LAJMI I FUNDIT:

Juventus-Milan: 11-shja më e mirë e të gjitha kohërave

Juventus-Milan: 11-shja më e mirë e të gjitha kohërave

Në prag të derbit të Serie A mes Juventusit dhe Milanit, portali Goal ka përzgjedhur 11 lojtarët më të mirë që ndonjëherë kanë luajtur për njërin apo klubin tjetër – bazuar vetëm në performancat e tyre me klubet. Ja cilët janë ata...

Gianluigi Buffon (Juventus 2001-) – Portieri më i shtrenjtë në histori shihet edhe si një prej më të mirëve në historinë e këtij sporti. Ai doli në skenë si 17-vjeçar kur luajti për Parmën ndaj Milanit dhe edhe pas 20 vitesh është një prej më të mirëve në botë. Ai ka fituar shtatë Scudetto.

Claudio Gentile (Juventus 1973-84) – Një prej mbrojtësve më të vrazhdë në histori, Gentile njihet për mbulimin që i bëri Maradonës gjatë Botërorit 1982. Ai fitoi gjashtë Scudetto me Juventusin gjatë periudhës së artë të Giovanni Trapattonin dhe vazhdon të shihet si hero nga Bianconerët.

Franco Baresi (Milan 1977-97) – Baresi ishte një lider i mahnitshëm dhe lexues i mirë i lojës dhe në kulmin e tij ishte i pamposhtshëm. Ai ishte kapiten i Milanit të 1980-tës dhe u votua si lojtari italian i shekullit 20. Ai ishte një lojtar që luajti vetëm për Milanin gjatë karrierës, fitoi gjashtë Scudetto dhe tre Kupa Evropiane. Kur ai vari këpucët, Milani tërhoqi numrin e tij ikonë, 6.


Gaetano Scirea (Juventus 1974-88) – Një prej mbrojtësve më të mëdhenj, krahas Franz Beckenbauer e Baresit, Scirea ishte një mbrojtës me stil dhe me njohuri të përkryera taktike. Ai e merrte topin nga mbrojtja dhe nxiste sulmin për ekipin e tij. Me Juven ai fitoi çdo titull të madh të mundshëm, para se të vdesë në mënyrë tragjike në një aksident me veturë në vitin 1989.

Paolo Maldini (Milan 1984-2009) – Një tjetër legjendë e mbrojtjes, Maldini luajti në kulmin e formës për po thuajse një çerek shekulli (25 vite). Ai debutoi për Milanin në janar të vitit 1985 dhe theu rekordin e paraqitjeve edhe në klub edhe në Serie A. Ai fitoi shtatë Scudetto dhe pesë Kupa Evropiane, në mesin e shumë trofeve tjera.

Andrea Pirlo (Milan 2001-2011, Juventus 2011- ) – Kur të pensionohet, Pirlo me siguri se do të konsiderohet si mesfushori më i madh i qendrës. Ai për 10 vite shkëlqeu në San Siro me pasimet e tij, kreativitetin dhe goditjet e lira. Pirlo fitoi dy Scudetto me Rossonerët dhe ishte ylli i dy fitore të Ligës së Kampionëve. Ai ishte çelësi në ringjalljen e Juventusit, të cilës iu bashkua në vitin 2011, duke i sjellë tre tituj të njëpasnjëshëm.

Frank Rijkaard (1988-93) – Një mesfushor fantastik, i cili luante në mënyrë të përkryer në mbrojtje, Rijkaard shpesh ka qenë në hijen e holandezëve të tjerë të periudhës së artë të Milanit. Ai fitoi dy Scudetto dhe dy Kupa Evropiane me Rossonerët, duke shënuar edhe golin e fitores kundër Benficas në finalen e vitit 1990.

Michel Platini (Juventus 1982-87) – Mesfushori legjendar francez shënoi penaltinë e fitores në finalen e Kupës Evropiane të vitit 1985 ndaj Liverpoolit. Derisa te Juve ai përfundoi si Capocannoniere (shënuesi më i mirë në Serie A) dhe Futbollisti Evropian i Vitit për tre vite radhazi. Ai nga disa konsiderohet edhe pasuesi më i mirë në historinë e këtij sporti.

Marco van Basten (Milan 1987-93) – Një prej sulmuesve më të kompletuar, Van Basten ishte lideri i treshes së famshme holandeze të Milanit që po ashtu përfshinte Rijkaardin dhe Ruud Gullitin. Ai fitoi Topin e Artë dhe Scudetton tre herë, Kupën Evropiane dy herë dhe shënoi 108 gola në 168 ndeshje për klubin. Fatkeqësisht, ai u pensionua në moshën 29 vjeçe për shkak të lëndimit.

Roberto Baggio (Juventus 1990-95, Milan 95-97) – I parë nga shumë si futbollisti më natyral italian, Baggio ishte çelësi i ringjalljes së Juventusit në vitet e hershme të 1990-tave, pas një dekade të vështirë. Si një driblues i jashtëzakonshëm, kreator, golashënues dhe harkues i goditjeve të lira, ai shënoi 115 gola në 201 paraqitje për klubin. Ai fitoi Kupën UEFA në vitin 1993 kur edhe fitoi Topin e Artë. Ai u largua në vitin 1995 pasi fitoi Scudetton dhe Kupën e Italisë, kur iu bashkua Milanit ku fitoi një tjetër titull.

Jose Altafini (Milan 1958-65, Juventus 1972-76) – Shumëkush e sheh Altafinin si lojtarin më të mirë brazilian që ka luajtur në Serie A. Ai shënoi 168 gola në 248 ndeshje për Milanin dhe fitoi një bollëk trofesh. Momenti kulmor i sulmuesit ishte në vitin 1963 kur ai fitoi finalen e Kupës Evropaine, kur ai shënoi të dyja golat që mposhtën Benfican e Eusebios. Ai më vonë shkëlqeu për Juventusin në të tridhjetat, duke fituar edhe dy Scudetto dhe duke çuar klubin në finalen e parë në Kupën Evropiane. /Telegrafi/