Katër banka të Greqisë, mund të humbin rreth 15.5 miliardë euro

Katër bankat më të mëdha të Greqisë, mund të humbasin rreth 15.5 miliardë euro në kapital deri në 2020, apo 9% të kapitalit në një skenar ekonomik negativ, sipas rezultatit të “stress testit” të publikuar nga Banka Qendrore Europiane (BQE).
Prova e rezistencës, që synon zbulimin e mungesës në kapital përpara se Athina të dalë nga programi i shpëtimit prej 86 miliardë euro në Gusht, u ndërmor në mënyrë të ndarë nga testimi i huadhënësve të tjerë të Eurozonës. Prova për 33 bankat e tjera të rajonit do të publikohet në Nëntor.
Testi i institucionit në Frankfurt ndaj 4 bankave më të mëdha të Greqisë; Pireaus, NBG, Eurobank dhe Alpha, u zhvillua më herët për t’i dhënë kohë huadhënësve që të mbushin ndonjë mungesë në kapital përpara se Athina të dalë nga programi i ndihmave. Ndër huadhënësit, Alpha Bank pati performancën më të mirë, ndërkohë që raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (CET1), do të binte me 8.56% në 9.7%, në një skenar negativ. Për Eurobank, raporti i kapitalit bazë kundër aktiveve të ponderuara me risk do të reduktohej me 8.68% në 6.75%. NBG do të pësonte një rënie me 9.56% në 6.9%, ndërsa Pireaus, një humbje me 8.95% në 5.9%.
Bankat e Greqisë janë rikapitalizuar 3 herë që prej krizës së borxhit në vitin 2010 dhe mbajnë ende një barrë prej 96 miliardë euro të borxhit të keq. Këto janë angazhuar në reduktimin e kësaj shifre drejt 65 miliardë euro deri në vitin 2019. Ushtrimi i muajit maj ishte i katërti gjatë krizës 8-vjeçare të borxhit.
Rikapitalizimi i parë u ndërmor në 2013-ën, ku një fond i shpëtimit të bankave, i financuar nga huadhënësit e Eurozonës dhe FMN, injektoi 25 miliardë euro drejt 4 bankave, ndërkohë që 3.5 miliardë euro të tjera u gjeneruan nga investitorë privatë.
Pas kontrollit të 2014-ës, bankat shtuan 8.3 miliardë euro nga investitorët privat. Por kjo dështoi një vit më vonë kur qeveria e re e majtë në Greqi u përplas me kreditorët, duke shkaktuar tërheqjen e shpejtë të depozitave, gjë që solli kontrollet e kapitalit. Bankat ndërmorën një tjetër test dhe rikapitalizim në vitin 2015, duke sjellë humbje të mëdha për aksionerët. /Telegrafi/














































