LAJMI I FUNDIT:

Klasa politike shqiptare nuk do t’ia dijë për emigrantët

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri po afrojnë. Duhen rreth gjashtë muaj, e megjithatë shqiptarët thuajse çdo ditë të tyren e kalojnë si në fushatë. Kjo vjen për faktin se duke qenë se jemi një vend me demokraci të brishtë, me një regjim, thuajse autokratik, çdo ditë akterët e politikës sonë mendojnë se si të fitojnë luftën për pushtet, e jo ta kuptojnë ardhjen në pushtet si rrjedhë e zhvillimit të vendit: rritjes së mirëqenies ekonomike dhe sociale, rritjes së cilësisë në arsim, zhvillimit të pasurive nën e mbitokësore etj.

“Çdo popull meriton qeverisjen që ka”. Ndaj, nëse duam të ardhmen e Shqipërisë, ajo kalon nëpërmes nivelit të popullit. Sa më tepër intelektualë të mirëfilltë të ketë një popull, aq më shtet të së drejtës do të ketë. Gjithsesi, kjo nuk është temë e diskutimit tim të sotëm me ju, pavarësisht se më shërbeu si hyrje.


Sa më shumë afron dita e zgjedhjeve parlamentare (të përgjithshme), që mbahen më 23 qershor 2013, aq më tepër ndizet atmosfera politike në Shqipëri. Mes shumë e shumë ngjarjesh e zhvillimesh të tjera, sidomos dy liderët e dy partive të vjetra në vend, PS dhe PD, përkatësisht Edi Rama dhe Sali Berisha, do të kërkojnë me ngulm dhe me zë të çirrur votat e emigrantëve. Madje, nuk do të ngurrojnë, ashtu siç kanë bërë edhe në zgjedhjet e mëparshme, që të paguajnë udhëtimet kolektive apo edhe individuale të emigrantëve për të mbërritur në Shqipëri për t’iu marrë votën.

Kjo është njëra anë e medaljes, pasi tjetra, urojmë të mos ndodhë më, në mungesë të emigrantëve votojnë militantët e partive, sigurisht nën direktivat e qarta të krerëve të tyre, për të shtuar numrin e votave (në përgjithësi, partia/të që janë në pushtet, duke qenë kontrolluese të organizimit të zgjedhjeve, janë më të afta për të “manipuluar”, thuhet në një gjuhë pak më të pranuar, por e barasvlefshme me fjalën “vjedhur”, pra janë më të “lirë” për të vjedhur ca vota më shumë apo krejtësisht zgjedhjet).

Po problemi nuk qëndron aq te politika, sesa te gatishmëria e disa emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Këta nuk duhet të veprojnë më si vegla qorre të politikës shqiptare, pasi kjo e fundit nuk është në gjendje të bëjë asnjë ndryshim të jetës së tyre. Emigrantët, një pjesë e vogël, vijnë të votojnë në Shqipëri, por askush nuk e çon nëpër mend kthimin në atdhe. Kjo, pasi askush nuk pëlqen të “mbys” veten me duart e tija. Sepse vendi amë, Shqipëria, nuk sjell kurrgjë të mirë në jetën e tyre. Ndaj, për të ndryshuar pikërisht jetën e tyre, por edhe të vëllezërve e motrave që kanë në vendlindje, emigrantët duhet të jenë në unision me njëri-tjetrit dhe të kërkojnë të drejtat e mëposhtme, të cilat pasi të plotësohen, atëherë ato duhet të shkojnë në votime, të bindur për votën e tyre, në shërbim të vetes dhe familjes:

Së pari, qeveria shqiptare duhet të mundësojë organizimin e zgjedhjeve, aty ku ka me mijëra emigrantë shqiptarë, duke filluar nga Greqia, Italia, në shumicën e vendeve të Evropës Qendrore e Perëndimore dhe deri në ShBA e Kanada. Zgjedhjet në këto vende do të mundësojnë vendimmarrjen e shqiptarëve në atdheun e tyre përmes votës, e cila është dhe duhet të jetë e shenjtë, si rregullatore dhe mbrojtëse e jetës së secilit syresh. Zgjedhjet mund të organizohen në ambasadat shqiptare të këtyre vendeve; por kur ka numër të madh të shqiptarëve në disa qytete, duhet të ngrihen qëndra votimi.

Së dyti, në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç edhe e kanë fqinjët tanë, Kroacia dhe Maqedonia, duhet të ketë një pjesëmarrje të mërgatës shqiptare. Pra, emigrantët të votojnë edhe për deputetët e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Numri i deputetëve të diasporës mund të caktohet, ta zëmë rreth 10 deputetë do të nxjerrin mërgata shqiptare. Ky numër, sipas mendimit tim, është fillimisht i pranueshëm për diasporën shqiptare, si përfaqësi e tyre në parlamentin shqiptar.

Së treti, qeveria shqiptare duhet të krijojë Ministrinë e Diasporës, mu si pjesa tjetër e shqiptarëve, ajo që jeton në Kosovë. Ky shtet shqiptar (Kosova) ua krijon këtë mundësi emigrantëve të tyre, duke zgjidhur jo pak halle e probleme, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk është aspak normale që Shqipëria, një vend i cili ka më shumë popullsi jashtë sesa brenda kufijve të saj, të mos ketë një ministri e cila përfaqëson atë pjesë të popullatës e cila jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Pra, kush e përfaqëson mërgatën shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë? Kush është ai, ajo apo ata, të cilët flasin për të drejtat, problemet dhe shqetësimet e diasporës shqiptare? Kush po i mbron të drejtat e emigrantëve shqiptarë në vendet ku këta jetojnë? Askushi, askushi dhe askushi. Ndaj, kjo është një nevojë urgjente që shqiptarët e diasporës të përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë me deputetët e zgjedhur nga ata, por edhe në kabinetin ministror nga ministria e linjës, Ministria e Diasporës.

Së katërti, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), ajo që mendohet se përfaqëson deridiku edhe zërin e emigrantëve shqiptarë, e them me dhimbje, se po politizohet skajshëm. Kam folur drejtpërsëdrejti me z. Sali Berisha, kryeministër i vendit, në fillimet e qeverisjes së tij, por situata kurrsesi nuk ka qenë si sot. E kam njoftuar madje edhe herë pas here për situatën tejet të rëndë, duke i paraqitur edhe disa raste, me fakte dhe prova të qarta, por në Tiranë asgjë nuk lëviz në shërbim të së mirës, së rregullit dhe të një diplomacie të qartë dhe dinjitoze.

Diplomacia është paraqitja e vendit tonë përballë të huajve. As kryeministri, as çdo shtetas e as ministër në Shqipëri, nuk mund të tregojë vlerat e Shqipërisë sikurse ambasadorët dhe të akrediturit e ambasadave shqiptare nëpër botë. Se ç’lidhje kanë Luiz Ejlli dhe tipa të këtij lloji me diplomacinë shqiptare, veç Zoti në qiell mund ta dijë. Kjo është më e pakta, pasi ndërrimi i shpeshtë i stafeve nuk është aspak pozitiv, e sidomos kur ndërrohet një punonjës/e, që ka kontribute të çmuara dhe zëvendësohet me ndonjë militant/e partie. Kjo është e papranueshme, absurde dhe mjerane.

Problemi tjetër, që po na shqetëson ne si mërgatë shqiptare, është reduktimi i stafeve dhe pakësimi i financave në shërbim të diplomacisë shqiptare. Nëse vazhdohet me këto ritme, jo vetëm që mërgata do të ndihet e paplotësuar në nevojat e saj, por çdo qeveri shqiptare, kushdoqoftë ajo, duhet të harrojë votat e shqiptarëve të emigracionit, për aq kohë sa nuk përmbushen detyrimet ndaj saj.

Së pesti, ambasadave përveçse t’iu shtohen fondet dhe stafet t’i zgjerohen, ato duhet të jenë “urë lidhëse” e shqiptarëve në shtetin ku ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ambasadat duhet të regjistrojnë çdo aktivitet me karakter kulturor, edukativ, shkencorë etj. të realizuar nga mërgata shqiptare. Këto kontribute të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me sakrifica njerëzore dhe financiare, në shërbim të evidentimit dhe ngritjes së vlerave tona kombëtare duhet të merren parasysh, ose së paku të arkivohen edhe në ambasadat përkatëse, si një “dosje” e madhe e aktiviteve shqiptare në migracion. Një gjë e tillë nuk kërkon aq mend, sesa vullnet për ta realizuar.

Së gjashti, asgjë, asgjë dhe asgjë nuk është bërë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Arsimit dhe e Financave të venë këmbët nga kanë thembrat kur të vijnë në mesin e emigrantëve shqiptarë. Fëmijët tanë nuk mundet ta përvetësojnë si dhe sa duhet gjuhën shqipe vetëm me aq sa bëjmë ne si prind në familjet tona, apo përmes disa kurse të vogla që i realizojmë me anë të shoqatave tona, krejt të pavarura dhe të pa subvencionura nga shteti shqiptar. Ambasadat duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim, duke ngritur shkolla për shqiptarët, së paku aty ku ka me mbi 10 mijë veta. Me këtë mënyrë pune dhe papërgjegjshmëri të theksuar duket sikur ju (qeveria, ministritë e linjës dhe ambasadat) jo vetëm që jeni antikombëtar, por mbi të gjitha armiq të Shqipërisë. Përderisa nuk po bëni asgjë për fëmijët tanë, që të mësojnë gjuhën shqipe, kjo tregon se ju ose nuk doni, se jeni armiq të shqiptarëve, ose nuk mundeni të bëni asgjë në këtë drejtim, e kësisoj jeni të paaftë, ndaj duhet të jepni dorëheqjen nga postet që mbani, pasi po merrni në qafë breza të tërë fëmijë emigrantësh.

Dijeni mirë se “gjuha ruhet, atje ku flitet e shkruhet”. Gjuha është një ndër elementët më thelbësorë të ruatjes së shqiptarizmës kudo ku ka këmbë gjenetike shqiptare. Në rast të kundërt, djemtë dhe vajzat tanë, ashtu si ka ndodhur rëndom në mjaft raste, do të konkurojnë me dinjitet dhe rezultate të larta për shtete dhe kombe të tjera. Kjo do të vijojë edhe në të ardhmen, jo aq për fajin e tyre, apo tonin si prindër, sesa për fodullëkun dhe papërgjegjshmërinë tuaj, deri armiqësore, ndaj gjuhës dhe vlerave shqiptare në mërgim.

Së shtati, sa i përket pajisjes me pasaportë shqiptare të të gjithë shqiptarëve anembanë botës, është një vendim i drejtë, por jo në kohën e duhur. Kjo duhet të ishte bërë më herët, përpara se të vendosej nënshtetësia shqiptare për ato që investonin mbi 100.000 euro në Shqipëri.

Si përfundim, shpreh bindjen se emigrantët shqiptarë duhet të jenë më të unifikuar me njëri-tjetrin, e nuk duhet të bëhen vegla qorre të politikës shqiptare, pasi kësisoj nuk i shërbejnë as vetes, as familjes së tyre, as fëmijëve që po rriten çdo ditë në tokën e huaj, e askujt. Emigrantët duhet të vetëndërgjegjësohen se politika shqiptare po i përdor, sa herë që ka nevojë, për interesat e tyre, ndaj duhet t’i thonë “stop” marrjes së personalitetit të tyre nëpër këmbë nga një politikë, e cila kërkon vetëm votat nga ata (emigrantët). Mërgata shqiptare duhet të luftojë në plotësimin e pikave të sipërpërmendura nga qeveria shqiptare. Pasi të plotësohen ato, atëherë të gjithë duhet të marrim pjesë në vendimmarrje, dhe të gjithë duhet të votojmë, si një detyrim kombëtar.

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori