Keni mëshirë ju lutem, rrjepnani më me kujdes!
Të gjitha kompanitë publike së bashku mund t’i sjellin Kosovës një fond prej 500 milionë eurosh nga privatizimi/koncesionimi, sipas rrugës që ka zgjedhur Qeveria. Kaq para realizohen nga këto kompani për një ose dy vite punë me gjithë korrupsionin dhe keqmenaxhimin, të imponuara nga Qeveria me qëllim të krijimit të alibit për shitjen e tyre. Kjo praktikisht i bie sikur ne po i falim PTK-në, Aeroportin dhe KEK-un, por akoma më keq, kjo po merret si një shitje e tyre. Pra, më mirë do të ishte të thuhej që prej fillimit, duam t’iu falim pasuritë tona ekonomive të vendeve që ndihmuan Kosovën gjatë luftës dhe të mos flisnim fare për shitjen e tyre. Në fund të fundit një fond rreth 500 milionë eurosh nuk shpaguan as investimet që janë bërë në këto kompani vetëm për vitet e fundit.
Shiheni logjikën ekonomike të Qeverisë sonë. Në banka të huaja janë dërguar 260 milionë euro të thesarit, në ndërkohë që tashmë po fillojmë të futemi në borxhe tek institucionet e huaja financiare. Së voni Qeveria ka marrë 200 milionë euro me arsyetimin tipik që bëjnë qeveritë kukulla të kapura nga interesa të huaja, “përmirësimin e sektorit publik”. I tillë ishte edhe arsyetimi i Bankës Botërore në Irak kur e futi këtë shtet në borxhe, “përmirësimi i sektorit publik”. Në radion ndërkombëtare “Democracy Now”, një aktiviste irakiane shprehte habinë se si është e mundur që Iraku me tërë këtë treg të naftës të mos ketë kesh për projektet për përmirësimin e sektorit publik.
Logjika pak a shumë është kjo. Qeveritë e kapura nga interesa të kompanive të huaja e fusin vendin në borxhe në ndërkohë që fondet publike ose i bllokojnë me ndonjë arsyetim banal (fondi i privatizimit, fondi i trustit të kursimeve, partë e thesarit jashtë vendit) dhe paratë e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare prapë dalin nga vendi nëpërmjet shërbimeve tw “konsulencave” duke i kthyer këto para sërish në po ato vende prej nga ka ardhë ndikimi për kreditë në Bankën Botërore. Ajo që ngelet është borxhi i pafund për shoqëritë e varfra si Kosova.
Qeveria e Kosovës nuk e ka as ndjeshmërinë më të vogël ndaj këtij procesi. Ajo nuk e ka idenë se pesë vjet prej sot do të thellojë më tutje varfërinë në vend duke i dhënë asetet publike me një çmim krejtësisht të ulët dhe duke bllokuar pratë e marra nga kjo shitje në projekte që nuk kthejnë paratë, apo edhe më keq në rrethin e pafund të pretendimeve pronësore nga jashtë Kosove. Pra, në fund të këtij procesi ne pothuaj se nuk do të kemi pronë publike, paratë do të jenë tashmë të shpenzuara, e çdo privatizim ka konsistuar në uljen e të punësuarve në kompanitë e shitura, që për situatën e Kosovës mund të barazohet me një katastroftë. Ndoshta pikërisht varfëria është edhe qëllimi i kësaj logjike ekonomike, duke qenë se për kompanitë e huaja një shoqëri e varfër ofron çmim të ulët të punës.
Cilat janë idetë që mbështesin ktë që po e bën Qeveria e Kosovës me paranë dhe kompanitë publikë? Arsyetimi për futjen në borxhe tek Banka Botërore derisa ne kemi para kesh që rrinë kot është tërësisht banal. Ata thonë, të marrim borxhe nga Banka Botërore vetëm sa për të konfirmuar se jemi shtet. Mirëpo, Banka Botërore nuk e ka kërkesë të domosdoshme shtetësinë për dhënien e kredisë, kurse kreditë e saj në të shumtën e rasteve kanë penguar, në vend se ta ndihmojnë, zhvillimin e hovshëm ekonomik të vendeve debitore. Shembulli më i freskët është ekonomia e Shqipërisë.
Ideja që mbështet privatizimin dhe dhënien me koncesion të aseteve publike është se ato po dëmtohen nga korrupsioni e keqmenaxhimi. Të dyja këto janë leht të identifikueshme dhe po ashtu lehtë të parandalueshme. Është e vërtet se korrupsioni dhe zhurma për të arrin kulmin në kohën kur kërkohet privatizimi i aseteve të një vendi, por nuk ka kuptim që për shkak të kësaj thjesht të heqet dorë nga kjo pasuri.
Demonizimi i sektorit publik, që bëhet pak a shumë pikërisht nëpërmjet të asaj politike që njëherë përkrahet e njëherë denoncohet nga ndërkombëtarët, ka arritur kulmin pikërisht në vitin kur pritet privatizimi i aseteve më të rëndësishme publike. Në këtë mënyrë, një qytetar “i informuar” është lodhur nga bombardimi i përnjëhershëm me raportet mbi korrupsionin dhe deklarimi më i shpesht i tij është “vetëm le të shiten!”. Pra inkurajohet heqja dorë nga pasuria publike duke ia lënë që këtë pasuri ta shesë pikërisht ajo elitë që ka krijuar alibin për shitje, korrupsionin.
Absurdi më i madh është se ky demonizim ndodhë nga “konsulentëtë” ndërkombëtarë të qeverisë, të cilët në të shumtën paguhen me paran e marrë borxh nga Banka Botërore për “përmirësimin e sektorit publik”. A u përmirësuaka sektori publik duke e ekzekutuar atë? Kësaj në gjuhen popullore i thonë, kadia të paditë, kadia të gjykon.
Kjo qasje sidomos shihet në sektorin energjetik. Ne e dijmë mirë që një pjesë e mirë e rrjeteve të distribucionit në rajon është blerë nga një kompani e huaj që quhet CEZ. Nëpërmjet agjencive e grupeve të ndryshme të konsulencës ky konzorcium ka arritur që shoqërive të ndryshme në Ballkan t’iu fusë dy këmbët në një këpucë. Për shembull, Shqipëria sot vetëm është duke u dorëzuar përballë politikave çmimore të imponuara nga CEZ në kohën kur ky vend prodhon energji në kuota rekord.
Ne jemi në prag të dhënies së sektorit të energjisë tek kompanitë e huaja. Absurditeti i këtij procesi qëndron në faktin se Kosovën B është duke e vlerësuar një kompani e huaj e gjetur nga “grupet e kosnulencës” që po e shtyjnë qeverinë të privatizojë gjithçka. Pra, ata që tashmë kanë krijuar strategjinë e qeverisë që sektorin e energjisë thjesht ta transferojë në duart e kompanive të huaja, sot janë duke na e vlerësuar Kosovën B. Derisa ekspertët thonë se Kosova B është e re në masën prej rreth 90%, gjasat janë që vlerësimi të nxjerrë atë në një kuotë nën 20% të vlerës së projektit Kosova C. Me kapacitetin e saj, Kosova B në momentin e përmbushjes së tërësishme të projektit Kosova e Re, do të qëndrojë në një raport të përafërt prodhimi 6:10, por pjesëmarrja e publikut kosovar në këtë projekt do të jetë nën 20%.
Qeveria e Kosovës as që është duke rezistuar tërë këtë përfshirje të konfliktit të interesit në përgatitjen e procesit të privatizimit të aseteve publike. Akterët që përbëjnë Qeverinë siç duket e kanë të lidhur qëndrueshmërinë e tyre në pushtet me dhënien e këtyre aseteve. Pra, nuk ka shumë shpresa nga Qeveria e zhytur në korrupsion dhe në ndikime të sektorit privat sidomos atij të huaj. Gjërat tashmë po duken sheshit dhe nuk ka ngelur shumë për t’u thënë. Siç duket nuk ka ngelur gjë tjetër të thuhet këtu, vetëm një lutje drejtuar atyre që po na i vlerësojnë dhe po na e përgatisin vetë shitjen e aseteve publike. Ju lutem, rjepnani pak më me kujdes! Keni të bëni me kafshatën e gojës së një vendi me mbi 40% varfëri.
(Autori është bashkë-themelues i Organizatës ÇOHU!)



































