Katër liritë
Kur presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt iu drejtua Kongresit para 68 vjetësh me fjalimin mbi katër liritë, jehona e tij u përhap rrufeshëm në çdo cep të botës. Roosevelt ishte i bindur se katër liritë, liria e fjalës, liria e fesë, liria për kushte minimale të mirëqenies dhe liria nga frika, janë gurthemel i një shoqërie demokratike. Sipas tij, katër liritë e njerëzimit janë një nevojë e njeriut po aq sa edhe vet drita e diellit, buka dhe kripa. Prandaj, nëse njeriu privohet nga to do të ndjehet i paqenë. Roosevelt insistoi se katër liritë duhet të vlejnë për të gjithë njerëzit në botë, pa dallim. Dhe padyshim që një koncept i këtillë largpamës u përqafua nga bota demokratike dhe këto parime madje u bënë bazë për Deklaratën universale për të drejta e njeriut të OKB-së.
Me një kontribut të këtillë, Roosevelti hyri në historinë e mendimit politik botëror si një prej ideatorëve kryesor për krijimin e një bote demokratike e cila në mënyrë të pakompromis do të ngrihej mbi katër liritë njerëzore. Ndërkohë, për botën u hap një epokë e re e demokracisë, e cila mund të quhet epokë Roosveltiane.
Liria që zë vendin e parë është liria e fjalës. Pra secili njeri ka dhe duhet ta ketë të drejtën për tu shprehur i lirë në çdo situatë dhe për çdo çështje. Liria e dytë është liria e fesë që nënkupton se secili njeri është i lirë ta adhuroj zotin në mënyrën e vet. Liria e tretë është liria për kushte ekzistenciale, e cila në një interpretim të përgjithshëm donë të thotë lirinë ekonomike që do ti jap mundësi çdo vendi të sigurojë mirëqenie dhe paqe për qytetarët e tij. Ndërsa liria e katërt, liria nga frika, nënkupton lirinë nga çfarëdo kërcënimi i jashtëm në nivel individual apo shtetëror.
Fjalimi i presidentit Roosevelt ishte një përgjigje vizionare për krizën në të cilën gjendej SHBA në atë periudhë, pas depresionit të madh ekonomik të viteve 1930ta. Ai u motivua nga një dëshirë e fortë për ta ndihmuar vendin që të dal nga kriza dhe të ec drejtë rrugës së stabilitetit dhe qëndrueshmërisë. Për zbatimin e këtij vizioni, Roosevelt do të vendos një marrëveshje të re mes qeverisë dhe qytetarëve (e njohur si “New Deal”), marrëveshje kjo që u jep obligime të shenjta të dyja palëve për të punuar të koordinuar për një Amerikë stabile dhe prosperuese.
Megjithëse i paraqitur para gati shtatë dekadash, vizioni i presidentit Roosevelt për shtetin demokratik i ka mbijetuar kohës dhe është po aq valid sikur të ishte thënë sot.
Nga ky vizion mund të mësojnë shumë shtete, në veçanti shtetet e reja demokratike, në mesin e tyre edhe Kosova. Por a kemi mësuar dhe a kemi gjasa të mësojmë për të ndërtuar shtet demokratik? Kjo është pyetja kryesore e këtij shkrimi, të cilën vendosa ta shtjellojë e motivuar nga procesi zgjedhjeve lokale të muajit të kaluar.
Katër liritë në zgjedhje
Procesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, ndonëse i vlerësuar në përgjithësi si i suksesshëm, lë shumë për të dëshiruar në relacion me demokracinë. Në definicionet teorike mbi demokracinë, liria për të votuar dhe liria për të qenë i votuar, përbëjnë dy prej parimeve kryesore. Teoricieni i njohur Robert Dahl është shumë i qartë në përcaktimin e tetë parimeve të demokracisë, duke e vendosur të drejtën për të zgjedhur lirshëm dhe të drejtën për tu zgjedhur, në mesin e tyre.
Duke marrë për bazë këto parime, faktet që u shfaqën në komunikimet zyrtare, atë që u shkrua në analiza të ndryshme për zgjedhje si dhe ajo që po flitet kuluareve, del se zgjedhjet lokale 2009 cenuan lirinë e votimit të qytetarëve në mënyra të ndryshme. Mund të themi se kjo liri u cenua nga së paku katër liri themelore në zgjedhje demokratike, siç janë: liria të votoj pa frikë, liria të votojë pa kushtëzime financiare, liria nga mashtrimet dhe liria nga përfaqësimi jodemokratik.
Liria e parë, liria të votojmë pa frikë, u cenua me faktin se gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë procesit të votimeve, kërcënimet, rrahjet fizike dhe aty këtu edhe plumbat u bënë pjesë e procesit.
Liria e dytë, liria për të votuar pa kushtëzime financiare, ishte e pamundshme sepse partitë, këtu e kam fjalën për partitë e mëdha, nuk arritën të përmbahen nga përdorimi i parasë si instrument për ta blerë votën e qytetarëve. Dhe kjo punë u bë edhe më e lehtë për ta, sepse fatkeqësia e gjendjes së rëndë ekonomike ishte përcaktuese për tundjen e votuesve caktuar. Nga ky kontekst del edhe një cinizëm i paparë, ai që votuesit e blerë votuan për partitë që i kishin lënë ata në gjendje të mjerë.
Liria e tretë është liria nga mashtrimet. Për sa i takon mashtrimeve vlen të përmenden dy momente: mashtrimet gjatë votimit dhe mashtrimet gjatë numërimit të votave. Tash kur përfunduan zgjedhjet dhe u komunikuan rezultatet, mashtruesit e zgjedhjeve nuk ngurrojnë që në qarqe të ngushta të rrëfejnë për teknika të sofistikuara të falsifikimit të votave. Sigurisht se duke dëgjuar këto rrëfime mendja të shkon te pyetja se pse vallë nuk po sofistikohen teknikat e qeverisjes së mirë, në vend të teknikave të mbrapshta që mund ti kushtojnë shumë shtetit tonë të ri. Momenti i dytë që lidhet me lirinë nga mashtrime ka të bëjë me votat e manipuluara, ku fjala është për procesin e numërimeve, ripërsëritjen e tyre, anulimin e vendvotimeve të caktuara dhe rastet e oscilimit të rezultateve, të cilat s’ka se si të mos e lënë shijen e manipulimeve.
Ndërkaq liria e katërt është liria nga përfaqësues jodemokratik në pushtet, të atyre që erdhën nga inxhinieringu mashtrues zgjedhor, në vend të përfaqësuesve demokratik të cilët vërtet u votuan nga qytetarët.
Në përfundim dua të them se përkushtimi ynë politik, kushtetues e qytetar për një shtet demokratik është i lidhur ngushtë me sigurimin e katër lirive të sipërpërmendura për zgjedhje, pa të cilat demokracia e re e vendit tonë nuk mund të maturohet.
(Autorja është kryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK) dhe
magjistër i administrimit pubik, Universiteti i Harvardit)



































