LAJMI I FUNDIT:

Kastrati: Ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit

Kastrati: Ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit

Më shumë se tri dekada barti uniformën ushtarake. Pas këtyre viteve shërbimi si ushtarak iu rrek politikës. Dhe për të shërbyer në këtë sferë iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndonëse pati oferta edhe nga partitë tjera zgjodhi PDK-në që tash udhëhiqet nga Kadri Veseli e për 16 vjet u drejtua nga Hashim Thaçi.


Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, në një intervistë për KosovaPress tregon edhe arsyen pse iu bashkua PDK-së, e jo partive tjera.

“Kam pasur oferta nga të gjitha përveç Vetëvendosjes dhe unë e zgjodha Partinë Demokratike për arsye se Partia Demokratike ka një lider që është i dijes, është vizionar, është largpamës, din se çka donë dhe ka guximin që të dërgon Kosovën përpara. Arsyeja tjetër është që shokët e mi kryesisht i kam në PDK-në dhe shkova tek shokët e mi, apo erdha tek shokët e mi. E treta, është PDK-ja është parti vizionare, parti e cila ka njerëz intelektualë, ka njerëz me bagazhe të kaluar që kanë pasur qoftë në politikë, qoftë në jetën ushtarake apo në jetën e përgjithshme në Kosovë. Këto janë arsyet pse unë kam hyrë në politikë dhe kam hyrë në PDK”, tha Kastrati.

Kastrati që vjen nga Podujeva është në mesin e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Edhe pse PDK ka hyrë në koalicion me AAK-në dhe Nismën, ish-komandanti i FSK-së ia ka arritur që të futet në listë për deputet krahas edhe dy kolegëve që vijnë nga dega e Llapit.

Kastrati falënderon degën e Podujevës e cila e ka nominuar për kandidat, por njëkohësisht edhe kryetarin e partisë që e ka pranuar këtë nominim.

Kastrati në një intervistë për KosovaPress flet edhe për koalicionin me AAK-në dhe Nismën për të cilin thotë se është koalicion që ka guxim dhe brenda tij ka njerëz vizionarë që marrin vendime.

Ai është i bindur se koalicioni do të fitojë dhe vetëm iu duhet që t’i bëjnë 60 deputetë dhe se me Ramush Haradinajn kryeministër, ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit.