LAJMI I FUNDIT:

Ka ndërruar jetë doktori i parë i shkencave ekonomike, Partizan Shuperka

Ka ndërruar jetë doktori i parë i shkencave ekonomike, Partizan Shuperka

Të mërkurën, ka ndërruar jetë doktori i parë i Shkencave Ekonomike me moshën më të re në trevat shqiptare, Prof. Dr. Partizan Shuperka.

Një jetë kushtuar shkencës dhe arsimit mori fund më 25 Shtator 2019.  Varrimi i të ndjerit është bërë dje në varrezat e qytetit në Prizren.


Prof. Dr. Partizan Shuperka u lind më 1 Shtator 1945 në Prizren. Shkollën fillore dhe Gjimnazin i kreu në vendlindje. Në tetor të vitit 1962 u regjistrua në Seksionin Ekonomik të Fakultetit Juridik – Ekonomik të Prishtinës.

Studimet universitare i vazhdoi në Fakultetin Ekonomik të Beogradit, ku i kreu studimet themelore dhe ato postdiplomike.

Në Dhjetor të vitit 1971 e mbrojti punimin e doktoraturës me titull: “Teknika moderne dhe fenomeni i shoqërizimit”.  Kështu, Kosova fitoi doktorin e parë me moshën më të re të shkencave ekonomike, në trevat shqiptare, por edhe doktorin më të ri të shkencave edhe në Jugosllavi.

Në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës punoi që nga viti 1972 deri në pensionimin e tij më 2012.  Profesor Shuperka ishte edhe pjesë e strukturave udhëheqëse të Fakultetit Ekonomik dhe të Universitetit të Prishtinës, që nga viti 1977. Gjatë viteve 1973 – 1979 ishte anëtar i Pleqësisë Ekonomike Federative, ndërsa në vitet 1972 – 1979 ishte anëtar i Këshillit Redaktues të Revistës “Mendimi Ekonomik”.

Në fokusin e tij të interesimit shkencor e profesional ishte ndikimi i përparimit teknologjik në procesin e zhvillimit ekonomik.

Ka botuar punime të shumta shkencore, punime të shkurtra, punime profesionale, vështrime, recensione dhe ka përkthyer edhe tekste universitare nga gjuhë të ndryshme botërore.

Me vdekjen e Prof. Dr. Partizan Shuperkës, Fakulteti Ekonomik i Prishtinës humbi profesorin, pedagogun e palodhshëm, kolegun e devotshëm dhe mikun e dashur e të respektuar, të cilin do ta kujtojmë përherë.