Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje që, sipas saj, synon të sigurojë “stabilitet tarifor” dhe të mbrojë konsumatorët nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026.

Në një reagim në Facebook, KEK ka bërë të ditur se marrëveshja është arritur “bazuar në raportin konsultativ të ZRRE-së dhe në koordinim me KESCO-n (FSHU)”, duke theksuar se është dakorduar një mekanizëm i profilizimit të kostove.


“Është dakorduar një mekanizëm i profilizimit të kostove që parasheh riprogramimin e obligimeve për periudhën janar–mars 2026, me qëllim shmangien e ndikimit të menjëhershëm në tarifa”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Sipas KEK-ut, mekanizmi parasheh riprogramim dhe shtyrje të përkohshme të obligimeve financiare, si dhe pagesa me këste në një periudhë të mëvonshme.

“Riprogramim i përkohshëm i obligimeve financiare”, “shtyrje e pagesave për lehtësim afatshkurtër” dhe “pagesa me këste në periudhë të mëvonshme”, janë disa nga pikat që KEK i ka renditur si pjesë të marrëveshjes.

KEK ka thënë se kostot do të shpërndahen ndërmjet viteve tarifore dhe se do të zbatohen kushtet kontraktuale ekzistuese.

“Shpërndarje e kostove ndërmjet viteve tarifore” dhe “zbatim i kushteve kontraktuale ekzistuese”, thuhet më tej.

Duke folur për rezultatin e këtij mekanizmi, KEK ka deklaruar se “shmanget rritja e tarifave për vitin 2026”, se “ruhet stabiliteti i furnizimit me energji” dhe se “mbrohen interesat e konsumatorëve”.

“KEK mbetet i përkushtuar në rolin e tij strategjik për garantimin e sigurisë energjetike dhe stabilitetit të sektorit energjetik, në funksion të interesit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/