LAJMI I FUNDIT:

Kantonizimi i Kosovës, synim taktik apo realizim faktik!

Ndarje apo bashkim pas “ bisedimeve teknike”:

Disa lexues, pas leximit të shkrimeve të mia po reagojnë pse po e ndaj Kosovën në pjesën Veriore dhe Jugore dhe pse nuk po e dua Behgjet Pacollin! Madje, se nuk po e vlerësoj aspak angazhimin patriotik të Behgjet Pacollit, altruizmin e tij e sidomos lobimin që po e bënë ai për njohjen e pavarësisë së Kosovës! Disa shkojnë aq larg duke më akuzuar se kam urrejtje ndaj patriotit dhe bamirësit të madh Pacolli! Dua thjesht të demantoj edhe të parën, edhe të dytën. Po e filloj nga e dyta.


Vlerësimet për Behgjet Pacollin i kam bërë publike më herët duke deklaruar se ai mund ta kontestojë edhe faktin se rrota është e rrumbullakët mirëpo politikan nuk do të bëhet asnjëherë! Askush nuk mund t’i mohojë këtë të drejtë e as vullnetin e tij apokaliptik për t’u bërë President i Kosovës në kohën kur, nga kryetari i AKR-së u shndërrua në PRESIDENT të AKR-së sepse titulli kryetar ishte në shpërputhje me ambiciet e tij! Dhe se nuk tingëllonte shumë evropiançe! Titulli kryetar më tepër korrespondonte me Kazakistanin, Kirgistanin dhe shtetet e tjera “ demokratike” që u formuan pas demolimit të ish Bashkimit Sovjetik! Mos ta harroj këtu edhe Bellorusinë, si djep të demokracisë lindore. Në këto mjedise, Behgjet Pacolli ka bërë karrierë dhe i ka fituar këmbët!

Kur botërisht e pata përkrahur Behgjet Pacollin me rastin e tenderit të ish Pallatit të Shtypit që e kontestonin shumica, mua më sulmonin se po bëhem gati të bëhem pjesë e AKR-së. Në vlerësimet e mia për Behgjet Pacollin mund edhe të gaboj, sidomos për patriotizmën dhe bamirësinë e tij! Por këtë nuk e bëj me asnjë qëllim apo paragjykim por thjesht, deri më sot nuk kam siguruar informata të mjaftueshme që të bindem se e kam gabim! Është e pakuptueshme që në kohën kur Serbia ka ndërtuar dhe po i forcon më shumë institucionet paralele në Kosovë, të ndërtohet edhe një sistem paralel për lobim siç po veprohet sot, për mua është aq sa e papranueshme po aq edhe e paarsyeshme!

Në emër të kujt Behgjet Pacolli organizon takime me burrështetas të huaj dhe në emër të cilit protokoll e bën këtë? Nëse e bën në emër të presidentit Fatmir Sejdiu apo kryeministrit Hashim Thaçi dhe me lejen e tyre atëherë ky aktivitet duhet të legalizohet! Së paku do të hiqeshin dilemat! Unë nuk e kam të qartë vërtetë nëse kjo bëhet në mënyrë të rregullt apo sipas një protokolli klandestin?! Asnjë shtet në botë nuk e lejon diplomacinë ilegale, paralele sepse do të dukej shumë joserioz në sy të botës. Te ne kjo duket se është dukuri normale dhe Behgjet Pacolli , duke i shfrytëzuar lidhjet e tij si dhe mundësitë materiale po punon sipas parimit, një udhë e dy punë!

Përmbajtja e këtyre vizitave është interesi në fushën e biznesit ndërkaq ambalazhimi është lobimi për pavarësinë e Kosovës! Andaj, nuk besoj aspak në qëllimin e tij të mirë, aq më parë se te ne është sforcuar bindja se nëse ke para i ke të gjitha dhe se çdo gjë mund të blihet me para, përfshirë këtu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës! Kush është i marrë dhe kush nuk e dinë se në ç’farë kushtesh bëhet pranimi i shteteve nuk e ka të ndaluar të besojë se Kosovës i duhen dy ministri apo edhe më shumë të punëve të jashtme! Behgjet Pacolli është shumë më i dobishëm për Kosovën nëse angazhohet në planin e zhvillimit ekonomik se sa në atë politik. Sa më parë ta kuptojë këtë, aq më mirë do të bëhet për vet Pacollin e sidomos për Kosovën!

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në të përditshmen Epoka e Re, në shkrimin “Qiproja e Mitrovicës dhe Hilandari i Graçanicës” pata shkruar se Kosova po ndahet përfundimisht në dy entitete politike dhe etnike, shqiptare dhe serbe! Nuk ka qenë ky ndonjë parashikim që ka kërkuar një analizë të veçantë apo demonstrim të jashtëzakonshëm të dijes por më tepër mund të interpretohet si një përpjekje për shkëputje nga situata euforike e krijuar nga pinjollët e Rambujesë dhe ”miqtë” ndërkombëtarë! Mitrovica dhe Kosova ishte ndarë në Konferencën e Rambujesë ndërsa tash po përmbushet ana teknike e kësaj ndarjeje! Krejt këto Strategji për Veriun dhe “ të emëruarit” për zbatimin e Strategjisë janë përpjekje për të blerë kohë dhe mashtrim optik! Asgjë tjetër!

Nuk ka dyshim se “Republika Srpska” në Kosovë po jetësohet dhe po legalizohet, pa u kundërshtuar nga askush! Këta që janë në “pushtet” nuk mund ta bëjnë këtë sepse me kohë janë ngulur në kunj andaj aspak nuk u leverdisë të lëvizin sepse: ”sa më shumë të lëvizin, do të ngulen edhe më shumë”! Edhe zgjedhjet e fundit lokale të Serbisë që u organizuan në Mitrovicën e Veriut dhe Novobërdë u bënë me përkrahjen e “miqve” ndërkombëtarë ndërkaq institucionet vendore u deklaruan se nuk kanë resurse, potencial dhe mundësi t’i pengojnë këto zgjedhje në Kosovën e pavarur dhe sovrane ndërkaq që kishin potencial dhe resurse për t’i zhdëp me stupca pjesëmarrësit në varrimin e Ali Aliut në përpjekje për arrestimin e armikut nr.1 të Kosovës, EULEX-it, Serbisë, BE-së dhe OKB-së, Albin Kurtit!

Me fjalë të tjera, mosintervenimin në Veri të Mitrovicës po e arsyetojnë për shkak të mungesës së vullnetit politik ndërkaq intervenimin në varrimin e Ali Aliut po e konsiderojnë si detyrim shtetëror! Opozita e Kosovës, i thënçin opozitë po e sulmon pozitën pse nuk i ka penguar këto zgjedhje serbe të cilat e paskan cenuar rëndë integritetin e sidomos sovranitetin e Kosovës ndonëse e dinë shumë mirë se në këtë kontekst nuk janë në gjendje ta trembin as macen nga përsheshi! Sepse, opozita e tashme ka qenë pjesë shumë aktive e të gjitha allishverisheve për gjendjen e krijuar në Veri të Kosovës dhe me asgjë nuk e ka kundërshtuar këtë proces, që nga Rambujeja deri te Ahtisari andaj janë pjesë e përgjegjësisë historike dhe këtij turpi kombëtar! Andaj, po e vajton ndarjen e Kosovës me shami në dorë sikur që e kishte vajtuar Eqrem Kryeziu largimin nga LDK- të Edita Tahirit dhe Edi Shukriut!

Ndërkombëtarët Kosovën e kanë shndërruar jo në Banana Republikë por në Republikë të Pasulit! Të gjithë ishim dëshmitarë të “ konfrontimit” të protestuesve shqiptarë dhe serbë, jo në Somali por në urën që e ndanë Mitrovicën, Urën e Bajramit dhe pas kësaj të gjithë e lavdëruan policinë e Kosovës e cila” nuk ra pre e provokimeve” por e menaxhoi situatën e krijuar për mrekulli duke e penguar përshkallëzimin e saj! Këto fjalë miradie erdhën nga politikanët e vendit dhe ata ndërkombëtarë! Në ndërkohë, një protestues serb, me flamurin e Serbisë në dorë vetëm sa nuk ia futi në gojë shtizën e flamurit një polici të Kosovës! Dhe atëhere polici e spërkati pakëz me një sprej për dezinfektim në vend se ta prangosë dhe me procedurë të shpejtuar ta përcjellë te gjykata përkatëse! Menaxhimi i situatës do të llogaritej i suksesshëm vetëm nëse do të pengohej mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nëse do të arrestoheshin dhe dënoheshin politikanët e Serbisë që organizojnë orgji nacionaliste dhe shoviniste në Kosovë dhe nëse në mënyrë efektive do të kontrollohej territori i Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës nuk ka nevojë fare ta ruaj kufirin në Urën e Bajramit sepse këtë e bëjnë në mënyrë shumë efikase Rojat e Urës të Nikoliqit, Koshtunicës, Sheshelit, Tadiqit, Ivanoviqit dhe ndërkombëtarët! Serbia as që është e interesuar ta ndajë Kosovën duke ia amputuar Veriun sepse e kontrollon 100%.

Madje, për Kosovën do të ishte e leverdishme që Serbia ta bëjë këtë sepse çështja shqiptare në Ballkan do të zgjidhej në mënyrë të përshpejtuar dhe definitivisht! Me kontrollin efektiv të Veriut dhe enklavave serbe brenda Kosovës dhe gjithashtu me përkrahjen e “ miqve” ndërkombëtarë, Serbia e kontrollon më lehtë Kosovën se ta kishte të instaluar pushtetin në tërë territorin e Kosovës! Serbia në këtë mënyrë po e mban pezull Kosovën duke e kërcënuar stabilitetin e saj përmes Veriut dhe strukturave paralele në enklava. Falë potencialit destabilizues Serbia po përfiton në planin ndërkombëtar ndërkaq Kosova, falë nënshtrimit a priori për çdo gjë para ndërkombëtarëve është vënë në pozitë poshtëruese!

Kërcënimet e disa politikanëve super të korruptuar të Kosovës dhe super injorantë se, nëse ndodhë kjo ndarje atëherë do ta hapin Kutinë e Pandorës duke e aktivizuar krizën në Luginën e Preshevës është vetëm “një pordhë e ftohtë që kundërmon aq sa edhe vet ata politikanë”! Tash, ky kërcënim nuk ka peshë as në Maqedoni si ka pasur përpara, shqiptarët po e pësojnë, politikisht dhe fizikisht! Duhet ta pranojmë se nuk kemi një politikë kombëtare që i krijon dhe zbaton politikat kombëtare në planin global por në vend të saj kemi politikanë të komprometuar politikisht, kombëtarisht, moralisht dhe të korruptuar materialisht andaj edhe politika kombëtare është parcializuar dhe margjinalizuar! Për këtë arsye do të përballemi me probleme të mëdha edhe në të ardhmen. Në fund të pusit jemi, më poshtë nuk kemi ku të shkojmë!

I kemi vetëm dy mundësi, ose të mbesim aty ku jemi ose të bëjmë përpjekje të shpëtojmë! Duhet ta bëjmë këtë të dytën!

Deklarimi i pasurisë si gjendja e pastërtisë:

Të gjithë e dimë se çfarë pastërtie kemi në Kosovë pavarësisht a flasim për fshatra, qytete, lumenj, liqe, male, livadhe etj. I tillë ishte edhe deklarimi i pasurisë i një numri jo të vogël të politikanëve kosovarë! Duhet të jetosh së paku 10 vite si refugjatë nën çadra në Somali, të jesh aborixhin i Australisë apo i mbijetuar i Hiroshimës, në rrethana normale apo të jesh së paku 102% idiot e të besosh në këto të dhëna që janë paraqitur nga një numër i politikanëve janë të sakta. Mirëpo, nga ky deklarim, së paku mësova diçka! Nuk e paskam ditur se është shumë më i shtrenjtë çmimi i tokës në Negroc dhe disa fshatra të tjera nga vinë politikanët që e kanë deklaruar pasurinë se për shembull çmimi i tokës në Floridë, Tokio, San Trope, Kapri apo në Rodos!

Duket se ka diçka shumë të vlefshme nën atë tokë, ose uranium të pastër, ose janë të groposura tenderët! Pastaj, nuk kam besuar se çmimet e banesave dhe shtëpive në Prishtinë shiten me çmim aq të ulët! Merreni me mend, shtëpia prej 300 metrave dhe 6 ari truall në vendet më atraktive të Prishtinës vlerësohen në 120.000 euro! Hajt rrenë, hajt!

Shpallje për shpërblim:

I lus të gjithë ata që kanë ndonjë informatë për kryeprokurorin e EULESH-it, holandezin van Vresviijk të më lajmërojnë ngase jam shumë i brengosur për te. Ndonëse jam lexues i rregullt i të gjitha gazetave ditore, një kohë të gjatë nuk kam dëgjuar për te! Nuk ka më intervista, as në mediat elektronike e as të shkruara! Ka humbur njeriu! Sinqerisht jam i brengosur për te.

Informatorin e parë, (nëse është prodhim vendor) ia ofroj dy shpërblime; 1. kafe mëngjesi për një javë me Alex Andersonin ish shef i zyrës së ICG- së në Prishtinë dhe 2. raportin e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut të cilin e ka përpiluar gjithashtu Alex Anderson, aktualisht shef i askujt!

Siç po e shihni, shpërblimi është në përputhje të plotë me kualitetin dhe peshën e informatës!

Shtëpia e Verdhë dhe faqja e zezë:

Jam në përfundim të leximit të librit të Karla del Pontes dhe kam një dilemë të madhe se kush më shumë e urrente luftën e UÇK-së, Karla del Ponte apo Slobodan Millosheviqi ?! Dallimi në urrejtje është sa një fije floku! Disa faqezinj të OJQ-ve në Kosovë e përkrahnin “ ekzistimin” e Shtëpisë së Verdhë më shumë se vet Karla dhe për këtë i mbushën thasët me para. Ndërsa, unë dhe organizata ku punoj u sulmuam ngase konsideronim se kjo ishte rrenë ordinere!

Në këtë kontekst, komandanti i forcave të armatosura serbe, gjenerali Miloje Miletiq u takua në Prishtinë me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler, pa i pyetur fare institucionet e Kosovës së pavarur dhe sovrane!

Vizita e radhës thuhet se do të jetë ajo e Vojislav Sheshelit i cili, për shkak të agjendës së ngarkuar po përpiqet të gjejë kohë të lirë dhe të takohet me Zanierin, Fejtin dhe Kermabon për të biseduar për zgjedhjet e fundit lokale që i organizoi Serbia në Kosovë dhe për bashkëpunimin e ardhshëm për konsolidimin e pushtetit lokal! Pse jo?!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
Ai ishte yll i futbollit - tani në moshën 31-vjeçare mund të kthehet aty ku e nisi karrierën

Ai ishte yll i futbollit - tani në moshën 31-vjeçare mund të kthehet aty ku e nisi karrierën

Ndërkombëtare
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Lajme
Kalo në kategori