LAJMI I FUNDIT:

Kënga që bashkon dhe “ndan” amerikanët

Kënga që bashkon dhe “ndan” amerikanët

Gjithëpërfshirëse dhe patriotike, me rrënjët në të majtën radikale, kënga më e njohur popullore nga Woody Guthrie na jep një vizion të gjerë për amerikanët, shkruan Dorian Lynskey. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.

Në serinë televizive të vitit 2020, “Znj. Amerika”, Sarah Paulson luan rolin e një amvise (të trilluar) anti-feministe të viteve 1970, Alice Macray, që bën fushatë për të penguar ratifikimin e Ndryshimit të të Drejtave të Barabarta. Në episodin e parafundit, Alice merr pjesë në Konferencën Kombëtare të Grave, më 1977 në Hjuston, me synimin për të sabotuar platformën e Konferencës, por një pilulë misterioze e bardhë e dërgon në një udhëtim përrallor. Në një moment, ajo e lumtur këndon këngën e Woody Guthriet, “This Land Is Your Land” (Kjo tokë është toka jote). E ngazëllyer, i thotë një aktivisteje feministe se e këndon në shtëpi, bashkë me fëmijët e saj. Aktivistja i përgjigjet se një socialist e ka shkruar. Alice qesh. “Ej, mos u bëjë qesharake!” Kur aktivistja këmbëngul se është “këngë marksiste”, Alice reagon: “Oh jo, jo, jo. Është patriotike”. Aktivistja buzëqesh. “Pikërisht.”

Është kjo një skenë e vogël që tregon se si dy kundërshtarë politikë mund të lidhen me vizionin e Guthriet për Amerikën, por gjithashtu ngre dilemë në lidhje me domethënien e një kënge kaq të famshme që është përshkruar edhe si “himn alternativ kombëtar” .


Woody Guthrie e kaloi një jetë klasike amerikane, të mbushur me aventura, idealizëm dhe tragjedi. Lindi në Okemah të Oklahomës më 1912. Babai i tij Charley ishte pronar tokash që kishte aspirata politike, por fati nuk shkoi në favor të Guthriet. Një zjarr në shtëpi, më 1919, vrau motrën e madhe të tij, Clara. Një tjetër ngjarje e vitit 1927 e dërgoi nënën e tij Nora në një institucion mendor. Për ta marrë veten, Charley u zhvendos në Pampa të Teksasit ku i kërkoi djalit që t’i bashkohej dy vjet më vonë.

Woody i ri ishte autodidakt, një shoumen i lindur dhe një shpirt rebel. Edhe pse kishte grua dhe fëmijë në Pampa, u tërhoq nga jeta endacake, duke bredhur e udhëtuar nëpër Perëndimin amerikan e duke shkruar këngë për jetët e shkatërruara që kishte hasur. Në Kaliforni u zemërua nga trajtimi i pashpirt i migrantëve ekonomikë, të njohur si ‘Okies’. Vajza e tij Nora më vonë do të thotë se ai “e mësoi socializmin në autostradat e Amerikës”. Në vitin 1937 u transferua në Los Anxhelos, ku merr famë lokale si këngëtar protestues dhe si moderator radioje. Pasi një shfaqje e tij u anulua, vendosi të provonte fatin në Nju-Jork, ku shkoi në shkurt të vitit 1940.

Ishte ky viti më i rëndësishëm i jetës muzikore të Guthriet. Atë pranverë gjithçka ndryshoi. U shfaq në skenën e Nju-Jorkut, ndërsa takoi koleksionistin e këngëve popullore, Alan Lomax, si dhe një këngëtar të ri me emrin Pete Seeger. Aty nisi të shkruajë atë që më 1943 do të jetë autobiografia e tij, “Bound for Glory” (Të bashkuar për lavdinë). Punoi me Lomaxin dhe Seegerin në një libër me këngë popullore protestuese, “Hard-Hitting Songs for Hard-Hit People” (Këngë goditëse për njerëzit e goditur). Dhe, e incizoi albumin debutues me Lomaxin si producent, “Dust Bowl Ballads” (Baladat e stuhisë së rërës).

Guthrie ishte me fat që shkoi në Nju-Jork, një javë pas premierës së versionit filmik të bestsellerit të John Steinbeckut të vitit më 1939, “The Grapes of Wrath” (Frytet e zemërimit). Ai u pa si një Tom Joad real (kryepersonazh i veprës – v.j.), një “Okie” nga “stuhia e rërës”, me këngë njerëzore të farkëtuara në kazanin e Krizës së Madhe Ekonomike. Koncerti i tij u quajt “Mbrëmja e fryteve të zemërimit”, ndërsa Steinbeck e lavdëroi Guthrien me parathënien për albumin e tij: “I këndon këngët e njerëzve dhe unë dyshoj se ai është, në një farë mënyre, ata njerëz”.

Para gjithë kësaj, më 23 shkurt, Guthrie u ul në hotelin e lirë “Hanover House” në Nju-Jork, ku shkroi gjashtë strofat e një kënge që e quajti “Zoti e ka bekuar Amerikën”. Siç e bën të qartë titulli, ishte një kundërsulm ndaj një kënge që e shqetësonte: “God Bless America” (Zoti e bekoftë Amerikën) nga Irving Berlini. Një emigrant hebre rus ishte mirënjohës për sigurinë e atdheut të ri që e pranoi, për krahasim nga makthi që përfshiu Evropën. Berlini e bëri këngën si një ‘lutje’ për ShBA-në dhe për paqen. Kur këngëtarja Kate Smith e dha në emisionin e saj në radio, më 11 nëntor 1938 (20 vjetori i Ditës së Armëpushimit), menjëherë u pëlqye, por jo nga Guthrie. I lodhur nga dëgjimi i incizimit i Smithit që jepej në çdo radio dhe çdo xhuboks në Nju-Jork, u nxit të shkruante një lloj tjetër himni patriotik.

Kënga e Guthriet nuk ishte tamam parodi, por e sfidoi Berlinin. Derisa “Zoti e bekoftë Amerikën” e vendos vendin mbi popullin, përgjigjja e Guthrie i vë njerëzit në radhë të parë: “Kjo tokë u krijua për ty dhe për mua”. Derisa lirika e shkurtër e Berlinit skicon peizazhin e ShBA-ve në dy rreshta (“Nga malet te preritë / në oqeane e bardha nga shkuma”), vargjet e Guthrie përfshijnë pyje, lugina, shkretëtira, fusha gruri, autostrada dhe qytete të vogla. Ai e përfundoi çdo rresht me “Zoti e bekoi Amerikën për mua”, por duket se kishte mendime tjera duke e ndryshuar titullin me “Kjo tokë”. Në fund të faqes ka shkruar: “Gjithçka që mund të shkruash është ajo që shikon”.

Çuditërisht, Guthrie nuk e dinte se çfarë kishte në duar. Ky nuk ishte draft i egër që kërkonte rishikime të mëdha, por nuk ishte në mesin e dhjetëra këngëve që incizoi me Lomaxin në vitet ‘40. Në fakt, për katër vitet e ardhshme e injoroi. Tek në prill 1944, Guthrie e kujtoi tekstin “Kjo tokë është toka jote” gjatë një incizimi me inxhinierin e zërit Moe Asch. Atë dhjetor e bëri melodinë, për emisionin e tij javor në radion WNEW. “Do ta këndoj një këngë që do t’ju dëshmojë se kjo është bota juaj”, u tha dëgjuesve.

“Kjo tokë është toka jote” u lansua në një kompilacion të vitit 1951. Ashtu si “Hallelujah” e Leonard Cohenit, nuk ka një version të vetëm përfundimtar. Dy nga strofat e vitit 1940 ranë nga kënga. Dikush sugjeron që ShBA-ja i përket të gjithëve, pavarësisht nga pronësia e tokës:

Atje ishte një mur i madh i lartë që tentonte të më ndalonte
Një tabelë ishte ngjyrosur me: Pronë private
Por, në anën e pasme, nuk tha asgjë –
[Kjo tokë është krijuar për ty dhe mua.]

Strofa tjetër paraqet dyshim në vizionin optimist të këngës, duke përshkruar një skenë nga Kriza e Madhe Ekonomike

Në një mëngjes me diell të ndritshëm në hijen e pjerrësisë
Nga zyrat për ndihma pashë njerëzit e mi –
Teksa rrinin atje të uritur,
Qëndrova atje duke menduar nëse
[Kjo tokë është krijuar për ty dhe mua.]

Kur Guthrie publikoi tekstin në broshurën e tij të vitit 1945, “Ten of Woody Guthrie’s Songs” (Dhjetë nga këngët e Woody Guthriet), ai shtoi strofën e fundit që afirmon mesazhin e këngës:

Askush që jeton nuk mundet kurrë të më ndalojë,
Teksa vazhdoj të eci në autostradën time të lirisë.
Askush që jeton nuk mund të më shtyjë të kthehem prapa
Kjo tokë është bërë për ty dhe për mua.

Teksa kënga flet për barazinë, incizimi i vitit 1944 përjashton strofën nga zyrat e ndihmave dhe versioni i vitit 1951 humb të dy strofat radikale, ashtu si pamfleti i vitit 1945. Në vitin 1950, botuesi i Guthriet, Howie Richmond, licencoi këngën për përdorim në librat shkollorë, për vetëm një dollar, gjë që e bëri një këngë virale. Por, e përdori versionin korrekt politik – kuptohet, duke pasur parasysh rritjen e Mekartizmit (kampanja kinse kundër komunistëve e nxitur nga senatori Joseph McCarthy – v.j.). Pra, versioni që Alice Macray e këndonte me fëmijët e saj e errëson politikën e Guthriet.

Por, cila ishte ajo politikë?

Një nga kërkimet kryesore në Google për “Kjo tokë është toka jote” është kjo pyetje: “A është këngë komuniste?” Woody kishte një shaka për këtë: “Nuk jam domosdo komunist, por kam qenë i kuq gjatë gjithë jetës time”. Teksa është e vërtetë se kurrë nuk iu bashkua Partisë Komuniste Amerikane (CPUSA), gjatë viteve 1938 dhe 1939 interpretoi për mbledhje fondesh dhe shkroi një kolumne për gazetën “People’s World”. Për partinë, ky zë autentik karizmatik nga zemrat e klasës punëtore, ishte dhuratë nga perëndia, sepse komunistët amerikanë ishin në një fazë të rimarrjes së patriotizmit, në vend të refuzimit. CPUSA dha mbështetje për Marrëveshjes e Re të presidentit Roosevelt, duke thënë: “Komunizmi është amerikanizmi i shekullit XX”. Guthrie, një kuazi-komunist që vazhdoi të shkruante këngë patriotike, mishëronte këtë në një mënyrë, ndaj “Kjo tokë” përfaqëson diçka që e majta shpesh e lufton për të arritur: patriotizmin radikal për masat.

E popullarizuar tashmë nga librat shkollorë, “Kjo tokë është toka jote” merr rëndësinë politike në vitet 1960 përmes ringjalljes së muzikës popullore dhe lëvizjes për të drejtat civile. U këndua nga shumë dhe kudo. Sepse, ashtu si heroi i tij Walt Whitman, Guthrie synonte të mishëronte të gjithë amerikanët. “Gjaku im rreh spanjisht dhe fryma më digjet në mënyrën indiane e shpirti më zien zi”, shkroi ai në një poezi të pabotuar të vitit 1950. Prandaj, “Kjo tokë është toka jote” është këngë e gjallë: një tekst i rrjedhshëm që mund të pranojë vizione të shumta të Amerikës dhe të amerikanëve. /Telegrafi/