LAJMI I FUNDIT:

Kina po e zhbënë Tibetin

Kina po e zhbënë Tibetin
Kina po akuzohet për asimilimin e dhunshëm të një milion fëmijëve tibetianë (foto: Héctor Retamal/AFP/Getty Images)

Nga: Simon Tisdall / The Guardian (titulli origjinal: China wants to erase Tibet. Will Britain stay quiet about this crime?)
Përkthimi: Telegrafi.com

Sanksionimi i javës së kaluar nga ShBA-ja, i zyrtarëve kinezë të përfshirë në përpjekjet e vazhdueshme kriminale të Pekinit për të fshirë Tibetin si entitet i veçantë politik, etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar, e shfaq Amerikën në aspektin më të mirë.


Pak qeveri të tjera bënë zhurmë për këtë. Shumica kanë frikë dhe shikojnë nga ana tjetër.

Duke cituar një raport të fundit të OKB-së mbi “asimilimin e detyruar” të një milion fëmijëve tibetianëve që urdhërohen të shkojnë në shkollat konviktore në gjuhën mandarine – larg shtëpive dhe familjeve të tyre – sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, kërkoi nga Kina që t’i ndalojë përpjekjet për të zhdukur identitetin e veçantë të Tibetit.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të RPK-së [Republikës Popullore të Kinës] që t’ia japin fundin detyrimit të fëmijëve tibetianë që të shkojnë në shkollat konviktore të drejtuara nga qeveria, dhe të ndalojnë politikat represive të asimilimit në Tibet dhe në pjesët e tjera të RPK-së”, tha Blinkeni – me sa duket duke iu referuar Ksinjangut, Mongolisë së Brendshme dhe Hong-Kongut ku gjithashtu mohohen të drejta për vetëvendosje.

Fakti që diplomati i lartë i Amerikës ishte i gatshëm të mbante qëndrim publik dhe parimor, kjo do të zemërojë dhe turbullojë Pekinin që Tibetin e ka pushtuar nga viti 1950. Presidenti Si Xhinping dhe njerëzit e tij të pashpirt komunistë, nuk veprojnë sipas parimeve. Për ta, altruizmi në politikën e jashtme është koncept i panjohur.

Administrata Biden po përpiqet të rregullojë marrëdhëniet e vështira me Kinën. Pra, është edhe më mbresëlënës fakti se ia ndien dhe flet hapur për abuzimet sistematike të të drejtave demokratike dhe të njeriut nga ana e Pekinit, pavarësisht nga pasojat e mundshme negative.

Është dyfish më mirë kur kjo vjen pas javës kur një tufë e qeverive të rangut të mesëm, të sfiduara nga pikëpamja etike dhe kryesisht jodemokratike, iu përulën Xhinpingut në samitin e BRICS-it në Afrikën e Jugut. Duket se mendojnë se Kina do të ndërtojë një botë më të hapët dhe më të drejtë. A janë këta udhëheqës naivë, të korruptuar apo thjesht budallenj?

James Cleverly, ministër i Jashtëm i një fuqie tjetër të mesme, ka thënë se ai gjithashtu do të paraqesë shqetësimet e veta për të drejtat e njeriut, kur Pekinin do ta vizitojë këtë javë. Këtë gjithmonë e thonë ministrat britanikë. Pastaj, asgjë nuk ndryshon. Pse po shkon ai në Kinë? Me sa duket, për të ruajtur dialogun (thuajse po ekziston). Pretendon se Mbretëria e Bashkuar ka “mjete” dhe mund të ushtrojë ndikim.

Është iluzion. Behemoti i partisë kineze, spiunimi, ngacmimi dhe hakimi, rrahja e protestuesve në Mançester, djegia e deklaratës së përbashkët të Hong-Kongut, mbështetja e neofashistit Vladimir Putin, rrethimi i Tajvanit demokratik dhe komploti për një “rend të ri botëror” autoritar, thjesht nuk dëgjon, veçanërisht tashti kur Evropa dhe Britania nuk flasin me një zë.

Xhinpingut nuk ia ndien fare për politikën e Mbretërisë së Bashkuar për Kinën. Por, ShBA-ja është një çështje tjetër. Ndoshta demarshi i Blinkenit do t’ia japë atij një pauzë. Tibeti për shumë njerëz është një tjetër pikë e rrezikshme ndezjeje. Dhe, ajo që po ndodh atje është krim i madh kundër njerëzimit.

Abuzimet masive me fëmijët tibetianë – është e vështirë të imagjinohet trauma që do të pësojnë – është pjesë e një skeme të qëllimshme për ta ndryshuar demografinë e Tibetit, për ta rrënjosur dominimin e shumicës së popullit dhe të kulturës kineze han dhe për të shtypur praktikën, gjuhën dhe median fetare budiste tibetiane.

Gyal Lo, sociolog tibetian i arsimit, i tha grupit që po bën presion për Tibetin e Lirë: “Qeveria kineze po shkatërron familjet dhe po i detyron këta fëmijë të ndjeshëm të bëhen të huaj për kulturën e tyre tibetiane”.

Një hetim i dytë i OKB-së, këtë vit raportoi se qindra-mijëra tibetianë janë larguar nga shtëpitë dhe vendet e veta të punës në zonat rurale, dhe janë caktuar për “trajnim profesional” për aftësi të ulëta dhe për punësim me pagë të ulët, duke minuar kështu identitetin dhe komunitetet tradicionale.

Organizatorët e fushatës ofrojnë dëshmi për veprime të shumta, duke përfshirë ndalimin arbitrar, torturën, krimet seksuale, zhdukjet dhe dënimin e ashpër për mospajtim. Në njëfarë aspekti, Tibeti është në mbyllje të përhershme. Pasaportat për t’u larguar janë praktikisht të paarritshme. Mediave të huaja u ndalohet hyrja. Kina dëshiron që ajo të harrohet.

Manifestimet, marshimet dhe protestat ende zhvillohen, pavarësisht nga policia e ashpër paraushtarake dhe mbikëqyrja e kudondodhur, dhe zakonisht ato janë paqësore, thonë nga Tibeti i Lirë. “Megjithatë, autoritetet kineze po bëhen gjithnjë e më jotolerante … Shumë [protesta] janë përballur me reagime të dhunshme”. Në vitin 2022, të paktën tre tibetianë u vetëdogjën.

Komisioni Amerikan për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, paralajmëron gjithashtu se “është intensifikuar kontrolli dhe shtypja e budizmit tibetian nga qeveria kineze, me autoritetet që kufizojnë qasjen e tibetianëve në vendet fetare, ndalojnë tubimet fetare dhe shkatërrojnë vendet dhe simbolet. Murgjit dhe murgeshat janë nënshtruar ndaj torturave në burg dhe tibetianët janë ndaluar për aktivitetet fetare që nderojnë Dalai Lamën [udhëheqësin shpirtëror të mërguar të Tibetit] ose që posedojnë portretet e tij”, tha komisioni.

Human Rights Watch thotë se qeveria po kryen gjithashtu grumbullime masive të ADN-së, për të mbikëqyrur njerëzit edhe më shumë.

Kjo fatkeqësi shpejt mund të marrë një kthesë edhe më të errët – mbi trashëgiminë e diskutueshme të Dalai Lamës 88-vjeçar, fytyrës së Tibetit të Lirë në botë, fituesit të çmimit Nobel për Paqen. Një fëmijë mashkull pa emër, lama i tretë dhe kreu i besimit të Mongolisë, thuhet se po merren parasysh. Por, Pekini zotohet të imponojë kandidatin e vet.

Se Kina po përpiqet të fshijë kujtimet kolektive dhe ta lë Tibetin e vjetër në harresë, kjo nuk mohohet seriozisht (përveç makinerive të gënjeshtrës së Pekinit). Kina argumenton se veprimet e saj janë të mira, se ka investuar shumë. Por, kjo është nxitur nga uria e saj për burimet natyrore. Si kudo tjetër, obsesioni Xhinpingut për kontrollin, uniformitetin dhe konformitetin i tejkalon që të gjithat.

Duke e injoruar shkeljen e përditshme të Kinës ndaj dinjitetit bazik njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar, qeveritë në mbarë botën janë bashkëpunëtore në fshirjen e heshtur të Tibetit. Askush nuk i njeh të drejtat sovrane të popullit tibetian ose qeverinë tibetiane në mërgim.

Pra, këtu është një sfidë, për ministrin Cleverly në Pekin. Kinezët, si zakonisht, do të kenë pak ose aspak vëmendje për pikëpamjet e Britanisë për Rusinë, për tregtinë e ndershme, sigurinë dhe pjesën tjetër. Pra, pse të mos e përdorësh vizitën e pakuptimtë për të dënuar publikisht krimet e Kinës kundër njerëzimit, në Tibet?

Ata që të presin, do të zemërohen. Me siguri do të vihen në siklet. Por, kush e di? Mund t’ia nisin ta trajtojnë Tibetin dhe Britaninë me pak më shumë respekt. /Telegrafi/