Khamenei dhe familja e tij janë fshehur në një bunker në veri të Teheranit, thonë mediat iraniane

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei u zhvendos në një bunker nëntokësor në Lavizan në verilindje të Teheranit disa orë pasi Izraeli filloi sulmet e tij në Teheran të premten herët, i thanë Iran International dy burime të informuara brenda Iranit.
Të gjithë anëtarët e familjes së Khameneit duke përfshirë djalin e tij Mojtaba janë me të, citohet të kenë thënë burimet, përcjell Telegrafi.
Sipas burimeve, gjatë operacioneve të mëparshme kundër Izraelit, në bunker u dërgua edhe familja e liderit suprem.
Në atë kohë pranë tij ishte Mojtaba, por me të nuk ishin dy djemtë e tij, Masudi dhe Mostafa.
Sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit, “Operacioni Premtimi i Vërtetë 1”, u zhvillua më 13 prill 2024 dhe përfshiu mbi 300 raketa dhe drone që synonin instalimet ushtarake.
Sulmi ishte si hakmarrje për vrasjen e dy gjeneralëve iranianë në Damask.
Ndërsa “Operacioni Premtimi i Vërtetë 2” pasoi më 1 tetor 2024, me rreth 200 raketa të drejtuara ndaj objekteve ushtarake izraelite në përgjigje të vrasjes së liderëve militantë të lidhur me Iranin, duke përfshirë ish-shefin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Trump vuri veton ndaj planit izraelit për të vrarë liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei?

Ndërkohë të dielën, Izraeli sulmoi për herë të parë qytetin Mashhad, që ndodhet 2300 kilometra larg shtetit hebre.
Një burim diplomatik në Lindjen e Mesme i tha Iran International se sulmi ajror izraelit në Mashhad ishte një paralajmërim për Udhëheqësin Suprem të Iranit se ai nuk është i sigurt askund në vend. /Telegrafi/



















































