin për këtë. Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Novi Pazarait, Vojvodina apo pjesë të sajë do të mund të kërkonin të njëjtin status si veriu i Kosovës apo edhe do të mund të cyteshin nga Perëndimi për ta fituar atë.

(Ky artikull është botuar në ditoren “Politika” të Beogradit)