LAJMI I FUNDIT:

Kjo nuk është e drejtë – reagime të shumta pas shtyrjes së datës së diskutimit për liberalizimin e vizave

Kjo nuk është e drejtë – reagime të shumta pas shtyrjes së datës së diskutimit për liberalizimin e vizave

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, është hequr nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ndërkaq diskutimi për këtë do të mbahet më 30 nëntor.

Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në Kosovë për çështjen e targave.


E pas lajmit për shtyrje, sot ka pasur reagime të shumta në Kosovë, duke e quajtur si padrejtësi ndaj Kosovës.

Rasti i tillë nuk ka ndodhur me asnjë vend që çështja e liberalizimit të vizave të lidhet me çështje direkt politike.

Për më tepër deri tani, BE-ja asnjëherë nuk ka pranuar të ndërlidh se vonesat në liberalizimin e vizave për Kosovën ndërlidhen me çështje politike.

E për këtë ka reaguar Bekim Shehu, gazetar.

“BE e ndërlidhë vendimin për heqjen e vizave me zhvillimet politike ne Kosove! E padëgjuar zyrtarisht deri tash.  Presidenca Çeke: ‘për shkak te zhvillimeve politike në veri të Kosovës, nuk është ideale ta kemi sot këtë pike ne agjende ne takimin e ambasadoreve ‘Coreper’”!

Kjo nuk është e drejtë!”, shkruan ai.

Për këtë ka reaguar edhe juristi Ehat Miftaraj.

“Për shkak të situatës në veri, hiqet nga rendi i ditës vendimi për liberalizimin e vizave (Radio Evropa e Lire).

Duket se në këtë vendim ka pasur ndikim edhe kërcënimi që një ditë më herët Kosovës ia dha Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, pasi Kosovën e fajësoi për refuzim të propozimit për zgjidhjen e krizës rreth targave të veturave. Borrell pati thënë se ai do të njoftojë për sjelljen e palëve ministrat e vendeve anëtare, dhe kjo çon sinjal negativ politike, e vlen posaçërisht për Kosovën.

Është hera e parë që në procesin e vendimit për liberalizimin e vizave, në çfarëdo mënyre vendimet apo agjende, lidhen me dialogun dhe situatën në veri të Kosovës. Deri më tash në BE, gjithmonë kanë insistuar se procesi i dialogut dhe ai i liberalizimit të vizave janë dy procese të ndara nga njëri-tjetri.  (Koha Ditore).

Tallava diplomacia sjell tallava rezultate”, shkruan ai.