LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet lehtësimi i masave për personat mbi 67 vjeç në Maqedoni

Kërkohet lehtësimi i masave për personat mbi 67 vjeç në Maqedoni

Lidhja e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë sot propozoi që për qytetarët mbi 67 vjeç të vlejnë të njëjtat masa për mbrojtje nga coronavirusi, si dhe për pjesën tjetër të popullatës.

Nga Lidhja thonë se është e paarsyeshme që në kushte të qetësimit të situatës me virusin, të mos lehtësohen masat për pensionistët, përcjell Telegrafi Maqedoni.


“Konsiderojmë se kufizimi i kohës së lëvizjes deri më tani ka pasur arsyetimin e tij, por në kushte të qetësimit të pandemisë Kovid 19, si nevojë e domosdoshme për pensionistët është lëvizja e lirë me respektim të vazhdueshëm të masave që do të zbatohen për pjesën tjetër të popullatës. Në këtë mënyrë, trajtimi i barabartë u jepet të moshuarve për jetesë të pavarur dhe plakje aktive, si një mënyrë për të ruajtur gjendjen e tyre psikofizike”, thuhet në komunikatë.

Propozimi, sipas shoqatës, bazohet në kërkesat e një numri të madh pensionistësh, duke theksuar se ka mbi 320.000 përfitues të pensioneve në vend./Telegrafi/