Kapet me dron duke ndezur zjarr në Nashec, zjarrfikësit e Prizrenit ndërhyjnë menjëherë

Një person është kapur në flagrancë duke ndezur zjarr në një arë në fshatin Nashec të Prizrenit, ndërsa flakët kishin përfshirë edhe disa drunj.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:00, kur Brigada e Zjarrfikësve në Prizren, gjatë patrullimit me dron në terren, ka vërejtur një person duke djegur barishte në një arë.
Ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Sipas zyrtarëve të Brigadës së Zjarrfikësve në Prizren, personi është kapur në flagrancë dhe rasti është raportuar në Polici. Rasti po trajtohet si zjarrvënie e qëllimshme.
Nga Brigada e Zjarrfikësve në Prizren u është bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, pasi rreziku i përhapjes së tyre është shumë i lartë, veçanërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura mbi 30 gradë. /Telegrafi/









































