Juventusi merr një pikë në fund - kthehet në fund ndaj Lazio

Juventusi ka barazuar në xhiron e 24-t të Serie A me rezultat 2-2 me Lazion, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë raste shënimi.
Sfida nisi me presionin e bardhezinjve, të cilët krijuan disa mundësi të mira në pjesën e parë, por pa arritur të gjejnë rrjetën.
Ndëshkimi erdhi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, kur Daniel Maldini asistoi për Pedron, i cili u tregua i saktë brenda zonës dhe kaloi Lazion në epërsi 0-1.

Në fillim të pjesës së dytë, Lazio e dyfishoi avantazhin, teksa Gustav Isaksen përfitoi nga një pasim i Danilo Cataldit dhe realizoi një gol të bukur, me topin që u ndal në rrjetë pasi goditi traversën për rezultatin 0-2.
Juventusi reagoi dhe shtoi presionin, duke krijuar disa raste të rrezikshme, ndërsa goli erdhi në minutën e 59-të, kur Weston McKennie realizoi me kokë pas krosimit të Andrea Cambiasos, duke e ngushtuar rezultatin në 1-2.
Bardhezinjtë vazhduan të kërkonin barazimin, me tentativa nga Edon Zhegrova, Kenan Yildiz dhe Manuel Locatelli, por portieri Ivan Provedel u tregua vendimtar, ndërsa disa goditje përfunduan jashtë kuadratit.

Juventusi shënoi edhe një gol në minutat e fundit shtesë me Pierre Kalulu për 2-2.
Pas kësaj humbjeje, Juventusi mbetet në vendin e katërt në renditjen e Serie A me 45 pikë, ndërsa Lazio ngjitet në pozitën e tetë me 35 pikë, duke mbajtur gjallë shpresat për garat evropiane. /Telegrafi/



















































