Këto janë tetë skuadrat që siguruan kualifikimin direkt në fazën e 1/16 të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve 2025/26 po dhuron një show të vërtetë. Pas përfundimit të ndeshjeve në fazën e ligës pati befasi, ku disa skuadra të mëdha mbetën jashtë tetë pozitave të para teksa disa të tjera ia dolën të sigurojnë ‘play-off’-in në frymën e fundit.
Ekipet që kanë siguruar kualifikimin direkt nga tetë pozitat e para janë: Arsenal (24 pikë), Bayern Munich (21 pikë), Liverpool (18 pikë), Tottenham (17 pikë), Barcelona (16 pikë), Chelsea (16 pikë), Sporting Lisbona (16 pikë) dhe Man City po ashtu me 16 sosh.
‘Topçinjtë’ ishin skuadra e vetme me ecuri perfekte duke fituar që të gjitha ndeshjet dhe duke grumbulluar kështu 24 pikë.
Pas tyre vijnë bavarezët të cilët po ashtu patën një kampanjë fantastike, duke u mposhtur vetëm nga Arsenali me rezultat 3-1.
Arsenal become the first team to finish the league phase with a 100% record 😤#UCL pic.twitter.com/wcuQqZPEf6
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) January 28, 2026
Liverpooli në anën tjetër pavarësisht formës jo të mirë në kampionat, ata e dëshmuan të kundërtën në Ligën e Kampionëve duke arritur të kualifikohen nga pozita e tretë e tabelës.
Befasi e madhe ishte fakti që Tottenhami ia doli të kualifikohet nga pozitat e para, me të besuarit e Thomas Frank që siguruan pozicionimin lart në tabelë falë triumfit me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Eintracht Frankfurtit.
Barcelona po ashtu që deri para kësaj xhiroje nuk dihej nëse do arrinte të kualifikohej direkt apo do lunate në ‘play-off’, ia doli që të kualifikohet si e pesta pas triumfit me rezultat 4-1 ndaj Kopenhagës.
We made it. pic.twitter.com/DzRG57L9Fq
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 28, 2026
Chelsea në ndërkohë mori një fitore të madhe me rezultat 3-2 në udhëtim ndaj Napolit, duke arritur kështu të sigurojë kualifikimin direkt nga pozita e gjashtë.
Dy pozitat e fundit që siguruan kualifikimin direkt i takuan Sporting Lisbonës dhe Man Cityt respektivisht, me gjigantin portugez që triumfoi me shifrat 3-2 në udhëtim ndaj Athletic Bilbaos, teksa ‘Qytetarët’ morën një fitore komode 2-0 ndaj Galatasarayt.
Pa dyshim, befasia më e madhe e mbrëmjes mbetet fakti që kampioni në fuqi i Evropës, Paris Saint-Germain dhe 15 herë fituesi i Ligës së Kampionëve, Real Madrid, mbetën në ‘play-off’./Telegrafi/



















































