LAJMI I FUNDIT:

KDI për rastin e rezervave shtetërore: Të shkarkohet ministrja Hajdari

KDI për rastin e rezervave shtetërore: Të shkarkohet ministrja Hajdari

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pas arrestimeve të sotme të zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të përfshirë në keqpërdorime me rezervat shtetërore, thotë se ministrja Rozeta Hajdari duhet të shkarkohet në mënyrë që të zhvillohen hetime gjithëpërfshirëse dhe të pandikuara politikisht.

KDi thotë se arrestimet e sotme të personave të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime me rezervat shtetërore, të menaxhuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë edhe në sferat më të ndjeshme, që kanë ndikim social të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Për më tepër, raste të tilla minojnë besimin e publikut në institucione.


Arrestimi i Garës, Lipovicës dhe Muharremit, Prokuroria Speciale jep detaje: Dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare  
Lexo po ashtu Arrestimi i Garës, Lipovicës dhe Muharremit, Prokuroria Speciale jep detaje: Dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare  

“Jemi dëshmitarë se në Kosovë, rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpeshherë kanë përfunduar pa aktgjykime dënuese, për shkak të mangësive në fazën hetimore – që për pasojë kanë prodhuar aktakuza jo kualitative. Prandaj, KDI e sheh si të domosdoshëm zhvillimin e një procesi sa më të detajuar dhe gjithëpërfshirës të hetimeve, në mënyrë që personat potencialisht përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë”, thuhet në komunikatën e KDI-së, transmeton Telegrafi.

“Duke ditur ndjeshmërinë e rastit dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë ministror, KDI vlerëson se është i nevojshëm edhe lirimi nga detyra i ministres Rozeta Hajdari, për të mundësuar një proces penal efektiv e të pandikuar politikisht”.

Njëherit, KDI kërkon nga të gjithë akterët, e në veçanti zyrtarët në pushtet, që të rezervohen nga çfarëdo deklarimi apo përfshirje që mund ta ndikojë procesin e hetimit dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. /Telegrafi/