LAJMI I FUNDIT:

Katër shenja që zbulojnë a ju respekton fëmija apo ka frikë nga ju

Katër shenja që zbulojnë a ju respekton fëmija apo ka frikë nga ju

Linja që ndan këto dy nocione është shumë e ndjeshme

Ekspertët besojnë që në edukimin e fëmijës duhet të ekzistojë një lloj hierarkie. Dikur kjo gjë ka funksionuar në atë mënyrë që pozicionet e anëtarëve të ndryshëm të familjes kanë qenë të vendosura rreptësishtë, ndërsa hierarkia ka shërbyer për imponimin e disiplinës.


Mirëpo, tani hierarkia e tillë në pjesën më të madhe është zhdukur. Fëmija e di që duhet t’i respektojë prindërit, mirëpo si të veproni nëse shfaqet respektim nga frika? – transmeton Telegrafi.

Respekti dhe frika janë dy kategori të ndryshme, siç janë edhe pasojat që rrjedhin prej tyre. Respekti frymëzon, vjen nga dashuria dhe admirimi dhe krijon marrëdhënie të shëndetshme dhe të forta. Frika, nga ana tjetër, paralizon, krijon reagime sfiduese, të paqëndrueshme e problematike dhe shkakton vuajtje.

Linja që ndan këto dy nocione është shumë e ndjeshme, ndonjëherë edhe e paqartë, por, nëse i kushtoni vëmendje këtyre katër shenjave, ajo bëhet më e qartë.

1. Shkalla e besimit

Pa dyshim kjo është pika kryesore e cila mund t’ju ndihmojë të mësoni a kanë frikë fëmijët nga ju apo, megjithatë, ju respektojnë. Kur hasin në pengesë dhe problem, a jeni ju personi i parë që kërkojnë ndihmë nga ju apo bëjnë çdo gjë që problemin ta fshehin nga ju?

Në qoftë se ju drejtohen menjëherë, fëmijët tuaj ju respektojnë, sepse e dinë që vetëm ju sinqerisht do t’u ndihmoni. Në rastin tjetër, e kanë të qartë se vetëm do të kritikohen dhe qortohen. Konsiderojnë që qëllimi juaj nuk është t’i orientoni, por t’i dënoni.

2. Shprehja emocionale

A ndajnë fëmijët tuaj emocionet e veta me ju? A janë të lirë të shfaqin hidhërim para jush, zemërim, pikëllim, lumturi?

Shfaqja e emocioneve është shenjë respekti që tregon që fëmijët e dinë që do t’i pranoni dhe do t’ua përfillni emocionet e tyre, do t’i lini të jenë të tillë çfarë janë dhe do t’u ndihmoni t’i kontrollojnë emocionet e tyre.

Një fëmijë që ka frikë nga prindërit e tij do të shtypë emocionet e tij për të mos vuajtur pasojat.

3. Cilësia e marrëdhënies

Nëse fëmijët tuaj ju respektojnë, ndoshta do të jeni emocionalisht të afërt, do të shijoni shoqërinë e njëri-tjetrit dhe do të kaloni kohë së bashku. Edhe pse ndonjëherë ka konflikte dhe mosmarrëveshje, marrëdhënia juaj është e shëndetshme dhe harmonike.

Por kur fëmijët kanë frikë nga prindërit e tyre, ata zhvillojnë qëndrime të ftohta ose ambivalente ndaj tyre. Për shembull, ata mund të jenë të vrenjtur, të largët dhe indiferentë, si dhe mund të ndiejnë pakënaqësi dhe refuzim nga prindërit e tyre, megjithëse në thelb mund të mos jetë kështu.

4. Të menduarit kritik

Nëse fëmija është rehat duke shprehur mendimin e tij para jush, kjo është një shenjë se ai ju respekton. Nuk ka të bëjë me atë që fëmija të sfidojë vazhdimisht autoritetin tuaj ose të përpiqet të kapërcejë kufijtë e rënë dakord, ka të bëjë me ndjenjën se është e mundur të flasë hapur me ju, sepse ai e di që ju do ta dëgjoni.

Kur fëmijët kanë frikë nga prindërit e tyre, ata priren t’u binden atyre verbërisht, edhe nëse nuk i kuptojnë ose pajtohen me rregullat. Ka të ngjarë që, në një moment të caktuar, ajo nënshtrim të kthehet në rebelim dhe të prodhojë qëndrime kundërshtare.

Në këtë rast, fëmija ndjen se nuk ka të drejtë vote në familjen e tij dhe se biseda, marrëveshja dhe kompromisi nuk janë të mundshme. /Telegrafi/