LAJMI I FUNDIT:

Nobelisti i parë grek dhe Shqipëria

Nobelisti i parë grek dhe Shqipëria

Nga: Maklena Nika

Më 10 dhjetor 1963, Akademia Suedeze do t’i akordojë për herë të parë Jorgos Seferisit (Giorgos Seferis), Çmimin Nobel për Letërsi. Ndër shkrimtarët kandidatë për Nobel ishin emra shumë të fortë si Pablo Neruda, Vladimir Nabokov, Charle de Gaule, Samuel Beckett etj. Por, mesa duket, Beckett, ashtu si rezulton edhe nga praktikat e Akademisë Nobel, të cilat për pesëdhjetë vite mbahen të fshehta, cilësohej si “nihilist” dhe “trishtues”, Neruda si “komunist” dhe Nabokov si “i pamoralshëm”. Ndërsa, vetë poeti grek konsiderohej si poeti ideal i klasicizmit, që përfaqëson Greqinë si modelin e qytetërimit evropian.

Jorgos Seferis, poet, eseist, përkthyes dhe diplomat është përfaqësuesi i parë i Brezit të Viteve 1930, pionieri i modernizmit në letërsinë greke.


Emri i tij i vërtetë ishte Jorgos Seferiadis. Ka lindur në 29 shkurt 1900 në Izmir, Azi e Vogël dhe ka vdekur në 20 shtator 1971. Pas arsimimit të mesëm në Greqi, do të regjistrohet për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Sorbonës, ku u diplomua me titullin Doktor në 1924, duke plotësuar në këtë mënyrë edhe një ëndërr të hershme të të atit. Pikërisht, vitet e qëndrimit të tij në Paris do të jenë vendimtarë për formimin e fizionomisë së tij poetike, edhe pse që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare kishte nisur të shkruante poezitë e tij të para. Ishte koha kur lëvizja e modernizmit ishte në kulmin e zhvillimit të saj në mbarë Evropën.

“Lexoja Homerin dhe të gjitha revistat inovative të kohës. Isha admirueshmërisht i përhumbur dhe ëndërrimtar”, do të shkruajë më vonë vetë poeti për vitet e tij studentore.

Pas kthimit të tij në Greqi, ai u emërua nëpunës në Ministrinë e Jashtme (1926), periudhë në të cilën ai pati edhe një tragjedi familjare – humbjen e nënës së tij. Për këtë fatkeqësi, ai do të shprehet i zhytur në melankoli dhe vetmi.

“Kam nevojë të flas. Askënd nuk kam. Ndoshta, jam unë fajtor. Por, ç’po ndodh këtu brenda? Sot pasdreke, pata përshtypjen se mendimi im është i zbrazët dhe në vend të tij ndodheshin dy të huaj që bisedonin dhe vendosnin për fatin tim. E pamundur të shkruaj. Sa kthej fletën, kam ndryshuar, jam bërë tjetër njeri”.

Por, megjithë këto mendime të errëta, këto vite do të jenë një pikënisje e karrierës së tij diplomatike, e cila kulmoi me emërimin e tij si ambasador në Britaninë e Madhe në 1957. Por, diplomacia nuk do të përbëjë interesin e vetëm të juristit të porsadiplomuar. Ai vetë e pranon se shumë shpejt do të orientohet gjithnjë e më shumë drejt letërsisë.

“Kam një dëshirë të madhe të shkruaj në çdo moment; çdo gjë më sjell një frymëzim, një tragjedi për të shprehur. Fatkeqësisht, vetëm idetë e mia i hedh në letër dhe i vë të flenë në gjumin e tyre të përjetshëm. Sirtari im është katandisur varrezë. Çdo ditë varros edhe disa trupëza foshnjash që kanë dhënë shpirt”.

Ai u shfaq në letrat greke në 1931 me përmbledhjen poetike “Kthesë”, e cila që në çastin e parë të qarkullimit të saj, ngacmoi interesin e shoqërisë letrare të Athinës, duke provokuar reagime pozitive dhe negative njëkohësisht. Ishte një përmbledhje me trembëdhjetë poezi – ndër të cilat edhe poezia e frymëzuar nga Zhaklina, pianistja franceze me të cilën u dashurua, “Fjala erotike”. Ajo do të jetë edhe një nga femrat më të rëndësishme të jetës së tij, e cila do ta pushtojë poetin për më shumë se një dhjetëvjeçar dhe pjesa më e madhe e poezisë së tij erotike do t’i kushtohet asaj.

“Janë disa ndjenja në jetë që nuk zbehen kurrë…”, do të shprehet ai për Zhaklinën.

Vlen të përmendet fakti se ai ka qenë Konsull i Përgjithshëm edhe në Korçë gjatë viteve 1936-1938 dhe ndërtesa ku ai ka shërbyer njihet ende në ditët e sotme si “Ndërtesa Seferi”. Gjatë qëndrimit të tij dyvjeçar në Korçë, ai do të mrekullohet nga qyteti nën dëborë dhe do të frymëzohet për të shkruar disa nga poezitë e tij më të bukura. Veçojmë një letër shumë domethënëse që i dërgon nga Korça të dashurës së tij në Greqi, ku ndër të tjera shkruan: “Dimri në Korçë nuk do të na pengojë, verën e kemi përpara…”.

Më pas, duke hedhur vështrimin mbi ndërtesën që ka përpara dhe rrugicën e shtëpisë së tij në Korçë, ai do të shkruajë: “Në strehët kërcënojnë stalagmitet e akullta. Puhiza rrëmben grimcat e dëborës dhe një vel i hollë rrotullohet, ndehet mbi portat e mbyllura, griset sokakëve e derdhet në fund të rrugës, ku pëlhura nis të mbulojë pllajën e kodrës. Të gjitha faqet e çative me vështrim nga veriu, nisin fjollat e bardha. Mori cipëzash enden e vrapojnë të veshin pamjen përballë. Vallëzimet mbi çati daravitën trishtimin, buruar nga malli për të dashurën…”.

Stina e ftohtë e Korçës, shkretëtira e fushave në dhjetor, vajzat me peliçe që iu pëlqente të imitonin gratë e Parisit, ashtu si Korça tundohej nga ëndrra për t’u quajtur Parisi i Vogël.

Të gjitha këto do të linin mbresa te poeti. Pa dyshim, Korça në formën e zemrës ku netëve kitara përcillte poshtë ballkoneve të Korçës serenatat e bukura ku qyteti dremiste dhe zgjohej mbi supin e një mali dhe në zemër mbante kristale… Ai do të mrekullohet gjithashtu edhe nga liqeni i Pogradecit, me të cilin identifikohet edhe trishtimi i tij si poet. Në kujtimet e tij gjejmë të tjera përshkrime emocionuese: “E ndala shoferin në një majë. Para meje shtrihej një sipërfaqe plot me ujë. Përballë male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar në atë masë uji një barkë apo anije të vockël. Do të thosha se m’u duk si një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit… I bukur me ujëra të kaltra… magjik…”.

Ai do të vizitojë edhe qytetin historik të Krujës, për të cilin shkruan: “Pardje vajta ekskursion deri në Krujë, që është në një shpat mali mbi Tiranë, një fole shqiponjash. Fshat i bukur dhe piktoresk, atdheu i Gjergj Kastriot Skënderbeut, kushdo e kupton këtu për mrekulli se si copëtonte mijëra armiq, duke zbritur nga malet ”.

Në gjuhën shqipe, poeti i madh grek është përkthyer pas viteve 1990 dhe më konkretisht, për lexuesin shqiptar ai prezantohet me dy vepra të përkthyera: “Poezi”, përkthyer nga Perikli Jorgoni, Shtëpia Botuese “Albin”, Tiranë 1996, dhe “Legjendë”, përkthyer nga Niko Kacalidha, Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë 2010, pa harruar të përmendim edhe poezi të përkthyera e të botuara në revista të ndryshme letrare, së bashku me shkrime të ndryshme mbi krijimtarinë e tij letrare.

Viti 2018 është shpallur “Viti Seferis” në Greqi dhe në këtë kuadër në mbarë Greqinë dhe jashtë saj janë organizuar aktivitete të ndryshme letrare dhe shkencore në përkujtim të veprës së tij madhështore. Në Shqipëri është menduar organizimi i një takimi letraro-shkencor në mars të 2019, nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Greqisht, në bashkëpunim me ente të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori