Juventusi po mendon revolucion në portë për sezonin e ardhshëm

Juventusi tashmë po planifikon pjesërisht sezonin e ardhshëm dhe menaxhmenti i klubit po shqyrton gjithashtu një ndryshim të mundshëm në portë.
Siç tregohet nga rinovimet e rëndësishme të kontratave të bëra me Kenan Yıldız dhe Weston McKennie, si dhe ato për të cilat klubi po punon aktualisht me Manuel Locatelli dhe trajnerin Luciano Spalletti, bardhezinjtë kanë filluar të ndërtojnë ekipin e së ardhmes.
Vera e ardhshme pritet të jetë një merkato shumë më aktive për Juventusin krahasuar me atë të dimrit. Klubi synon të veprojë me më shumë forcë, si në numrin e investimeve ashtu edhe në rëndësinë e transferimeve që do të realizohen. Një nga prioritetet kryesore është tashmë porta për sezonin e ardhshëm, duke marrë parasysh situatën aktuale të portierëve Michele Di Gregorio dhe Mattia Perin.
Ky sezon nuk ka qenë i lehtë për portierët e Juventusit. Të dy kanë kaluar periudha me pasiguri dhe gabime. Nëse sezonin e kaluar performanca e portierit të parë ishte shumë pozitive dhe Perin kishte qenë gjithmonë bindës kur thirrej, këtë sezon situata ka qenë ndryshe. Di Gregorio madje përfundoi në stol për dy ndeshjet e fundit pas një serie paraqitjesh të dobëta, ndërsa Perin nuk arriti të përmirësojë situatën dhe në një nga ndeshjet e fundit mund të kishte bërë më shumë në disa nga golat e pësuar.

Një nga gjërat që nuk ka funksionuar sipas pritshmërive këtë sezon për Juventusin janë pikërisht performancat e portierëve. Nëse vera e vitit 2024 ishte ajo e revolucionit në sulm me disa lojtarë të rinj, vera e ardhshme mund të sjellë një ndryshim të madh pikërisht në repartin e portës.
Duke filluar nga Perin, nuk është sekret që në janar ekzistoi një mundësi reale që ai të largohej nga Juventusi dhe të rikthehej te Genoa për të luajtur rregullisht. Lojtari kishte pranuar këtë mundësi, por Juventusi nuk dëshironte të ndahej prej tij në mes të sezonit, pasi do të duhej të gjente një portier tjetër rezervë. Megjithatë, nuk do të ishte aspak surprizë nëse largimi i tij do të ndodhte gjatë verës.
Sa i përket Di Gregorios, situata lidhet më shumë me zgjedhje teknike. Klubi po shqyrton opsione të ndryshme për të rritur nivelin e skuadrës dhe po mendon për blerjen e një portieri të ri titullar. Në një skenar të tillë, do të ishte e vështirë të imagjinohej ish-portieri i Monzas që të qëndronte në Torino si rezervë, ndaj ekziston mundësia që edhe ai të largohet në fund të sezonit.
Në këtë fazë, Juventusi po përqendrohet kryesisht në rinovimet e kontratave që ende nuk janë mbyllur, por paralelisht po fillon të mendojë edhe për përforcimet e reja. Për çështjen e portierit, drejtuesit po kryejnë vëzhgimet e nevojshme dhe po vendosin kontaktet e para me agjentë dhe ndërmjetës për të përgatitur terrenin për verën.

Shumë emra janë lidhur me portën e Juventusit. Mes profileve të përmendura janë Marco Carnesecchi i Atalantassi një investim i madh për të ardhmen, Alisson Becker i Liverpoolit si një portier me përvojë të madhe, apo edhe Guglielmo Vicario i Tottenham Hotspur, i cili mund të kërkojë një sfidë të re.
Për momentin nuk ka negociata konkrete dhe as vendime përfundimtare për emra të caktuar, pasi bëhet fjalë për një zgjedhje shumë të rëndësishme për konkurrueshmërinë e ekipit.
Megjithatë mesazhi është i qartë: Juventusi dëshiron ndryshime në portë dhe nuk përjashtohet që i vetmi portier që të mbetet në skuadër të jetë Carlo Pinsoglio, i cili së fundmi ka rinovuar kontratën e tij. /Telegrafi/





















































