Kryetari i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti tha se ky takim ishte konstruktiv dhe se do të japin kontributin e tyre për formimin e qeverisë së re. 

Takimi i Kurtit me Kinollit ndodhi në vazhdën e takimeve të shumta që kreu i LVV i ka zhvilluar këto dy ditë me partitë e komuniteteve jo shumicë në vend, raporton KosovaPress.


“Kemi pasur një takim konstruktiv me Kurtin për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Ne si subjekt politik rom, si Partia e Rome e Bashkuar e Kosovës, tradicionalisht jemi munduar që të jemi sa më konstruktivë dhe kreativë, dhe të japim kontributin tonë për formimin e qeverisë së re, për të cilën qytetarët e Kosovës kanë mjaft nevojë për shkak se ky proces u stërzgjat. Mendoj që tash jemi rreth një përfundimi të mirë”, theksoi ai.

Kinolli si deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës tha se nuk kanë asnjë vijë të kuqe për ndonjë subjekt politik.

Ai shtoi se kanë kërkuar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që si komunitet të trajtohen barabartë, shkruan KosovaPress.

“Nuk kemi vija të kuqe për asnjë subjekt politik dhe duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe duke pas parasysh që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve, kemi pas një takim mjaftë konstruktiv dhe të hapur.

Kështu që ne kemi parashtruar kërkesat tona dhe njëra prej tyre kryesore ka qenë që meqë ne jemi të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës me një deputet që të jemi të barabartë dhe të trajtohemi në mënyrë të denjë me të gjitha subjektet politike që janë me një vijë me ne... Po presim 15 prillin, besojmë që kryeministri Kurti do t’i ketë numrat e nevojshëm dhe në këtë kontekst edhe ne do të japim maksimumin për formimin e qeverisë dhe shpresoj që të jemi pjesë”, u shpreh ai.

Kinolli i pyetur nëse do të votojnë një qeveri të formuar nga partitë opozitare, tha se për këtë çështje do të flasin pas 15 prillit kur edhe do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar po ashtu rreth takimit të Kurtit me Kinollin.

“Në një bashkëbisedim konstruktiv, kryeministri Kurti dhe kryetari Kinolli diskutuan për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe thirrjes së seancës konstituive nga Presidentja e vendit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se të dy theksuan rëndësinë e formimit të qeverisë me kohë dhe pa vonesa, dhe gatishmërinë për bashkëpunim.

“Gjatë bisedës, kryeministri veçoi promovimin dhe fasilitimin e punësimit përmes Agjencisë së Punësimit, bursat e studimit për nxënësit dhe studentët rom dhe qendrat mësimore, si dhe mbështetjen në projektet për kulturë dhe rini, si rezultate të drejtpërdrejta dhe dëshmi e përkushtimit të qeverisë për mirëqenie dhe zhvillim të gjithmbarshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet pa dallim”, thuhet në komunikatë.