0Shares

Te festat e ciklit dimëror përfshihen Kolendrat dhe Buzmi, të cilat bahen me rituale, që janë të një prejardhjeje të lashtë; kryesisht lidhen me fuqinë e diellit, përkatësisht shënojnë solisticin dimëror të diellit, që mposht errësirën dhe bën të ngadhënjejë drita

Festimi i Krishtlindjes, më 25 dhjetor, lidhet me veprimtarinë e perandorit romak me origjinë ilire, Kostandinit, i cili, njihej si “inkarnimi” apo “trupëzimi” i Diellit, që në atë kohë adhurohej si perëndi. Ky perandor dardano-ilir pasi e pranoi krishtërimin, por edhe e legalizoi (i pari ne botë) me Ediktin e Milanos, në vitin 313, e udhëhoqi edhe Konçilin e Niçeas (viti 325 pas Krishtit), në të cilin krishtërimi njohu për herë të parë në mënyrë zyrtare doktrinën e “trinisë së shenjtë”. Kostandini e orientoi besimin e krishterë jo drejt një ndarjeje të ashpër me paganizmin, por e pasuroi besimin e ri me shumë elementë ekzistues në besimet e mëparshme romake. Në këtë kuadër, historiani Eduard Gibon sqaron se “të krishterët, të cilët nuk e dinin datën e lindjes së Krishtit, përcaktuan si festë solemne 25 dhjetorin, Brumalinë, apo solsticin e dimërit, të cilin paganët e festonin çdo vit në përkujtim të lindjes së Diellit”.

Në fakt, nata e Krishtlindjes nuk është vetëm simboli apo fitorja e jetës mbi vdekjen, por është edhe kujtimi, që “Zoti bëhet njeri, mishërohet, që edhe vetë njeriu të hyjnizohet” (Augustini). Ai ishte njëri nga ne, por prapë u dallua, që edhe ne të dallojmë. Për këtë arsye edhe ne lindim, sepse pa “Diell” jeta do të ishte vetëm një natë e pafund. Njeriut të sotëm i duhet më tepër zemra se sa arsyeja e mendjes. Gjërat mund t’i shohim ashtu siç i shohim vetëm me zemër. Atë, që zemra e dëshiron ajo edhe e zgjedh, si idenë, politikën, sistemin (të cilin dëshirojmë ta aktualizojmë), shkollën, lirinë, etj. Zemra e ndriçon mendjen, kurse kriteriumi i zemrës është dashuria. Krishtlindja, përkatësisht lindja e re gjithmonë paraqet gëzim të madh për një shtëpi shqiptare dhe për mbarë farefisin, për çka djepi gjithmonë është konsideruar një urë nëpër të cilën kalojnë brezet, që nga familja e deri te jeta e përbashkët – shoqëria. Prej djepit foshnja kalon në prehrin e gjyshërve, duke u lidhur kështu e kaluara me të ardhmën. Këtu zbulohen edhe gjurmët e identitetit tonë, i cili qenësisht lidhet me jetën e që vijon pa ndërprerë.

Festa e Kërshëndellave

Tradita e krishterë e besimit të lindjes së Krishtit në këtë ditë ka ndikuar edhe në etimologjinë e fjalës shqipe “Krishtlindje”, të italishtes “Natale” apo spanjishtes “Navidad”, ndërsa anglishtja e sotme “Christmas” rrjedh nga anglishtja mesjetare “Christes Masse” (Mesha e Krishtit). Te besimi i krishterë festa kryesore është Krishtlindja, që te shqiptarët (me theks të veçantë në Zym të Hasit) njihet si Kërshëndella apo Kshnella, festë kjo që, sipas kalendarit të ri (julian), kremtohet më 25 dhjetor, si Dita e lindjes së Jezu Krishtit. Kjo festë, që është më e rëndësishmja te besimtarët e krishterë, pra edhe te shqiptarët, përcillet edhe me ceremoni pagane e magjike. Kjo ndodh sidomos në vigjiljen e Kërshëndellave, e njohur si Nata e buzmit e që njëherësh përcillet edhe me ritet e Kolendrave. Do theksuar se ritet e festës së Kërshëndellave te popujt e ndryshëm janë të shumëllojshme, por kanë edhe elemente të përbashkëta.

Tradita e festës së Kërshëndellave te shqiptarët është mbajtur gjallë edhe me rite pagane e magjike, të cilat në kohët moderne janë reduktuar mjaft, sidomos te pjesa e popullatës së krishtere që jeton nëpër qytete. Te shqiptarët festat e ciklit dimëror, ku përfshihen Kolendrat dhe Buzmi, janë me prejardhje të lashtë dhe lidhen sidomos me fuqinë e Diellit, përkatësisht shënojnë kthimin e motit mbarë, që domethënë mposhtet errësira; zgjatet dita, që nënkupton se ngadhnjen drita. Tradita e “kthimit të motit mbarë” shënon kthimin kah stina e verës dhe e ringjalljes së natyrës. Kjo ditë në Mirëditë njihet edhe si ditë këndellje. Në fakt, Dita e kolendrave, përkatësisht Dita e buzmit, që mbahen më 24 dhjetor, pra në prak të lindjes së Jezu Krishtit – Kërshëndellave, kanë karakter agrar, por që lidhen drejtpërdrejt me kultin e diellit, përkatësisht me ditën e lindjes së diellit të pamposhtur, po edhe me elementin e parashikimit të shtimit të rendimenteve për vitin vijues. Në fakt, buzmi është edhe simbolikë e dritës, por edhe lajm i gëzueshëm mbi fitoren e “Diellit të pamposhtur”. Fitorja përmbi errësirën dhe akullin, që është tmerri dhe frika e njeriut, përkatësisht Dielli kuptohet edhe si burim i jetës dhe i ngrohtësisë. Me këtë simbolikë, të krishterët dërgonin “zjarrin e kësaj drite” në shtëpitë dhe vatrat e veta, që të ndizet zjarri i dashurisë, i mirësisë, i paqes dhe i ngrohtësisë në jetën familjare.

Buzmi

Gjurmët më të shumta dhe më origjinale të Festës së buzmit gjenden te shqiptarët katolikë, ndonëse dëshmi të këtij riti janë ruajtur edhe te shqiptarët ortodoks, tek arbëreshët e Italisë dhe tek arvantinasit e Greqisë. Me ceremoni rituale më 24 dhjetor, në vigjilje të Kërshëndellave, në mëngjes herët njëri nga meshkujt e shtëpisë shkon në malin e vet dhe e pren buzmin. Kërcuri i buzmit duhet të jetë dru qarri, e ka mjedise ku prehet bungu, arra, hardhia, gështenja, qershia etj. Në të shumtën e rasteve prehet vetëm një buzëm, por ka raste ku prehen dy apo tre drunj për buzëm. Kur sillet në oborr, buzmi mbështetet për shtëpi. Në orët e mbrëmjes i prehen degët dhe copëtohet. Pastaj, të gjithë anëtarët e familjes, përveç të zotit të shtëpisë dhe shpneshës (shtëpiakes, baçicës, zojës së shtëpisë), të cilët rrijnë afër vatrës, të tjerët dalin jashtë. Sipas moshës, nga më i vjetri e deri te më i riu, marrin copë të buzmit dhe degë dhe fillojnë të hyjnë brenda në shtëpi. Kur janë gati për të hyrë ata thonë me zë: “Po vjen buzmi bujar / me gjethe e me bar / me edha, me shtjerra, / mbas tyne vjen vera”. Më i vjetri hyn i pari duke thënë: “Koftë mirë zoti i shpisë!”, e ai i përgjegjet: “Mirë se vjen! Me çka po vjen?” Ai i përgjigjet “Me sh’net e me bereqet e me të gjitha të mirat e Zotit” dhe i lëshon copat dhe pjesën kryesore të buzmit afër vatrës. Pastaj hyn tjetri, i cili po ashtu i përsërit fjalët e të parit, sikurse edhe i zoti i shtëpisë. Mirëpo, shton edhe: “Po vij me djem e vajza e me miq e dashamirë”, kurse tjetri pas tij vazhdon: ”Po vij me lopë e kije, me dhi e dhenë, me kalë e magar (e kështu i përmend edhe shtazë të tjera); tjetri pas tij shton “Me grunë, me kallamoq, me pemë e kunguj…” dhe kështu hyjnë të gjithë duke thënë nga diçka. Pastaj ulen rreth e rrotull vatrës. Aty i zoti i shtëpisë e vë pjesën më të trashë të buzmit në zjarr e mbi te edhe copat e tjera. Kryet e buzmit (pjesa e trashë) është i prerë pjerrtas, ku është i gdhendur kryqi.

Duhet përmendur se kur dikush nga meshkujt shkon në mal për ta prerë buzmin, shpnesha qet grurë (me ndonjë kokërr misri e fasule) për ta zierë, pastaj gatuan kulaçin e buzmit (më i madh) dhe kuleçë të tjerë për pjestarët e familjes dhe të farefisit, për miq e për dashamirë; tëhollohen petë, thehen arra dhe shtypen për të bërë pite dhe përgatiten edhe ushqime të tjera.

Në kryqin e buzmit i zoti i shtëpisë e ndez një qiri (të vogël), e then kulaçin e buzmit dhe pak e qet në buzëm, sikurse që qet edhe një lugë grurë të zierë, e bereqete të tjera dhe i vë ose i derdh që të gjitha në pjesën ku është kryqi. Në vazhdim i zoti i shtëpisë e thotë lutjen – uratën e bereqeteve dhe të lindjes së Jezu Krishtit. Pastaj të gjithë anëtarët e familjes pijnë nga pak verë, natyrisht duke e uruar festën e Kërshëndellave. Në vendin ku do të shtrohet sofra qitet pak kashtë me ndonjë fije tallë. Mbi to shtrohet sofra dhe në të qiten bereqetet, duke filluar nga kulaçi i buzmit, pitja me petë, gruri i zierë, pemë e perime si dhe raki e verë. Darkojnë të gjithë anëtarët e familjes së bashku dhe urojnë festën e Kërshëndellave. Sofra mbetet e shtruar tërë natën, sikurse që nuk fiken fare dritat në shtëpi dhe në vendin ku gjendet sofra e shtruar.

Në ditën e Kërshëndellave (më 25 dhjetor) ndizet zjarri me gacat e buzmit. Kështu veprohet edhe ditën e dytë dhe të tretë, (më 26 e 27 dhjetor), kur buzmi qitet jashtë. Së pari në lëmë shpërndahet kashtë dhe me një trashësi më të madhe të kashtës bëhet një kryq anembanë lëmës. Nga anëtarët e familjes nëpër lëmë shëtitet buzmi e pastaj merret një sëpatë dhe shkohet te secila pemë. Buzmi duhet të jetë i ndezur, të ketë gacë dhe të tymosë. Njëri nga anëtarët e familjes, duhet të jetë mashkull, duhet ta bartë buzmin, kurse një tjetër të mbajë sëpatën e pas tyre shkojnë fëmijët. Personi që e ka sëpatën i matet pemës dhe e pyet “A bën a të preva?”, kurse personi që e bart buzmin përgjigjet “Fale, fale se bën, bën”. Shkohet te secila pemë. Te pema që dëshirohet që vitin tjetër të bëjë fruta, lihet buzmi në degë dhe më këtë përfundon rituali i buzmit.

Kolendrat

Në ditën kur prehet buzmi dhe sillet në oborr, përkatësisht kur bëhet gatuarja e kuleçëve, dalin kolendrat, në Mirëditë quhen këndelljet, ndërsa në viset e Kosovës kullanët, kurse në Zym quhen edhe kllanët. Festa e kolendrave është ritual, ku bashkohen të rinjtë dhe shkojnë nëpër shtëpi duke kënduar e uruar për shtimin e familjeve, për shëndet të mirë e për mbarësi në punë. Gjurmët e kësaj feste gjenden edhe te pjesëtarët e besimit islam, ku festa e kolendrave kremtohet si festë e borës së parë që njihet si “Festë e kullonave”, në ç’mënyrë shihet uniteti dhe lashtësia e këtyre festave. Duhet theksuar se gatuarja e kuleçëve njihet edhe si kuleçtë e kullanëve, ose kuleçtë quhen edhe kullanë.

Kullanët vishen me rrobat më të mira dhe armatosen me armë. Shkojnë shtëpi me shtëpi duke kënduar: “O kolendra, melendra, / mirëdita, moj kadënë! / Mirë sot, mirë mot, / ashtu dalç, për shumë mot! / Dil kadënës e shtëpisë, / hap derën perëndisë / nxirr kullakn’ e zotnisë. / Dil, moj dalç e bardhë, / deri n’mot me nji djalë! / Dil, moj dalç e kuqe / deri n’mot me nji nuse!” Kur shpnesha (shpijakja) vonohet apo nuk sjell gjë për dhurata, atëherë kolendrat thumbojnë: “Njitu kenka ni pus me rika, / t’zojes shpisë i raft’pika, / njitu kenka ni pus me pula, / t’zojes shpisë i raft’gërbula, / njitu kenka ni pus me pata, / t’zojes shpisë i raft’lëngata”.

Kështu këndohet ditën, ndërkaq, pas darkës së buzmit, përkatësisht pas darkës e deri në kohën e meshës së mesnatës, që mbahet nëpër të gjitha kishat (katolike), ose pas meshës e deri në mëngjes, kolendrat (gjatë natës secili prej tyre mban nga një fener) këndojnë: “Hej, mirë prama, Gegë-e Tuna / hej Gegë Tuna strovenica, / hej strovenica, Mitrovica, / hej, çov ti, trim, te Veco Zita. / Hej, bukë e nerë a ke me dhanë? / Hej, po na jemi do kullanë, / Hej, na jemi do përgjojësa, / hej, qi përgjojmë-o në këtë natë, / hej, në këtë natë e deri n’dritë. / Hej, na ka le i bardhi (i lumi) Krisht. / Hej, jepja Zot-o t’zotit t’shpisë! / Hej, mush ibrikin e rakisë, / hej, del e shkepjau famullisë”.

Të gjitha këngët e kësaj feste janë të lidhura kryesisht me kultin e hyjnive, veçmas me Jezu Krishtin, që kanë për qëllim shtimin e familjes, të mbarën, plleshmërinë dhe bereqetet. Vetë fakti se kolendrat mund të jenë pa dallim moshe apo pasurie, ata vepronin në bazë të një drejtësie; zgjedhin prijësin e tyre sipas moshës, përkatësisht zgjedhin të moshuarin më të mençur, e nuk zgjedhet personi sipas pasurisë apo me pozitë. Kjo dëshmon se ata (kolendrat) janë autoritarë në organizimin dhe veprimin e tyre.

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)