LAJMI I FUNDIT:

Kadriu: Gjykata Kushtetuese veproi drejtë për mosvazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave

Kadriu: Gjykata Kushtetuese veproi drejtë për mosvazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave

Gjykata Kushtetuese me të drejtë nuk inicoi dje procedurë lidhur me mandatin e kryetarëve të komunave dhe të këshillëve komunal, pasi e njëjta nuk ka kompetencë për një gjë të tillë. Kështu vlerëson juristi Bekim Kadriu, i cili tha se Kuvendi tanimë është funksional dhe në njërën nga seancat e para do të bëjë ndryshime të ligjeve përkatëse që e rregullojnë mandatin e njësive të vetëadministrimit lokal, përkatësisht e kryetarit të komunave dhe të këshillave.

Ai vlerëson se kjo çështje do të zgjidhet për maksimalisht dy javë. Ai tha se për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave duhet të bëhen ndryshime në ligjin për vetëadministrim lokal, ose në kodin zgjedhor të shtohet një dispozitë ligjore.


“Ka dy variante ligjore, njëri është ligji për vetëadministrim lokal, i cili miratohet dhe ndryshohet me dy të tretat e votave, andaj duhet të jetë me siguri problem nëse nuk arrihet konsensus edhe me partinë OBRM-PDUKM, që të bëhet ndryshim i këtij ligji, me qëllim që t’u shtohet mandati kryetarëve të komunave dhe të këshillave, ose varianti i dytë është që ndryshimet të bëhen në kodin zgjedhor”, deklaroi për TV Shenja, Kadriu./Telegrafi/