Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka shkarkuar zëvendëskryeministrin përgjegjës për inxhinierinë mekanike, Jang Sung Ho, për shkak të problemeve gjatë një projekti modernizimi të fabrikës Ryongsong në veri-lindje të vendit.


Kim e akuzoi zyrtarin se gjatë punimeve shkaktoi “çarje të panevojshme” dhe përmendi se kjo çoi në një “humbje ekonomike jo të vogël”.

Shkarkimi duket se synon disiplinimin e zyrtarëve para kongresit të ardhshëm të Partisë Punëtore, ku pritet të vendosen prioritetet e reja politike dhe ekonomike, raporton skynews.


“Ta them më thjesht dhe në mënyrë figurative, Jang ishte si një dhi e lidhur për të tërhequr një karrocë me lopë. Duhet ta shikojmë këtë si një gabim të rastësishëm në praktikën tonë të emërimeve të kadrove. A mund të presim që një dhi të tërheqë një karrocë të destinuar për një lopë? Nga dita e sotme të shpall të shkarkuar, shoku zëvendëskryeministër”, tha Kim.

Sipas agjencisë shtetërore, Kim e kishte kritikuar Jang edhe vitin e kaluar në një mbledhje partie.

Qortimet publike të tilla janë të rralla, por udhëheqësi verikorean herë pas here përdor këtë formë për të rikthyer disiplinën ose për t’iu kaluar përgjegjësinë zyrtarëve për dështimet ekonomike dhe politikat e dështuara.

Vitet e fundit, Kim Jong-un ka përqendruar përpjekjet e tij për të eliminuar defetizmin, pakujdesinë dhe pasivitetin në sektorët ekonomikë, duke synuar të zgjidhë problemet kronike të ekonomisë, e cila u godit rëndë gjatë pandemisë së COVID-19.

Sipas bankës qendrore të Koresë së Jugut, ekonomia e Koresë së Veriut u rrit me 3.7 për qind në vitin 2024, por analistët paralajmërojnë se rritja e shpejtë do të jetë e vështirë për shkak të centralizimit të ekonomisë, sanksioneve ndërkombëtare dhe fokusit mbi programet e armatimit.

Kongresi i Partisë Punëtore, i pari pas pesë vitesh, pritet të zhvillohet në fund të janarit ose në shkurt, sipas shërbimit inteligjent jugkorean. /Telegrafi/