Kërcënohet prokurori në Mitrovicë, reagon kryeprokurori i Shtetit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Sipas një njoftimi për media thuhet se çdo tentativë për të frikësuar apo penguar prokurorët e shtetit në ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet në asnjë formë.
"Lidhur me këtë rast, menjëherë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin e merituar", thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit shpreh mbështetjen e plotë institucionale për prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Prekazi, si dhe për të gjithë prokurorët e shtetit, të cilët me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi ushtrojnë detyrat e tyre ligjore dhe kushtetuese në funksion të forcimit të sundimit të ligjit. /Telegrafi/




















































