Kina duket e fortë, por jeta këtu tregon një histori tjetër

Nga: Helen Gao, gazetare e pavarur në Pekin / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Në çdo mëngjes të së hënës, himni emocional kombëtar i Kinës kalon nëpër apartamentin tim në Pekin përmes shkollës fillore mëtanë rrugës. Nxënës të rinj në uniformë qëndrojnë në rreshta të rregullt në një shesh lojërash të sapo mbjellë me bar, ndërsa flamuri kinez ngrihet ngadalë në një shtyllë. Rrugët përreth janë të mbushura me vazo me lule, pemë ginkgo dhe pankarta propagandistike që u bëjnë thirrje qytetarëve të duan kombin.
Për pjesën më të madhe të jetës sime, kjo thirrje dukej e tepërt. Ekonomia e Kinës lulëzoi dhe ne ishim krenarë për vendin tonë.
Këtë krenari, shumë prej nesh sot e kemi të vështirë ta shprehim. Pas rregullsisë së jetës së përditshme, vlon një dëshpërim i heshtur. Në rrjetet sociale dhe në bisedat private, ka një refren të zakonshëm: shqetësim për papunësinë, uljen e pagave dhe mbijetesën.
Njerëzit në Kinë sot jetojnë me një paradoks të çuditshëm.
Në arenën ndërkombëtare, Kina duket e fortë. Është rivali i vetëm i Amerikës për nga fuqia për të formësuar botën. Takimi i fundit mes presidentit Trump dhe presidentit Xi Jinping të Kinës, në të cilin udhëheqësit njoftuan një armëpushim në luftën tregtare, ka ushqyer këtë rrëfim - atë që Pekini është shumë i gatshëm ta promovojë - për një komb të qëndrueshëm i bashkuar përballë sfidave të jashtme.
Kjo fasadë e fuqisë çahet këtu në Kinë, ku është përhapur dëshpërimi për perspektivat e zbehta ekonomike dhe personale. Ky kontrast mes një shteti me vetëbesim dhe një populli të lodhur, përmblidhet në një frazë të cilën kinezët e përdorin për të përshkruar vendin e tyre: wai qiang, zhong gan, që përkthehet përafërsisht si “i fortë nga jashtë, i brishtë nga brenda.”
Shumë njerëz tani ndjejnë se vetë politikat shtetërore - që e bëjnë Kinën të duket e fortë jashtë - po i dëmtojnë ata. Ata shohin një qeveri më të interesuar për të ndërtuar ndikim global dhe për të dominuar tregjet e eksportit sesa për të trajtuar sfidat e familjeve të tyre. Një goditje shtetërore ndaj sektorit privat, nisur disa vite më parë, fajësohet gjerësisht për dobësimin e jetesës së shtresës së mesme - edhe pse burimet financiare po kanalizohen në industritë të cilat qeveria i konsideron më strategjike, si automjetet elektrike, energjia diellore dhe ndërtimi i anijeve. Ndërkohë, kontrolli global që Kina ka siguruar mbi furnizimin dhe përpunimin e mineraleve të rralla të tokës ka shkaktuar ndotje të ajrit dhe tokës në vend.
Këto ditë, ka një ndjenjë të hidhur zemërimi midis njerëzve që janë viktima, pa zë, të fiksimit të shtetit për fuqinë botërore dhe për të mposhtur Shtetet e Bashkuara. Kjo ndjenjë ka gjasa të rritet. Plani i fundit pesëvjeçar - plani i qeverisë për prioritetet ekonomike - që u publikua muajin e kaluar, bën të qartë se planifikon të përqendrohet edhe më shumë në përparësinë e fuqisë kombëtare mbi të mirën e përbashkët.
Në prill, teksa u përshkallëzua lufta e tarifave me Shtetet e Bashkuara, një koment i People’s Daily argumentoi se Pekini mund të rezistojë ndaj ngacmimeve amerikane falë avantazheve sistematike - si aftësia e Kinës për të përqendruar burimet dhe për t’i derdhur ato për përmbushjen e qëllimeve kombëtare. Reagimi në internetin kinez ishte i menjëhershëm. Teksa qeveria mburret, një postim viral në rrjetet sociale theksoi betejat e përditshme - si gjetja e një pune, sigurimi i ushqimit dhe shkollimi i fëmijëve - janë “të mbushura me vështirësi”. Fitorja në luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara do të thotë “përgatitje për të sakrifikuar disa njerëz”, shkroi autori. Censorët e bllokuan shpejt postimin dhe të tjerë të ngjashëm.
Vite më parë, njerëzit kinezë do ta kishin duartrokitur komentin e tillë të People’s Daily, për shkak të refleksit të nacionalizmit që qeveria ka ushqyer për dekada me radhë. Ai patriotizëm sot është pothuajse i mbytur nga ata që shprehin pakënaqësitë për problemet që përballojnë.
Papunësia te të rinjtë është aq e lartë saqë vitin e kaluar qeveria ndryshoi metodologjinë e llogaritjes - në një mënyrë që shfaqi një numër më të ulët. Edhe shifra e re mbetet shqetësuese. Vlerësohet se 200 milionë njerëz ia dalin me karriera të pasigurta në një ekonomi të përkohshme. Konsumatorët, shumë prej të cilëve kanë parë që pasuria e tyre neto është zvogëluar në një kolaps të pandreqshëm të tregut të banesave, po pakësojnë shpenzimet duke e kurthuar ekonominë në një spirale deflacioni.
Ndjenja e pasigurisë ekonomike po i shtyn njerëzit të heqin dorë nga martesa dhe krijimi i familjes, duke përkeqësuar rënien e popullsisë në nivel kombëtar. Zhgënjimi popullor po mpreh ndarjen midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë - duke forcuar pakënaqësinë publike ndaj atyre që perceptohen si përfitues nga lidhjet ekonomike ose politike, ndërkohë që shumica përballen me perspektiva që po zbehen. Dhe, mendohet se problemet e shëndetit mendor janë në rritje, siç dëshmohet nga një valë sulmesh të pakontrolluara me thikë dhe sulme të tjera të dhunshme gjatë dy viteve të fundit.
Duket qartë se Pekini nuk mund të mbështetet më në patriotizmin automatik për të përkrahur qëndrimin e tij gjithnjë e më këmbëngulës jashtë vendit. Në shtator, kur Partia Komuniste Kineze organizoi një paradë luksoze ushtarake për të përkujtuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shumë njerëz pyetën me zë të lartë se pse ato para nuk u shpenzuan për të trajtuar vështirësitë e njerëzve të zakonshëm.
Kohët e fundit qeveria ka filluar të godasë përmbajtjen në rrjetet sociale të cilën ajo e konsideron si “tepër pesimiste” - një shenjë e qartë se është e shqetësuar se kjo pakënaqësi publike mund të minojë axhendën e saj. Por, shtypja e kritikave, në vend të trajtimit të shkaqeve, vetëm sa do të thellojë shkëputjen me popullin dhe do të tendosë aktin e ekuilibrit të cilin shteti është përpjekur të ruajë midis përparësive të politikës së jashtme dhe mbështetjes së brendshme që dëshiron.
Kina ka lulëzuar prej kohësh nën një kontratë të pashkruar shoqërore: Partia Komuniste u dha njerëzve më shumë liri - në këmbim të bindjes politike - për të përmirësuar jetesën e tyre. Për shumë kinezë, qeveria nuk po përmbush më pjesën e saj të marrëveshjes.
Kur z. Xi mori pushtetin në vitin 2012, ai ia dha popullit të Kinës një shpresë me mantrën e tij të përsëritur shpeshherë, “Ëndrra kineze”: një premtim për mirëqenie të përbashkët përmes fuqisë kombëtare. Në vitet e fundit, kjo frazë ka qenë më pak e pranishme në mesazhet e qeverisë.
Shteti mund të thotë se kjo është kështu sepse shumë gjëra nga vizioni i tij janë bërë realitet. Më e mundshme është që Partia Komuniste e kupton se retorika e tillë tani tingëllon bosh për një popull që po sheh ëndrrat e veta të zbehen. /Telegrafi/







































