LAJMI I FUNDIT:

Kanceri i gjirit – Rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit

Kanceri i gjirit – Rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit
Prof.dr. Emine Devolli Disha, Radio-onkologe & ultrasoniste

Kanceri i gjirit vazhdon të paraqesë një sfidë të madhe për shëndetin publik, por përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore, edukimi dhe avancimet në trajtim ofrojnë shpresë për të reduktuar incidencën dhe mortalitetin e kësaj sëmundjeje. Njohja e faktorëve të rrezikut dhe rëndësia e diagnostikimit të hershëm mbeten çelësi në luftën kundër kancerit të gjirit

Prof.dr. Emine Devolli Disha
Radio-onkologe & ultrasoniste
Tel. 044 193 445

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të ndikimit të thellë që kanceri i gjirit ka në jetët tona, familjet tona dhe shoqërinë në tërësi. Çdo tetor, muaji i luftës për kancerin e gjirit na kujton rëndësinë e ndërgjegjësimit, edukimit dhe mbështetjes së atyre që preken nga kjo sëmundje. Kanceri i gjirit është një ndër karcinomat më të shpeshtë te gratë dhe shkaktari i dytë i vdekjes nga kanceri. Rritja e numrit të kancerit të gjirit tregon nevojën për të përmirësuar njohuritë tona mbi faktorët e rrezikut, metodat e parandalimit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.


Çdo e 8 grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit dhe rreziku rritet me moshë. Incidenca është e ulët në moshën 20 vjeçare, rritet mbi moshën 30 e sidomos 40 vjeçare. Rritje më të madhe kemi mbi moshën 50 vjeçare, ku mbi 75% të grave të diagnostikuara me kancer të gjirit janë mbi moshën 50 vjeçare. Kanceri i gjirit mund të prek edhe meshkujt në raport 1:100.

Duke qenë se nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar sëmundjen, qëllimi i vetëm është zbulimi i saj në fazën fillestare. Kur tumori zbulohet në kohë (madhësia deri në 1 cm), është i shërueshëm në mbi 90% të rasteve. Përveç madhësisë së tumorit, për prognozën e sëmundjes janë të rëndësishme edhe lloji i kancerit, shkalla e malinjitetit (gradusi), shtrirja në nyjet limfatike të nënsqetullës, statusi hormonal dhe statusi HER-2. Të gjithë parametrat e përmendur janë të rëndësishëm edhe për llojin e trajtimit.

Çfarë e shkakton kancerin e gjirit?

Shkaku i saktë i kancerit të gjirit është i panjohur, por janë identifikuar disa faktorë rreziku për zhvillimin e sëmundjes.

Faktorët e rrezikut që mund të ndikojnë në paraqitjen e kancerit të gjirit janë:

Menarha para moshës 12 vjeçare, menopauza pas moshës 50 vjeçare,
Gratë që nuk kanë lindur, lindja e parë pas moshës 30-35 vjeçare,
Gratë me ndërrime fibrocistike të gjinjve me hiperpalazi epiteliale dhe qeliza atipike si dhe me papillomatoz multiple janë më të rrezikuar nga kanceri I gjirit,
Gratë që janë mjekuar nga kanceri i njërit gji, janë më të rrezikuar të sëmurën nga kanceri në organet tjera si dhe në gjirin tjetër,
Gratë me anamnezë familjare pozitive, pra me kancer të gjirit në familjen e ngushtë (nëna, motra, gjyshja, tezja) janë më të rrezikuara; rreziku rritet nëse ai i afërm është diagnostikuar me kancer të gjirit para menopauzës,
Ndërrimet në gjenin BRCA 1 dhe BRCA 2 e rrisin rrezikun për kancerin e gjirit.
v Rrezatimi jonizues ka ndikim të dëmshëm nëse është bërë në periudhën e zhvillimit të gjinjve,
Gratë në menopauzë që marrin terapi plotësuese hormonale janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit,
Jo ushqyerja me gji,
Përdorimi afatgjatë i pijeve alkoolike, dy ose me shumë gota në ditë,
Obeziteti, konsumimi i duhanit, pasiviteti fizik e tjera.

Simptomat e kancerit të gjirit

Duhet cekur se kanceri i gjirit në stadin e hershëm nuk ka simptome. Si simptoma të kancerit të gjirit janë:

Nodusi që nuk shkakton dhimbje. Varësisht prej stadit të sëmundjes mund të jetë i lëvizshëm në stadet e hershme ose i fiksuar për muskujt pektoral ose lëkurë,
Tërheqja e mamillës (thithit) brenda kjo ndodh kur kanceri është i lokalizuar në regjionin prapa saj,
Sekrecioni me ngjyrë të kuqe nga mamilla, edhepse në 50% të rasteve mund shkaktohet si pasojë e ndërrimeve beninje intraduktale papillomave,
Ndryshime në pamjen e mamillës (thithit) si skuqje, qarje,
Gjëndra në nënsqetull,
Skuqja, ënjtja e gjirit ku lëkura e gjirit merr dukjen si lëvorja e portokallit.

Diagnostikimi i kancerit të gjirit

Gjiri i takon organeve që lehtë mund të kontrollohet që ka rëndësi për diagnostikimin e shpejt dhe të suksesshëm. Këtu bëjnë pjesë:

• Vetëkontrollimi i gjinjve,
• Ekzaminimi klinik.

Prej metodave imazherike:

• Ultrazëri,
• Mamografia,
• Rrezonanca magnetike,
• Citodiagnostika, core biopsia dhe biopsia.

Vetëkontrollimi i gjinjve duhet të bëhet një herë në muaj pas ciklit menstrual, kjo shprehi nevojitet të përsëritet tërë jetën, poashtu gratë në menopauzë vetëkontrollimin e gjinjve duhet ta bëjnë një herë në muaj.

Gjatë vetëkontrollimit të gjinjve duhet qëndruar para pasqyrës me duar të lëshuar poshtë, duke i ngritur ngadalë mbi kokë, duke përqendruar vëmendjen në ndryshimin e formës dhe madhësisë së gjirit, në kokërrzat, në rrudhjen e lëkurës, në retrakcionin e mamillës, në shtrydhje të mamillës a rrjedh lëng me ngjyrë të bardh, të verdhë, kafe apo të kuqe.

Vetëkontrollimi i gjinjve duhet të bëhet në pozitë të shtrirë dhe në këmbë gjatë dushit.

Mamografia

Është metoda më e zakonshme e ekzaminimit e cila nuk është e dëmshme, sepse pajisjet e gjeneratës së re lëshojnë rrezatim minimal. Mamografia mund të zbulojë tumoret që nuk janë klinikisht të prekshëm, sidomos mikrokalcifikatet që janë shenjë e hershme e kancerit të gjirit.

Është e rëndësishme të theksohet se jo të gjitha tumoret ekzistuese mund të shfaqen në mamografi (gjetjet false negative janë deri në 30%).

Ultrazëri

Ultrazëri luan një rol të rëndësishëm në diagnostikimin e kancerit të gjirit, është një teknikë imazherike e cila nuk ka rrezatim, që krijon imazhe në kohë reale të gjinjëve tuaj, duke ofruar një metodë të sigurt dhe jo invazive për vlerësimin e masave të dyshimta në indin e gjirit.

Ultrazëri është metodë themelore diagnostike te mosha e re kur parenhima gjëndrore e gjinjëve është më e dendur, te shtatzënat, te gratë në fazën e laktacionit, te gratë që marrin terapi plotësuese hormonale. Duke qenë se ekzaminimi me ultrazë nuk ka rrezatim ajo mund të kryhet pavarësisht nga cikli menstrual. Me kombinimin e ultrazërit dhe mamografisë, diagnostikimi i tumoreve mund të bëhet në mbi 90% të rasteve.

Ultrazëri poashtu ka rëndësi për ekzaminimin e gjëndrave limfatike të regjionit të nënsqetullës, të regjionit supra dhe infraklavikular ku mund të dallohen gjëndrat limfatike metastatike nga gjëndrat limfatike normale. Ultrazëri ka rëndësi për ekzaminimin e muskujve pektoral ku mund të vërehet thellësia e infiltrimit të muskulit pektoral dhe strukturave tjera që ka rëndësi për planifikimin e intervenimit kirurgjik.

Rezonanca magnetike

Nuk është një ekzaminim rutinë i zakonshëm, mund të përdoret në rrethana të caktuara, si te pacientët me një histori familjare të kancerit të gjirit, me mutacione në gjenin BRCA1 dhe BRCA 2, me implante të gjirit, nëse ekziston dyshimi për tumore multicentrike ose nëse rezultatet e teknikave tjera imazherike nuk japin rezultat përfundimtar. Rezonanca magnetike përdoret gjithashtu për të parë nëse një tumor i është përgjigjur trajtimit si dhe për të planifikuar terapi të mëtejshme.

Biopsia

Është metoda më e sigurt dhe më e saktë e vënies së diagnozës së kancerit të gjirit. Biopsia e tumorit jep informacion rreth llojit të kancerit të gjirit dhe ndihmon në planifikimin e trajtimit.

Metodat për trajtimin e kancerit të gjirit

Varësisht nga stadi i sëmundjes trajtimi bëhet me:

Intervenim kirurgjik,
Kimioterapi,
Radioterapi,
Hormonoterapi,
Terapi të synuar dhe
Trajtim paliativ.

Kirurgjia

Dy llojet e operacioneve për kancerin e gjirit janë operacioni kursyes i gjirit, në të cilin kirurgu heq tumorin, por e ruan gjirin dhe mastektomia, kur hiqet i gjithë gjiri. Nëse nyjet limfatike të nënsqetullës duken se nuk janë prekur nga kanceri në testet e imazherike, atëherë duhet të kryhet një teknikë e quajtur biopsi e nyjeve limfatike sentinel. Kjo identifikon nyjen limfatike më të afërt, nëse në atë nyje nuk zbulohen qeliza kanceroze, atëherë nuk hiqet asnjë nyje tjetër limfatike, por nëse kanceri gjendet në atë nyje limfatike, duhet të hiqen më shumë nyje limfatike pra bëhet disekcioni axillar.

Pacientëve që i nënshtrohen mastektomisë, zakonisht duhet t’u ofrohet rindërtim i menjëhershëm ose i vonuar i gjirit, përveç në rastin e kancerit inflamator të gjirit.

Radioterapia

Radioterapia është trajtim me rrezatimin jonizues, i cili dëmton acidin dezoksiribonukleinik (ADN-në) të qelizave kancerogjene, duke shkaktuar vdekjen e tyre. Radioterapia zakonisht bëhet pas operacioneve kursyese të gjirit pra te ruajtja e gjirit dhe mund të bëhet edhe pas mastektomisë. Te pacientët me sëmundje të avansuar radioterapia mund të aplikohet pas trajtimit sistemik. Radioterapia poashtu aplikohet te pacientët me metastaza në kocka për të trajtuar simptomat e dhimbjes si dhe te metastazat në tru për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve.

Terapia sistemike

Ekzistojnë disa lloje të terapisë sistemike me të cilat mund të mjekohen pacientët me kancer te gjirit, varësisht nga lloji dhe faza e sëmundjes:

Kimioterapia

Kimioterapia shkatërron qelizat kancerogjene dhe përdoret për të trajtuar kanceret negative të trefishta, HER2 pozitive dhe luminale B. Kimioterapia zakonisht jepet çdo 1–3 javë si infuzione intravenoze. Disa pacientëve mund t’u ofrohet edhe kimioterapi shtesë orale pas përfundimit të kimioterapisë standarde intravenoze.

Terapia endokrine

Terapia endokrine synon të zvogëlojë efektet e estrogjenit në kancerin e gjirit estrogjen pozitiv. Ky është lloji më i rëndësishëm i trajtimit sistemik për tumoret estrogjen pozitiv, të quajtur edhe tumore të varura nga hormonet.

Terapia e synuar

Terapia e synuar për kancerin e gjirit është një qasje moderne që fokusohet në targetimin e veçorive specifike të qelizave kancerogjene. Kjo metodë përdor ilaçe që bllokojnë receptorët ose rrugët molekulare që ndihmojnë në rritjen dhe përhapjen e kancerit.

Trajtimi paliativ

Trajtimi paliativ përfshin menaxhimin e simptomave te pacientet me metastaza. Pacientët me metastaza në kocka duhet të trajtohen me ilaçe si bifosfonate në kombinim me shtesat e kalciumit dhe vitaminës D. Kjo terapi forcon kockën duke zvogëluar dhimbjen e kockave dhe rrezikun e frakturave patologjike.

Mbështetja për të pacientet me kancer të gjirit

Për gratë që janë diagnostikuar me kancer të gjirit, mbështetja emocionale dhe psikologjike është po aq e rëndësishme sa trajtimi mjekësor, pasi ndihmon në përballimin e frikës dhe ankthit, përmirëson cilësinë e jetës dhe rrit aftësinë për të përballuar sfidat e sëmundjes. Kjo mbështetje mund të ofrohet përmes grupeve mbështetjeje, këshillimit profesional dhe resurseve për edukimin dhe informimin e pacientëve dhe familjeve të tyre.

Sa shpesh duhet të bëhet përcjellja e pacientëve të mjekuar?

Pasi të ketë mbaruar trajtimi, kontrollet duhet të bëhen çdo 3-4 muaj në 2 vitet e para, çdo 6-8 muaj nga vitet 3-5 dhe një herë në vit pas kësaj.

Angazhimi ynë për të rritur ndërgjegjësimin, ofruar mbështetje dhe zhvilluar trajtime të reja është thelbësor për të luftuar kancerin e gjirit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Sjelljet antisociale të adoleshentëve

Sjelljet antisociale të adoleshentëve

Kalo në kategori