Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka pranuar se një pjesë e lojtarëve të tij janë në kërkim të klubeve të reja dhe po përgatiten për hapin e radhës në karrierë.

Përpara nisjes së turneut në SHBA, tekniku portugez njoftoi se pesë futbollistë – Marcus Rashford, Jadon Sancho, Alejandro Garnacho, Tyrell Malacia dhe Antony – nuk do të udhëtonin me skuadrën.


Që prej asaj kohe, Rashford është transferuar te Barcelona, ndërsa katër të tjerët vazhdojnë stërvitjen në klub, por të ndarë nga ekipi i parë.

“E di që nuk është situatë e mirë të kemi lojtarë në këtë pozitë, por është e qartë se ata dëshirojnë të luajnë në një klub tjetër. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë që të dyja palët të jenë të kënaqura”, deklaroi Amorim.

Trajneri shtoi se fokusi i tij kryesor mbetet ndërtimi i së ardhmes së skuadrës.

“Duhet të mendoj për lojtarët që janë pjesë e projektit tonë. Të tjerët po stërviten për kapitullin e tyre të ardhshëm. Kur të mbyllet merkatoja, do të shohim kush do të mbetet – dhe pastaj fillon një jetë e re. Gjithçka është e mundur”, vazhdoi trajneri i Djajve të Kuq. /Telegrafi/

telegrafi sport app