LAJMI I FUNDIT:

Kapitullimi amerikan

Kapitullimi amerikan
Ilustrim

Franco Venturini

I njëjti Donald Trump që kishte trajtuar keq aleatët e NATO-s, i njëjti Donald Trump që kishte këshilluar Theresa Mayn të padiste BE-në, i njëjti Donald Trump që e kishte quajtur “armike” Evropën, dje u kthye në një bashkëbisedues të përkulshëm, ndaj një Vladimir Putini të dalë fitues nga takimi i Helsinkit.


Në të vërtetë, kreu i Kremlinit nuk kishte nevojë t’i shkëpuste lëshime kolegut amerikan: takimi aq shumë i dëshiruar i mjaftonte. Rusia pushonte së qëni një fuqi rajonale dhe vërtetohej në sytë e botës (dhe të televizioneve ruse) një mbifuqi e përgjithshme, që flet me Amerikën në kushte barazie. Ishte ky një synim që Moska e ndiqte, që nga dita e rënies së Bashkimit Sovjetik. Por Trumpi, në mëdyshje se kjo nuk do të mund të mjaftonte, deshi t’i shtojë nga vetja diçka tjetër.

Bashkëbisedim i shkëlqyer, skajshmërisht prodhues. Heshtje mbi Krimenë. Në konferencën përfundimtare të shtypit, një gazetari amerikan, për të marrë vesh diçka, iu desh të pyeste Putinin me përgjigjen e njohur që më parë. Nëse marrëdhëniet ruso-amerikane janë më të këqijat e mundshme, kjo i kushtohet marrëzisë së administratave të mëparshme të SHBA-ve. Duhet guximi i diplomacisë, unë Trumpi jam gati të rrezikoj për paqen dhe të mirën e popullit amerikan. Ndërhyrje ruse në zgjedhjet e 2016-ës? Është një gjueti shtrigash, Putini e ka përjashtuar, unë i besoj e kam ndonjë dyshim për FBI-në. Është qesharake që Amerika dhe Rusia, që zotërojnë 90 për qind të armëve bërthamore, të paralizohen nga këto hetime që janë një katastrofë e vërtetë.

Më pas, në një çast të mirë, një top i kampionatit botëror të sapo mbyllur i dhurohet Trumpit nga Putini (në shkëmbim të dhuratave të tjera). “Tashmë topi është në fushën e Amerikës”, një kuptim i dyfishtë jo i denjë për një ish-KGB, të tjera buzëqeshje, të tjera falënderime, të tjera premtime për të punuar së bashku e për t’u takuar sërish shpejt.

Të kuptohemi, i gjithë ky është një lajm i mirë. Nëse Amerika e Rusia i shtrijnë dorën njëra -tjetrës, në vend që të kërcëllijnë dhëmbët siç bëjnë prej më se një viti, nëse konkretizohet një vullnet i përbashkët për të rimarrë udhën e çarmatimit atomik, nëse mendohet të përballohen krizat rajonale me një shpirt bashkëpunimi, sigurisht mund të thuhet se mbas Helsinkit kemi vetëm deklarata qëllimesh (si në Singapor me Kim Jong-unin), por askush nuk mund të mohoj pa keqdashje se bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv.

Megjithatë disa pyetje vihen. Përse Trumpi është kaq agresiv me aleatët e aq lëshues, me atë që ai vetë e ka përcaktuar si një kundërshtar? Përse presidenti bie në kundërshtim me vetveten, kaq lehtësisht sa të duket edhe karikatural? Takimi i Helsinkit na ndihmon të kuptojmë, aty ku vërteton se Tramp-ër janë dy. Njëri, ai më i studiuari, i flet bazës së tij zgjedhore n’Amerikë dhe është tashmë në fushatë për t’u rizgjedhur më 2020: ky Trump kërkon me zë të lartë të ndreqë skandalin e harxhimeve për mbrojtjen e Evropës, keqtrajton zonjën Merkel, gjuan me top kundër “soft Brexit-it” të Theresa Mayt (një tjetër grua), përcakton armike edhe se vetëm në tregti Evropën, çirret mbi gjithë ata kapituj që duken se janë në kundërshtim me doktrinën Amerika First. Me përjashtim kur bëhet një tjetër Trump, që ve marrshin mbrapa, përgënjeshtrohet, lëvdon NATO-n dhe Mayn, por me pak bujë mediatike e atëherë kur mesazhi i vërtetë ka shkuar tek ata që duhet t’a dëgjojnë.

Mirë pra, Rusia dhe Putini janë të përsosur për Trumpin e parë dhe nuk ka nevojë më të ndërhyjë më mbrapa tjetri. Të punohet për paqen, a nuk e duan të gjithë zgjedhësit? Nëse gjërat shkojnë keq, i kujt është faji? I Obamas, i demokratëve dhe mediave, përsosur. Hetimet mbi ndërhyrjet e Moskës në zgjedhjet e 2016 janë një komplot, Putin është i besueshëm. E pastaj, duke bashkëpunuar me Moskën, mund të zgjidhen aq probleme, edhe përtej pakteve të çarmatimit. Ndërmjet të tjerave, nëse Koreja e Veriut nuk do të furnizojë pjesën e fortë për të ndihmuar rizgjedhjen më 2020, mund të mendojë Rusia.

Java e Trumpit n’Evropë na ndihmoi për t’a njohur më mirë. Por nëse në Nato evropianët me shumë mund do të arrijnë të harxhojnë për mbrojtjen dy për qind të PPB-së (jo më shumë) ndërmjet 2024 dhe 2030, nëse Theresa May do të vazhdojë të luftojë deri sa t’a lenë, nëse gjurmët e kalimit të Trumpit janë mjaft të dobëta konkretisht (por jo për zgjedhësit e tij), çfarë mbetet nga takimi i Helsinkit?

Sigurisht vazhdimi i përpjekjeve të Putinit, në marrëveshje me Netanyahun më shumë se sa me Trumpin, për të larguar milicitë iraniane nga kufijtë izraelianë e jordanezë. Ndoshta edhe një përpjekje marrëveshjeje mbi traktatin Inf, që ndalon raketat me rreze të mesme veprimi n’Evropë, veç një bashkëbisedimi ruso – amerikan për të zgjatur edhe pesë vjet ”Startin e ri”, traktatin e firmosur nga Obama e Medvedjev më 2010 e që mbaron më 2021. Në lidhje me të, dje nuk pati njoftime të sakta, por Trump-i dhe Putini disa herë kanë përmendur përgjegjësinë e tyre si mbifuqi bërthamore. Mbi të gjitha, 2020 do të ishte vërtetë i përsosur, për t’i njoftuar zgjedhësve amerikanë këtë marrëveshje. /“Corriere della Sera”, 17 korrik 2018/E përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika/