Pse duhet të hapet Kutia e Pandorës në Ballkan?

Kutia e Pandorës është një mit grek dhe sipas mitologjisë greke thuhet se kur u bë hapja e kutisë së Pandorës gjithë të këqijat dolën nga kutia në këtë botë. Kjo kuti ishte një dhuratë e Zeusit për Pandorën, e cila ishte e martuar me Titanin Epimete. Kutia nuk duhej të hapej, por nga kureshtja e saj e tepërt Pandora e kishte hapur atë. Dhe që nga ajo kohë shumë te këqija erdhën në këtë botë. Para se të hapej kutia, njerëzimi nuk njihte të keqen dhe sëmundjet e ndryshme dhe njerëzit si edhe zotërat mbi të gjitha ishin të pavdekshëm. Por para se Elpisi (Shpresa) të dalë nga kutia, ajo u mbyll përsëri. Kështu për një kohë bota u bë një vend i pamëshirshëm, derisa Pandora hapi përsëri kutinë dhe në botë doli Elpisi (Shpresa). Në ditët e sotme hapja e "Kutisë së Pandorës" është sinonim për një gjë shumë të ndërlikuar që sjellë kob, fatkeqësi, por që sjellë edhe shpresë


Pandora gjatë hapje së kutisë magjike

Ka një kohë që qarqe të ndryshme politike si shqiptare, por edhe ndërkombëtare aludojnë për një zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare në Evropën Juglindore, e kjo nënkupton ndryshimi i kufijve të Ballkanit, apo ndryshe “hapjen e kutisë së Pandorës”.

Duke parë vështirësitë që ka “Plani i Ahtisarit” për t’u zbatuar në Kosovë, i pari në drejtim të ndryshimit të këtij plani ishte senatori amerikan Dana Rohrabacher, i cili kohë më parë kishte propozuar shkëmbim territoresh në mes të një pjese të veriut të Kosovës me tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, përkatësisht të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por edhe të ndryshimit të kufijve të tjerë. Edhe pse politika zyrtare amerikane konfirmon mos ndryshimin e kufijve të shteteve të Ballkanit, ajo karshi problemit shqiptar është shumë pragmatike dhe jep shpresë se mund të ndryshoj në mbështetje të projektit të ri të zgjidhjes përfundimtare, të drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar për të jetuar në një shtet të përbashkët shqiptar. Ideja e senatorit Rohrabacher nuk ishte e rastësishme, por jep sinjale që politika amerikane është në lëvizje e sipër.

Tani, pas rastit të Radushës, përkatësish pas ekzekutimit klasik të katër shqiptarëve nga pushteti sllavo-maqedonas, pas gjendjes jostabile politike në Shqipëri, pas skandaleve korruptive në Kosovë dhe pas gjendjes së rëndë të sigurisë në Luginë të Preshevës janë krijuar kushtet për një Marrëveshje të re me faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen përfundimtare të problemit të tyre në Ballkan. Padyshim, ekzekutimi i shqiptarëve të Maqedonisë ishte një ngjarje ogurzi, ishte një kopje e njohur nga skenari i Buçkovskit një ish’ministri të punëve të brendshme të këtij shteti, i cili vite më parë kishte ekzekutuar në të njëjtën formë disa pakistanezëve dhe kishte ngritur akuzën ndaj tyre si terroristë të Al’Kaides duke dashur të alarmojë botën për kinse rrezikun që i kanosej këtij shteti nga ekstremistët islamik. Më vonë, si pasojë e këtyre ngjarjeve makabre erdhi lufta dhe ky rast duhet të jetë mësimi i fundit i shqiptarëve se ky shtet nuk garanton kurrfarë ardhmërie për ta dhe fëmijët e tyre.

Padyshim, kësaj ngjarje një kontribut të madh i kishin dhënë edhe vetë politikanët shqiptarë të Maqedonisë, të cilët duke anashkaluar problemet e vërteta të popullatës shqiptare dhe duke i shërbyer këtij shteti me devotshmëri të madhe, por edhe politika e Tiranës dhe Prishtinës. E pakuptueshme është indiferenca e shtetit shqiptar dhe mos reagimi i tij. Si është e mundur të vriten shqiptarët dhe të mos ketë kurrfarë reagimi shtetërorë nga Shqipëria? Kjo është e pakuptueshme?! Politika e Tiranës është një politikë pa politikë, e cila në vend që të jetë në shërbim të bashkëkombësve të vet, ajo ka hapur probleme të mëdha në oborrin e vet. Gjithmonë kur në Tiranë ndodhin “ngjarjet e mëdha” për kombin, këndej derdhet gjak shqiptari dhe nuk ka kush t’i mbrojë, sepse politikanët e Tiranës kanë për kauzë kombëtare pushtetin e jo gjakun e bashkëkombëseve të vet. Ndërsa, politikanët e Kosovës pas aferave të fundit për korrupsion dhe hajni të pafund kanë humbur busullën e orientimit dhe nuk ju ka mbetur autoritet në popull për t’i besuar që sado pak të ndihmojnë bashkëkombësit e tyre.

Politikanët kosovarë më shumë shquhen si servil të politikës së huaj dhe nuk kanë asgjë në dorë. Projektet e tyre nuk kanë ndonjë peshë dhe dihet botërisht se politika amerikane vendos për fatin e tyre, të Kosovës por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Tashmë, kur kemi një gjendje të tensionuar në hapësirat shqiptare dhe me shumë probleme, sepse me Planin e Ahtisarit, me Marrëveshjen e Konçulit dhe me Marrëveshjen Ohrit nuk është zgjidhur problemi i shqiptarëve.

Tani është koha më e mirë e një Konference ndërkombëtar për zgjidhjen drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan në formë demokratike e paqësore. Sidomos, kur janë paralajmëruar bisedimet e reja në mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të hapen bisedimet e vërteta të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan, sepse ato të mëhershmet ishin vetëm farsë dhe asgjë më shumë, por edhe kundër interesave shqiptare. Shtrohet pyetja çfarë humbin shqiptarët nga këto bisedime? Përkundrazi, ata do të fitojnë më shumë, sepse kurrë më nuk do të jetojnë në pesë shtete në të cilët jetojnë sot e kësaj dite dhe po paguajnë haraç të madh, sidomos rasti i fundit në Radushë. Vetëm atëherë shqiptarët do të jetojnë pa frikë për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre, sepse do të kenë garanci të fortë sigurie. Një shtet i përbashkët shqiptar është garantues e mirë për zhvillim ekonomik dhe të gjithëmbarshëm shoqëror, por edhe për integrime euroatlantike. 

Me projektin e ri fiton populli shqiptar, ndërsa humbin të gjithë pseudo-politikanët dhe pseudo-patriotët, të cilët për vite të tëra mashtruan këtë popull duke plaçkitur dhe jetuar në kurriz të këtij populli. Sot e kësaj dite këta politikan janë figura tragjikomike, të cilët ende po i shkaktojnë vuajtje këtij populli. Këtë popull e ka pllakosur varfëria dhe papunësia dhe këto figura politike nuk po qajnë kokën për të ardhmen e tyre, sepse janë verbëruar nga interesi e jo nga hallet e këtij populli.

Andaj, realizimi i projektit të integrimit kombëtar, përfundimisht do t’i largonte këta maskarenj nga skena politika dhe në vend të tyre do të vijnë politikanë të rinj, të aftë, të guximshëm dhe me vizion kombëtar, të cilët pikësynim parësor do të kenë qytetarin shqiptarë dhe vendin e vet, e jo interesat personale dhe grupore. Këto figura të reja politike do të kenë legjitimitetin e popullit të fillojnë bisedimet e menjëhershme me faktorin ndërkombëtar për një politikë të re dhe qasje të re të problemit shqiptarë në Ballkan. Kjo qasje e re është në frymën e integrimeve të reja evropiane dhe është forma më demokratike dhe paqësore e avancimit të përgjithshëm të një populli, por edhe të stabilizimit afatgjatë të rajonit në përgjithësi.

(Autori është sociolog dhe publicist i pavarur. Kontakti: Fehmi.Ramadani@hotmail.com)