LAJMI I FUNDIT:

Khamenei përjashton mundësinë e bisedimeve me SHBA-në

Khamenei përjashton mundësinë e bisedimeve me SHBA-në

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se do të vazhdojë me ndalimin e çfarëdo negociate me Shtetet e Bashkuara.

Këto komente ai i bëri në 40 vjetorin e rrethimit të ambasadës së SHBA-së në Teheran.


“Një mënyrë për të bllokuar ndërhyrjen politike të Amerikës është ndalimi i bisedimeve me Amerikën. Do të thotë që Irani nuk do të dorëzohet para presionit të tyre. Ata që i shohin negociatat me SHBA-në si zgjidhje për çdo çështje, janë gabim. Asgjë nuk mund të nxjerrën nga negociatat me ta sepse definitivisht ata nuk bëjnë lëshime”, tha Khamenei.

Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit u tensionuan kur presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, duke rikthyer sanksionet perëndimore ndaj Iranit, raporton REL.

Uashingtoni kishte rivendosur sanksionet ekonomike me qëllim të ndaljes së eksportit të naftës së Iranit.

Më 4 nëntor 1979, studentët iranianë kishin hyrë në ambasadën amerikane në Teheran duke kërkuar dorëzimin e shahut të mbështetur nga SHBA-ja.

Kriza kishte përfunduar pas 444 ditëve me lirimin e 52 amerikanëve që u morën peng. Dy vendet shkëputën marrëdhëniet diplomatike më 1980. /Telegrafi/