LAJMI I FUNDIT:

Ju rrëfej “ortodoksët”

Ju rrëfej “ortodoksët”

Më 11 qershor, profesori i katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës, prof. dr. Panajot Barka, në gazetën Shekulli, botoi një shkrim me titull “Antishqiptare nuk është Ortodoksia…”. Ai ngre shqetësimet e tij për zërat kundër pranisë së përjetshme të kryepeshkopit të Shqipërisë, Hirësisë së tij, Anastasit dhe deklaratave antishqiptare të Patriarkut serb, Irinej. Z. Barka, që në fillim të shkrimit të tij, e nis me titullin provokues sikur ortodoksinë shqiptarët e kanë kuptuar si antishqiptare, por në të vërtetë i rikujtoj z. Barka se shqiptarët janë ata që e sollën ortodoksinë në Ballkan, te grekët, serbët dhe bullgarët.

Shenjtorët e parë të ortodoksisë ishin shqiptarë, por është gjë tjetër që Greqia dhe Serbia i përvetësuan këta shenjtorë. A është ortodoksia antishqiptare? Mendoj që pyetja nuk duhet shtrohet a është ortodoksia antishqiptare, por a janë ortodoksët sllavë dhe grekë antishqiptarë? A e keqpërdorin sllavët dhe grekët ortodoksinë për interesat e tyre shtetërore?


Nëse do t’i referohemi historisë së kombit tonë, ushtritë greke e sllave me kryqin në dorë dhe në emër të kishës ortodokse kanë kryer masakra mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, qoftë muhamedane apo të krishterë. Kujtesën e kemi të freskët për luftën në Kosovë dhe masakrat e ushtarëve serbë që i bënin me kryqin ortodoks, pa folur për ato vrasjet e shekujve XIX-XX.

Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjallë të vdekurit e mëdhenj grekë, që t’i shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i rrëfyer në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë. Ju, z. Panajot Barka, në shkrimin tuaj përmendni Riga Fereun, i cili në poemën e tij i bën thirrje popujve të Ballkanit që të ngrihen kundër Perandorisë Osmane. A e dini ju z. Barka se Riga Fereu nuk e përmend asnjëherë fjalën grek apo helen dhe shqiptarët i quan arvanitas? Përse?

Ju në shkrimin tuaj më tej shkruani se në Tiranë dhe në Shqipëri u shkrua një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument dhe se u mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej. Z. Barka lërini përrallat për studentët tuaj që diplomohen duke ngrohur karriget nëpër kafene, sepse e vërteta është krejt ndryshe.

Po ju sjellë disa fakte ku është mbledhur Primati Botëror i Ortodoksisë. Ai është mbledhur më 19 nëntor në Serbi, me rastin e vdekjes së Patriarkut Pavle. Më 5 tetor 2013 në Beograd u mbajt mesha me rastin e 1700-vjetorit të nënshkrimit të Ediktit të Milanos, 313. Kjo meshë u festua në katedralen e Kryeengjëllit Mihal me nisjen e lutjeve nga Patriarku i Stambollit, Bartholomeu.

Më 6 tetor 2013, për në qytetin e Nishit, në vendlindjen e Kostandinit të Madh ata u mblodhën sërish. Falja e ditës u krye në kishën e sapondërtuar të Shën Kostandinit dhe Elenës. Pas ritualeve fetare, Patriarku i Serbisë, Irinej, u ndau medalje të arta të akorduara nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë, “Perandori Kostandin”, drejtuesve të kishave ortodokse botërore, midis tyre dhe kryepeshkopit të Shqipërisë, hirësisë së tij, Anastas Janullatosit.

Më 7 tetor 2013, krerët ortodoksë, si Patriarku i Stambollit Bartholomeu, Patriarku i Jerusalemit, Theofili III, Patriarku i Rusisë, Kirili, Patriarku i Serbisë, Irineji, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, vazhduan turneun për në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricës, ku mbajtën meshën në katedralen e “Ngjalljes së Shën Sotirit”. Mund t’ju sillja edhe fakte të tjera për takimet e Primatit Botëror të Ortodoksisë, por mjaftojnë këto të kohëve të fundit.

Më tej z. Barka na amniston Shën Kozmain, ku sipas tij, ai përhapte ortodoksinë në gjuhën zyrtare greke ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Ky nuk është argument për ta amnistuar Shën Kozmain te shqiptarët, sepse e dimë fare mirë misionin e tij. Shën Kozmai është babai i përhapjes së greqizmit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, si edhe shkrimtari grek Thoma Paskidhus.

Shën Kozmai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Një dokument për Shën Kozmain i prof. Delvinës, botuar në një të përditshme, shkruante: "Dërgojini fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘ia shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra" (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit).

Një dokument tjetër për greqizmin e fshatrave shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait janë Frashtani dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohen nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duheshin të greqizuar.

Ju, profesor Barka, në tërë opinionin tuaj nuk përmendët faktin e provokimit të Patriarkut serb Irinej dhe ngritjen e flamurit serb brenda territorit e Katedrales “Ringjallja e Krishtit”, ku përfaqësuesit e kombeve të tjera që ishin të ftuar nuk e ngritën flamurin e tyre kombëtar atë ditë, duke respektuar mikpritjen shqiptare.

Ne, shqiptarët që mendojmë dhe veprojmë me zemër e mendje shqip, nuk kemi frikë nga ringjallja e ortodoksisë shqiptar, por kemi frikë nga asimilimi i ëmbël i ortodoksëve shqiptarë në ortodoksë grekë dhe sllavë.

Në përfundim z. Braka, ju rikujtoj që ju nuk e keni të drejtën të diskutoni për ortodoksinë shqiptare, sepse s’jeni me kombësi shqiptare. Për ortodoksinë shqiptare lërini të diskutojnë vetëm shqiptarët, sepse ne kemi figura të ndritura që na kanë lënë disa amanete, si: “Ne vërtetë kemi bajram dhe pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Prandaj, nuk kemi nevojë për këshilla nga ata që s’ia duan të mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku bëni pjesë edhe ju, këtë jua dëshmoj me fakte.

Ç’ju lidh juve z. Barka me drejtuesit e disa organizatave ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë? Në çfarë cilësie merrni pjesë në festimet për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit, ku ndodheni në podium në këtë foto me ekstremistin Harrallambos–Babis Karathanos, deputetin Virona G. Polidhoras? Për çfarë qëllimi z. Barka i keni dërguar raport mbi gjendjen e minoritetit grek Institucioneve Ndërkombëtare në vitin 2003, ku përmendni edhe autonominë e Vorio Epirit? Ky raport është përgatitur nga ju, ekstremisti grek Babis Karathanos, A. Soku dhe K. Saferatis.

(Marrë nga: Shekulli)