LAJMI I FUNDIT:

Kinematografia si mjet propagande: Oficerët serbë, konsulentë në “dokumentarin” për luftën në Kosovë

Kinematografia si mjet propagande: Oficerët serbë, konsulentë në “dokumentarin” për luftën në Kosovë

Oficerët ushtarakë serbë, që i kanë mohuar akuzat për krime lufte në Kosovë, do të shërbejnë si konsulentë në një dokumentar për dy beteja nga konflikti i vitit 1999, i realizuar nga televizioni publik serb.

Gjenerali në pension i Ushtrisë jugosllave, Dragan Zhivanoviq, dhe koloneli Dushko Slivançanin, të cilët janë akuzuar po e kanë mohuar të kenë qenë përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, do të shërbejnë si konsulentë jozyrtarë për dokumentarin me tre pjesë, u lajmërua të enjten


Dokumentari mbi betejat në Koshare dhe Pashtrik në vitin 1999 po prodhohet nga Ministria serbe e Mbrojtjes dhe televizioni publik RTS.

“Oficerët po merren në pyetje për filmin, por në një farë mënyre ata janë gjithashtu konsulentë ekspertë,” tha regjisorja e dokumentarit, gazetarja e RTS-it, Sllagjana Zariq, në një konferencë shtypi në Beograd.

Zhivanoviq dhe Slivançanin, të cilët morën pjesë në një konferencë për shtyp, lavdëruan trupat e Ushtrisë Jugosllave për mënyrën se si luftuan.

Në vitin 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare ngriti një padi penale kundër Slivançaninit, ish-komandant i Batalionit Kufitar të 53-të, duke e akuzuar atë për përgjegjësinë për vrasjen e 21 civilëve shqiptarë në fshatrat Goden dhe Zulfaj më 25 mars 1999.

Ministri i Mbrojtjesm Aleksandar Vulin, pohoi se filmi do të tregojë “të vërtetën shkencore në lidhje me betejat në Koshare dhe Pashtrik”.

I pyetur për koston e dokumentarit, regjisorja Zariq tha se realizimi do të bëhet me ndihmën e forcave të armatosura serbe, ndërkohë që intervistat nuk kushtojnë asgjë.

Dokumentari prej tre pjesësh do të shfaqet për herë të parë me rastin e-20 vjetorit të betejës në Koshare, më 9 prill 2019. /BIRN/