Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka realizuar takim me kryeministrin e vendit Zoran Zaev, me të cilin kanë diskutuar për të ardhmen e Prokurorisë Speciale.

Kasami pas takimit tha se qëndrimi i tyre është që PSP duhet të vazhdojë të punojë me kapacitetin e plotë dhe të përfundojë të gjitha lëndët që dalin nga përgjimet e paligjshme, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Sot ishte takimi i parë me kryeministrin Zoran Zaev për çështjen e PSP-së. Qëndrimi jonë është se kjo prokurori duhet të vazhdojë punën me kapacitetin e plotë dhe të përfundojë të gjitha lëndët të cilat ka hapur. Këtu dua të theksoj edhe faktin e shfrytëzimit të përgjimeve për ngritjen e procedurave tjera. Ne si Lëvizje Besa do të insistojmë që të vazhdohet puna e PSP-së dhe të përmbyllen të gjitha lëndët që dalin nga përgjimet”, tha mes tjerash Kasami.

I pyetur nëse partia e tij do të vendos kushte për kryeministrin Zaev, ai tha se pas takimit të sotëm do të përpilojnë kushtet e tyre.

Kasami tha se gjatë ditëve në vazhdim deputetët e Lëvizjes Besa do të dorëzojë amendamente për Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili pritet të zgjidhë edhe fatin e PSP-së.

Ndryshe, përveç Kasamit, Zoran Zaev sot pritet të ketë takim edhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela./Telegrafi/