Një 27-vjeçar ka humbur jetën në orët e para të së hënës në qytetin e Lipjanit, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për shkak të përfshirjes së tyre në rastin e vdekjes së të ndjerit, Agon Zejnullahu.

Albani vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu – i cili vdiq pas arrestimit në Lipjan, është deklaruar sërish për rastin tragjik të vëllait të tij tashmë të ndjerë, transmeton Telegrafi.


"Kishte shenja të mëdha të dhunës, thuajse është rrahur për disa orë, edhe pse ndoshta ishin pak minuta, por kishte mavijosje në gjithë trupin, qarje të vetullës, kishte edhe shfaqje të mishit në ballë. Edhe pse nuk kemi pranuar asnjë raport nga askush pa marrë parasysh rrethanat, nuk e di se si në një shtet demokratike lejohet që një person të dhunohet ashtu", u shpreh ai për Klan Kosova.

I pyetur se a ka qenë Agoni nën ndikimin e alkoolit, ai tha se nuk kanë asnjë raport.

Ai po ashtu tha se kanë edhe disa pamje të reja që do të publikojnë sot.

Gjithashtu, ai tha se cili ligj e lejon dhunën nëse ai ka qenë i dehur.

Reagimi i IPK:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të pesë zyrtarëve policorë, pas një incidenti që ndodhi sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku një qytetar humbi jetën.

Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore lidhur me vdekjen e qytetarit dhe reagimin e zyrtarëve policorë në vendngjarje.

Si pjesë e hetimit janë përfshirë intervistimet e dëshmitarëve okularë dhe mbledhja e provave materiale, përfshirë incizimet nga kamerat e sigurisë dhe nga telefonat mobil.

Sipas IPK-së, të gjitha pamjet video do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të detajuara për të ndriçuar rrethanat e incidentit dhe për të vlerësuar nëse reagimi policor ka qenë në përputhje me procedurat dhe standardet profesionale. /Telegrafi/