LAJMI I FUNDIT:

Këshillat e bariut për Amerikën

Një fjalë e urtë nga bota e vjetër thotë: Delen që ndahet nga tufa e ha ujku.

Por shumë udhëheqës e komentues politikë në Shtetet e Bashkuara parahedhin se vendi i tyre duhej të braktiste tufën e kombeve që po ndërhyjnë në Libi për të zbatuar Rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kritikat ndaj fushatës cekin, mes tjerash, përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në një tjetër konflikt në botën arabe, barrën financiare ndaj ekonomisë së çalë, veprimet e njëanshme amerikane, mospajtimin ndërkombëtar, mbështetjen për opozitën libiane dhe viktimat ndër civilë.

Ndonëse mund të diskutojmë sesa të fuqishme janë lidhjet arabe mes Magrebit dhe Irakut, se Libia është një tjetër vend arab është e pamohueshme. Mirëpo pala e brengosur duhet të ndajë shapin prej sheqerit. Lufta në Irak qe përvojë e hidhur e jopopullore jo për shkak se u zhvillua në një vend arab, por për shkak të rrethanave para fillimit të konfliktit.

Rikujtimi i ngjarjeve në Irak jep një pasqyrë tjetër nga ajo që po ndodh tani në Libi. Eksperti i Lindjes së Mesme, Juan Cole, përmend në blogun e tij “10 arsye[t] kryesore pse Libia 2011 nuk është Iraku 2003” dhe dallimi më i rëndësishëm qëndron në përpjekjet shumëpalëshe ndërkombëtare dhe sanksionimin nga OKB-ja të ndërhyrjes së sivjetme. Coli gjithashtu na rikujton se fushata në Afrikën Veriore po ndërmerret për t’i dhënë fund një masakre që veç ka nisur, se populli libian tashmë është ngritur kundër Gadafit dhe se bashkë me Lidhjen Arabe ka kërkuar një zonë ndalim-fluturimi. Dhe ç’është më me vlerë për SHBA-të, nisma nuk qe e amerikanëve por se evropianët i futën ata në këtë ecuri, që për dallim nga invadimi tokësor i Irakut po përdor vetëm kapacitetet ajrore.

Shqetësime janë shfaqur edhe për ekonominë. A mund t’i bëjnë ballë taksapaguesit amerikanë harxhimeve të ndërhyrjes në Libi në një kohë vështirësish ekonomike dhe ndërsa po bëhen përpjekje për të shkurtuar shpenzimet qeveritare? Teksa shkakton njëmend shpenzime të rënda, fushata mund të jetë zgjedhja e vetme për të parandaluar koston e mosndërhyrjes. Sabotimi i një përpjekjeje shumëpalëshe të demokracive perëndimore për të mbrojtur popullin libian teorikisht mund të vërë Shtetet e Bashkuara në rrezik më të madh. Civilët libianë do ta kishin me vend të mbanin mëri kundër një perëndimi të hamendur dhe mund t’i ishin qasur rrugës së padrejtë të dhunës kundër popujve tanë dhe të na shkaktonin dëme të rënda ekonomike — pra gjithë perëndimit, jo vetëm SHBA-ve.

Kundërshtarët e tjerë vënë në dukje disa raste të izoluara të mospajtimit ndërkombëtar. Vërtet, kritikat e Rusisë, Kinës e madje edhe Indisë e Brazilit nuk mund të quhen sporadike, por pritshmëria që ato vende të bëhen kampionë të të drejtave të njeriut duket paksa e tepërt. Ndërkaq, dëgjuam edhe kumtesën e Amre Musës, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Arabe, i cili fajësoi ndërhyrjen se kishte kaluar kufijtë e asaj që pritej fillimisht. Organizata e tij, megjithatë, u distancua nga komentet e zotit Musa, ndërsa diplomati egjiptian mund të ketë përdorur fjalët e veta – si shumë kundërshtarë vendës të Kryetarit Barack Obama – si vegël fushate para pjesëmarrjes së pritshme në zgjedhjet presidenciale në vendin e faraonëve.

Më një editorial përplot me premisa të rreme në gazetën britanike Guardian (këto janë tregim në vete), David Gibbs, profesor në Universitetin e Arizonës, mundohet me telendisë ndërhyrjen humanitare në Kosovë, një vepër për të cilën Shtetet e Bashkuara janë njëmend krenare. Duke përdorur më pas versionin e tij të fushatës së Kosovës si analogji, autori paralajmëron perëndimin kundër sulmeve ndaj forcave të Muamer Gadafit dhe mbështetjes për opozitën me seli në Bengazi. Për shkak të goditjeve, thotë publicisti, Gadafi do të ashpërsojë dhunën kundër popullit të vet dhe ka të ngjarë të marrë masa edhe ndaj “qytetarëve amerikanë dhe evropianë”. Argumenti i Gibbsit sugjeron se duhet t’u nënshtrohemi dëshirave të kriminelëve dhe dorasëve të mundshëm me qëllim të parandalimit të së keqes. Sikur autori nuk e kupton se dëmi më i madh është shkelja e të drejtave të njeriut që veç po e bëjnë diktatorët, të cilët ai thotë se nuk duhet bezdisur.

Nëse tutemi se mos po zemërojmë ndonjërën nga palët ndërluftuese, duhet të mendojmë për popullin më fort se për diktatorët. Sulmi ndaj Gadafit nuk i acaron rrethanat; ai do të jetësonte mizorinë ashtu-kështu, por mbase më ngadalë dhe fshehtazi. Por do të mbeteshin gjallë aq libianë që lehtë të mund të kthenin mllefin e tyre në armë kundër nesh.

Demonstratat në Libi filluan gati tre muaj më parë dhe u shkallëzuan në kryengritje të armatosur në mes të shkurtit me dezertimin e ushtarëve e policëve libianë, që nuk pranuan të zbatonin urdhrat e Gadafit për të përdorur forcën kundër protestuesve paqësorë. Në ndërkohë, perëndimi u përpoq të gjente zgjidhje pa dhunë, por duke u përgatitur edhe për mundësinë më të keqe. Kur përpjekjet paqësore nuk dhanë fryt, Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët e tyre kaluan në planin B, zonën e ndalim-fluturimit dhe ndërhyrjen ushtarake për të mbrojtur civilët.

Bota e lirë vendosi njëzëri t’i shkojë në ndihmë libianëve të pambrojtur. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të rrezikojnë pasojat e të qenit ajo dele e vetme që i ndahet tufës. Dhe para se dikush të shkojë aq larg sa të vërë në dyshim kredencialet amerikane në koalicionin për Libinë – për shkak të Irakut ose ndonjë argumenti me defekte të qëndisur vetëm për të denigruar SHBA-të – le t’ia thotë bariu edhe një fjalë të urtë: Delja e keqe nuk e prish kopenë.