Nëse konteksti i mëposhtëm paraqet element sqarimi kundër qeverisë, jam i vetëdijshëm se do të konsiderohem si “zë opozitar”, nga pozita, të cilët, secili që paraqet argumente kundër, i konsideron opozitë. Kjo tendencë e ngjyrosjes së intelektualëve të pavarur, si stalinistë, marksistë, është një koncept i ngushtë i diturisë qeveritare dhe karremave të tyre, që nëpër media dalin me disa shkrime, sikur për gjah.

Kjo sqaron edhe gjendjen faktike të intelektualëve të mirëfilltë, të cilët, ka tendenca të futën në “karantinë”, që populli e quan “lëçitje” dhe, përdoren teknika të ndryshme për të shpallur këta të fundit si “ të çmendur”. Dikush do të mundohej ta demantonte faktin e lartcekur por, mbështetja ime, do të ilustrohet me faktet më poshtë dhe, do të mundohem të jem precizë, sepse disa, karrem gjahu qeveritar, të mediave do të mund të më shpallnin edhe mua si të çmendur.


Halil Matoshi me oponencën e tij intelektuale kundër një varg, folësish pro qeveritar, të cilët u munduan të zënë vende në qeveri e që ende nuk i kanë arritur, është shpallur “i çmendur”, madje edhe është komentuar si i lojtur fare. Pse është thënë kjo? Dikur në një debat televiziv ishte thënë se, “ti nuk je me askënd, qëndron pezull”, madje është tentuar që të ngjyroset me tendencën për të hyrë në qeveri duke kritikuar, gjë të cilën e quajti të pavërtetë.

Një intelektual i pavarur mirëfilli që lexon literaturë nga më të ndryshmet, mirëpo që lexon, ngjyroset me orientim stalinist, në debat të Baton Haxhiut, një gjë e tillë është tregues i verbërisë intelektuale dhe njohëse të fakteve politike nga ana e një zëdhënësi të Qeverisë.

Fakti tjetër që tregon tendencën e futjes në “karantinë”, është etiketimi i Veton Surroit, si një i “dalë tefteri” me maratonën e ecjes së tij nëpër fshatra, duke dashur të prekë në thelb problemin e qytetarit të Kosovës. Kjo ecje sa shikohej me zili, aq më tepër fyhej e kritikohej, duke ia bashkangjitur kampanjën, një evenimenti të mashtrimit sy me sy, gjë e cila u dëshmua që nuk është e vërtetë.

Problemi i lëvduesve virtual medial, të qeverisë, të sponsorizuar apo jo, është se kanë vështirësi në kuptimin e termit Demokraci, ata “Gorkian”, citoj Halilin, lexojnë shumë pak, ose nuk lexojnë fare, sepse ta konsiderosh demokracinë si “koncept” është tregues i qartë i mosnjohjes së demokracisë dhe diplomacisë.

Sipas Sartorit, politikolog me nam botëror, në librin e tij “Edhe njëherë për demokracinë”, sqaron se demokracia nuk është koncept por, është teori, e ndryshuar, relative që vazhdimisht është plotësuar me koncepte të ndryshme, të tipit demokratik. Kur thuhet se nga kritikuesit është tejkaluar koncepti i demokracisë në kritikat e tyre, patjetër që duhet të kemi njohuri dhe të saktësojmë si cili koncept brenda kësaj teorie është tejkaluar por, arroganca e tyre për revansh nuk e justifikon qëndrimin e proklamimit shkencor por, tendencën për të njollosur dhe për ti shpallur si të çmendur kritikët.

Fakti tjetër që mbështetë tezën time është se, duke u bërë luajal ndaj qeverisë, disa intelektualë, me dashje apo pa dashje, kanë arritur që të ngatërrojnë opinionin dhe të shfaqin halucinacione në zbërthimin e brendisë së “intelektualit të vërtetë”, ata kolumnistë likuid, të kapshëm si butak, po e ofendojnë intelektualin duke ia mveshur dyfytyrësinë dhe interesin si emblemë të paganizmit intelektual, mosbesueshmëri, dhe anim me tentativa interesi.

Nëse thuhet se “qëllimi e arsyeton mjetin”, besoj që këta karrem gjahu, sa herë që dalin për gjah me shkrime, kapin viktima, viktimizojnë lexues dhe i infektojnë me ndjenjën e mosbesueshmërisë ndaj intelektualit të vërtetë, kjo shkakton irritimin e disa lexuesve që nuk janë të përgatitur psiqikisht për të përballuar doza të larta pavërtetësie.

Nëse karremat e gjahut do të kishin lexuar pak më shumë, atëherë do të kishin kuptuar se, ata jo që nuk kanë kapur asnjë koncept brenda teorisë së Demokracisë por, janë shumë larg për të prekur fushën e diplomacisë në relacion me këtë term, njëherit intelektualin nuk do ta kishin kuptuar si ushujzë që ngjitet për të mbijetuar por, si oponent faktit që demonstron fakte njohëse në fushën e zhvillimit politik.

(Autori është studiues i Shkencave politike dhe Makinerisë)